Rusinovci: Sivjet rezultatet e prodhimit të grurit janë premtuese

Fotografi ilustruese

Imer Rusinovci, profesor i bujqësisë, duke folur për kultivimin e grurit në Kosovë, theksoi se “gruri vazhdon të jetë ndër kulturat kryesore bujqësore në vend, duke zënë diku prej 20 deri në 25 për qind të sipërfaqeve të përgjithshme të punuara, përfshirë këtu edhe misrin”. Ai tha se sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, janë rreth 70 mijë hektarë të mbjella me grurë.

Profesori Rusinovci në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ka thënë se sivjet rezultatet e prodhimit të grurit janë premtuese.

“Në shumicën e rasteve, prodhimi sillet nga 4 500 deri në 5 500 kilogramë për hektar, ndërsa ka raste kur është arritur edhe 6 deri në 7 tonë për hektar. Mesatarja pritet të jetë afërsisht pesë tonë për hektar”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Rusinovci ka deklaruar se ‘po jetojmë një periudhë shumë aktive të fushatës së korrjes dhe shirjes dhe sipërfaqet e mbjella me grurë këtë vit janë në gjendje të mirë’.

Sipas tij, kjo është falë kushteve të mira agroekologjike dhe përmirësimit të teknikave bujqësore që po i përdorin fermerët.

“Në Dukagjin procesi i korrje-shirjeve thuajse ka përfunduar, ndërsa në Rrafshin e Kosovës, sidomos në zonat më të larta, është ende në vijim. Besoj brenda pesë deri në gjashtë ditë të përfundojë i gjithë procesi në të gjithë vendin”, tregoi ai.

Megjithatë, ai shprehu shqetësim për faktin se, krahasuar me vendet me ekonomi më të zhvilluar, “Kosova ende ka produktivitet të ulët në sektorin e bujqësisë”.