BQK: Kosova me performancë të mirë në ripagimin e kredive

Banka Qendrore e Kosovës

Në vlerë, kreditë e këqija, ose siç emërtohen me leksikun bankar, kreditë joperformuese (KJP), në bankat e Kosovës më 2024 arritën në 109.3 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 11.0 për qind. Rritja më e theksuar u regjistrua në tremujorin e dytë dhe të tretë (me 21.2 dhe 22.5 përqind rritje), periudha në të cilat rritja e vlerës së KJP-ve e tejkaloi edhe rritjen e stokut të kredive. Ndërkohë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se norma e kredive me probleme në Shqipëri ka arritur në nivelet më të ulëta historike që prej vitit 2008.

Buletini Ekonomik

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (numër 21, në të cilin trajtohet periudha janar-dhjetor e 2024-tës), të cilin BQK-ja e bëri publik ditë më parë, krahasuar me rajonin, akoma sektori bankar në vend vazhdon të tregojë një performancë shumë më të mirë në ripagimin e kredive.

Gjatë viteve, sipas këtij raporti, Kosova ka pasur raportin më të ulët të kredive jo-performuese në krahasim me vendet e rajonit. Mbulueshmëria e kredive jo-performuese me provizionet mbetet në nivele të larta, përkundër rënies së treguesit. Rreziku kreditor në bankat komerciale të Kosovës, sipas raportit, mbeti i qëndrueshëm gjatë vitit 2024, me tregues të qëndrueshëm të cilësisë së portofolit në nivel të përgjithshëm, pavarësisht rritjes së vlerës nominale së kredive joperformuese (KJP). Përshpejtimi i aktivitetit kreditues kundrejt rritjes së aktivitetit ekonomik ka rritur potencialin për akumulim të rrezikut kreditor, duke shtuar edhe pritjet për rritje të vlerës së KJP-ve.

Megjithatë, raporti i KJP-ve ndaj totalit të portofolit kreditues u ul lehtë në 1.9 përqind në dhjetor 2024, nga 2.0 përqind në fund të vitit paraprak, çka sugjeron qëndrueshmëri të sektorit bankar përballë sfidave si inflacioni i lartë dhe flukset e pritura të migracionit, të cilat nuk materializuan dhe nuk u reflektuan në përkeqësim të cilësisë së portofolit. Në vlerë, KJP-të arritën 109.3 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 11.0 për qind. Rritja më e theksuar u regjistrua në tremujorin e dytë dhe të tretë (me 21.2 dhe 22.5 përqind rritje), periudha në të cilat rritja e vlerës së KJP-ve e tejkaloi edhe rritjen e stokut të kredive. Kjo rritje, megjithatë, u ndikua kryesisht nga faktorë idiosinkratikë të dy bankave, që kontribuuan në mënyrë të pabarabartë në rritjen e KJP-ve, dhe nuk pasqyron një përkeqësim sistemik të cilësisë së portofolit.

Në dhjetor 2024, ekspozimet kreditore pa vonesa (me vonesa më pak se 30 ditë) u rritën lehtë në 97.7 përqind nga 97.4 për qind. Përderisa, kreditë me vonesa mbi 90 ditë, që kanë probabilitet më të ulët ri-pagese, zbritën në 1.9 nga 2.0 për qind që ishin një vit më parë. Ekonomitë familjare shënuan rritje margjinale të raportit të kredive joperformuese, ndërsa segmenti i ndërmarrjeve shënoi rënie të këtij raporti.

Ndërkohë në Shqipëri, kreditë me probleme në banka i janë rikthyer rënies në muajin qershor të këtij viti. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se norma e kredive me probleme ka arritur në nivelet më të ulëta historike.

Konkretisht, niveli i kredive me probleme zbriti në 4.01% nga 4.12% që ishte në muajin maj, shifër e cila përbën nivelin më të ulët të kredive me probleme në bankat tregtare që prej vitit 2008. Kjo tregon se shëndeti i bankave është përmirësuar, pra është rritur cilësia e portofolit të kredisë, për shkak edhe të rritjes që ka pasur kredia në tërësi. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore, në muajin qershor, totali i kredisë në banka pësoi një rritje prej 12.1% duke kapur vlerën e 892.6 miliardë lekëve.

Kreditë me probleme janë ato në të cilat këstet nuk paguhen në kohë nga kredimarrësi ose nuk paguhen në shumën e duhur. Rënia e kredive me probleme është tregues i rritjes së kredive të rregullta, të cilat nuk kanë asnjë problematikë në afatin dhe shumën e shlyerjes. Një kredi bëhet me probleme kur ka dyshime se huamarrësi nuk ka gjasa ta shlyejë kredinë, ose nëse kanë kaluar më shumë se 90 ditë pa i paguar huamarrësit këstet e rëna dakord. Kjo mund të ndodhë kur një individ humbet punën dhe për këtë arsye nuk mund ta shlyejë hipotekën e tij siç është rënë dakord, ose kur një kompani përjeton vështirësi financiare. Kjo sjell gjithmonë kosto për bankën, kështu që ato duhet ta mbajnë nivelin e kredive të këqija në minimum./Buletini Ekonomik/