Rendimentet e sivjetshme të grurit të përafërta me ato të vitit të kaluar

Në Ministrinë e Bujqësisë të Kosovës kanë thënë të mërkurën për Buletinin Ekonomik se bazuar në të dhënat e mbledhura nga terreni dhe vizitave të realizuara, gjendja e grunajave është e mirë.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, pasi që procesi i korrje-shirjes së grurit është në ditët e para, nuk mund të flitet me saktësi për rendimentin mesatar përfundimtar, pasi rendimetet përfundimtare të sakta do të dihen dhe publikohen vetëm pas përfundimit të plotë të procesit të korrje shirjeve të grurit.

Por, bazuar nga korrje – shirjet në fillim të fushatës, sipas zyrtarëve të ministrisë së Bujqësisë, pritet që rendimenti të jetë i kënaqshëm dhe i përafërt me atë nga viti i kaluar, që ishte prej 4,871 kilogramë për një hektar.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, plotësimi i nevojave të vendit me grurë varet nga disa faktorë thonë  ata,  si nevojat ushqyese me grurë për kokë banori për një vit, numri i popullsisë, rendimenti mesatar dhe sasia e përgjithshme e grurit të prodhuar.

Sipas të dhënave të deritashme, nevojat ushqyese me grurë për popullatën e Kosovës janë rreth 190 kilogramë për kokë të banorit për një vit. Në këtë mënyrë, del që bazuar në numrin e popullsisë dhe nevojave për kokë të banorit, për konsum vjetor në Kosovë nevojiten mbi 300,000.00 tonë grurë. /Buletini Ekonomik/