Një kilogram i domates, qoftë asaj vendore (nga kopshtijet e Mamushës), qoftë i domates së ashtuquajtur rozë, që kryesisht në tregjet tona vie nga kopshtijet e Shqipërisë, të hënën dhe të martën kushtonte 1 euro dhe ky çmim saktësisht është thuaja përgjysmë më i ulët se sa çmimi kur domatja tregtohej me 2 euro kilogramin e përtej.
Buletini Ekonomik
Dje dhe sot, domatja shumë cilësore ka dominuar tregjet e gjelbra në kryeqytet. Tani, në tezgat e tregtarëve të produkteve bujqësore në tregjet e Prishtinës ka arritur edhe domatja vendore nga Mamusha, dhe që shquhet si shumë cilësore si për nga pamja e jashtme ashtu edhe për nga shija. Dje dhe sot, në këto tregje më të përfshira kanë qenë domatet dhe specat.
Te domatja, krahas cilësisë, ka rënë në sy edhe çmimi i ulur ndjeshëm krahasuar me disa ditë e javë më parë. Një kilogram i domates, qoftë asaj vendore, qoftë i domatës së ashtuquajtur rozë, që kryesisht në tregjet tona vie nga kopshtijet e Shqipërisë, të hënën dhe të martën kushtonte 1 euro dhe ky çmim saktësisht është thuaja përgjysmë më i ulët se sa çmimi kur domatja tregtohej me 2 euro kilogramin e përtej. Edhe para një jave, në tregjet tona domatja ka kushtuar 1,30 deri në 150 e 1,70 euro kilogrami.
“Me çmimin prej 1 euro për një kilogram, domatja do të bëhet perimi më popullor në tregjet tona, sepse me këtë çmim të pranueshëm do të kenë mundësi të furnizohen thuaja të gjithë konsumatorët e perimeve në tregjet tona. Ka mundësi edhe më të ulet çmimi i domatës, por edhe me 1 euro kilogrami bëhet i mundshëm ta kenë të gjitha familjet, edhe ato të varrfërat”, thotë prishtinasi i moshuar A. S., një konsumator i rregullt i tregjeve të gjelbra në kryeqytet.
Edhe çmimi i specit, i ardhur akoma thuaja se i tëri nga importi, tani është goxha i ulur krahasuar me javë më parë. Ky perim, me cilësi mesatare, ka ditë që tregtohet me 1 euro kilogrami, ndërsa speci djegës, i dallueshëm për nga cilësia, e që, sipas tregtarëve importohet nga Greqia tregtohet me 1,5 euro kilogrami.
Duhet theksuar se në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra dhe markete e supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore), akoma, edhe pse po i ofrohemi pikut të sezonit të perimeve, çmimet e perimeve, dhe sidomos të pemëve, janë të larta. Tregtarët në tregjet e gjelbra të Kosovës, por edhe ata në markete e supermarkete, këmbëngulin se çmimet e larta të pemëve dhe perimeve janë ekskluzivisht rrjedhojë e çmimeve të larta në tregjet prej nga importohen këto produkte, por edhe mungesës së madhe të perimeve dhe sidomos të pemëve nga arat dhe kopshtet e fermerëve të vendit.
Të hënën kishte tendenca ngritje të çmimit të trangujve, perim ky që për dhjetë e më shumë ditë më përpara e kishte standardizuar çmimin prej 0.50 euro kilogrami. Një kilogram i trangujve të freskët dhe shumë cilësor, i ardhur kryesisht nga kopshtet e Dukagjinit kishte çmimin 65 centë. Bie në sy po kështu edhe çmimi i lartë i qepës së re, i ofruar dhe i amballazhuar për konsumatorin në formë të tufash. Çmimi i këtyre qepëve të reja dje ishte 3 dhe 2 tufa 1 euro, që krahasuar me disa ditë më parë i bie që praktikisht ky çmim është dyfishuar sepse para disa ditësh 5 e më shumë tufë të qepëve të reja tregtoheshin me 1 euro.
Tendenca ngritje çmimi dukej të ketë edhe lakra e cila të hënën kushtonte 1 euro një kokë. Ndërkohë, çmimi i spinaqit, pas një periudhe goxha të gjatë, ka nis të ngritet vrullshëm, dhe tani në tregjet tona spinaqi me cilësi dukshëm të dobët, kushton 2,5 deri në 3 euro për një kilogram.
Në tregjet tona të gjelbra vazhdojnë të mbeten problematike çmimet enorme të larta të pemëve, thuaja të të gjitha llojeve. Siç dihet, në Kosovë, sivjet kanë munguar tërësisht pemët e hershme, që rriten dhe kultivohen në arat dhe pemishtet tona, si rrjedhojë e dëmtimit nga moti i përshkuar dhe me ngrica në ditët e fundit të marsit dhe gjatë prillit. Në kohë të lulëzimit të qershive, vishnjeve, dredhëzave etj, mbajti për disa ditë ky mot dhe i dëmtoi tërësisht këto pemë. Prandaj, sivjet nuk pati thuaja fare as qershi, as vishnje vendore, dhe pati fare pak dredhëza të fermerëve tanë. Prandaj, vazhdojnë të kenë çmime të larta pemët në tregjet tona.
Një kilogram i mollëvë cilësore, nga importi kryesisht, tani kushtojnë nga 1,70 deri në 2 euro, ndërsa i pjeshkëve të llojeve të ndryshme dhe kajsive, po kështu, të cilësisë së diskutueshme, kanë çmimin rreth 2 euro.
Por, çmimet enorme të larta të pemëve dhe perimeve, si duket, nuk janë problem vetëm në Kosovë. Edhe në vendet fqinje, rreth e përqark Kosovës, ku pak a shumë. gjatë marsit e prillit mbajtën temperatura të ftohta dhe me ngrica, dhe që ishin goxha befasuese për këtë periudhë, praktikisht, dominojnë çmimet stratosferike të pemëve dhe të perimeve. Në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, por edhe në Shqipëri, vende këto prej nga Kosova importon goxha shumë pemë dhe perime, pos dështimit të rendimenteve të qershive, vishnjeve dhe të dredhëzave, sivjet kanë pasur rendimente minimaliste edhe pjeshkët dhe kajsitë. Pas dështimit të rendimenteve të këtyre pemëve janë ngritur çmimet e tyre në qiell. /Buletini Ekonomik/











