Kosova po vazhdon ta paguajë shumë shtrenjtë rrymën që e importon. Sikurse në vitin 2024 kur kishte raste që më shtrenjtë kushtoi transporti, se vetë rryma, e njëjta situatë ka vazhduar edhe këtë vit, ani pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë , ka nisur hetime pas dyshimeve për dallavere nga tregtarët e energjisë .
Në muajin gusht 2025, Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), vetëm për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë përmes linjave të transmisionit nga Mali i Zi, i ka kushtuar deri në 110 euro, pa llogaritur këtu cmimin e rrymës, që sipas bursave del të jetë më i ulët se cmimi i transportit.
Sipas të dhënave të bëra publike në Zyrën e Ankandeve në Podgoricë (SEECAO), prej 12 gushtit deri më 16 gusht, vetëm për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë, KESCO ka paguar deri në 110 euro që është më shtrenjtë se vetë cmimi i rrymës.
Për nëntë orë në total rryma e importuar në këtë periudhë, ka kushtuar rreth 80 000 euro, ndërsa vetëm transporti shkoi në 109,890 euro.
Këto kosto pritet t’i ngarkohen në fatura qytetarëve në vitin e ardhshëm.












