Dyfishohet çmimi i trangujve në tregjet e gjelbra të vendit

Lëvizja e çmimeve të trangujve, domateve dhe të disa perimeve të tjera, me tendenca të tejdukshme ngritjeje në javën e parë të gushtit, nga tregtarët ndërlidhet me ardhjen masovike të mërgimtarëve dhe rritjes kushtimisht të kërkesës për perime, por edhe me afrimin e ditëve të nisjes së përgatitjes së turshive, kur rëndom në tregjet e Kosovës, në këto vitet e fundit, ka ndodhur ngritje e ndjeshme e çmimit të perimeve.

Buetini Ekonomik

Reklama e sponzorizuar

Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por sipas njoftimeve nga terreni, edhe në tregjet e njëjta në shumë qendra komunale, ka nis ngritja e çmimit të perimeve, sidomos të atyre që tani në këtë periudhë stine konsumohen më së shumti. Ka zënë te ngriten çmimi i domates, i trangujve, i preshit, fasules, spinaqit dhe të disa perimeve të tjera. Kjo lëvizje çmimesh me tendenca të tejdukshme ngritjeje, nga njohësit e ecurive të çmimeve të produkteve bujqësore dhe nga tregtarët, ndërlidhet me ardhjen masovike të mërgimtarëve dhe rritjes kushtimisht të kërkesës për perime, por edhe me afrimin e ditëve të nisjes së përgatitjes së turshive, kur rëndom në tregjet e Kosovës, në këto vitet e fundit, ka ndodhur ngritje e ndjeshme e çmimit të perimeve.

Të mërkurën, çmimi i një kilogrami të trangujve vendor (kryesisht me origjinë nga kopshtarët e rajonit të Prizrenit dhe të Mamushës), me cilësi perfekte dhe të pakontestueshme nga klientela e shumtë kryeqytetase, ishte ngritur saktësisht në një euro, derisa para pak ditësh kilogrami i trangujve tregtohej shumë-shumë 60, 70 dhe 80 centë. Ndërsa, para dy-tre javësh, një kilogram i trangujve, për ditë të tëra me radhë, ka kushtuar saktësisht 50 centë. Në këtë mënyrë, po të krahasohet çmimi aktual i këtij perimi me atë të para dy – tre javësh, i bie që çmimi i trangujve është ngritur në këto ditët e fundit qind për qind.

Edhe çmimi i domates cilësore, asaj të ashtuquajturës rozë, e prodhuar në kopshtet e fermerëve kosovarë, që për ca kohë nuk ka kaluar çmimin 1 euro për një kilogram, tani në tregjet tona të gjelbra është ngritur në 1,30 euro dhe përtej, ndërsa në shitoret e speciaslizuara të pemëve dhe të perimeve dhe në marketet e supermarkete, edhe më shumë. Edhe çmimi i domateve të prodhuesve të vegjël, nga fshatrat rreth e qark Prishtinës, të prezantuara nga tregtarët gjithnjë si prodhime “bio”, pak a shumë është i barabartë me çmimin e domateve rozë, dhe në raste edhe përtej.

Edhe tregtarët e rregullt të tregut më popullor të gjelbër të Prishtinës, që gjendet në afërsi të drejtpërdrejt me ambientet e RTK-së, lëvizjen e fundit të çmimit të perimeve e shohin si rrjedhojë të prag-sezonit të turshive, por edhe në rritjes së kërkesës për perime, e nxitur nga ardhja e diasporës në vendlindje.

Sivjet po duket se ka filluar më herët se rëndom të parashikohet fillimi i sezonit të turshive, dhe njëkohësisht edhe ngritja e çmimeve të perimeve”, thotë tregtari i vjetër prishtinas në këtë treg.

Sipas tij, sivjet për disa javë nuk lëvizën edhe aq shumë çmimet e perimeve.

Në stabilitetin e çmimeve në tregjet e gjelbra tona ka ndikuar domosdo prodhimi vendor i perimeve. Sezoni i prodhimeve bujqësore të arritura edhe nga arat e fermerëve dhe kopshtarëve kosovarë, në tregjet e gjelbra zgjati për disa javë dhe në njëfarë mënyre amortizoi ngritjen e çmimeve të produkteve bujqësore nga importi. Mirëpo, tani në fundin e javës së parë të gushtit, çmimet e shumë perimeve kanë zënë të ngriten, dhe kjo lëvizje është kundër ecurive të shumë viteve më parë, kur çmimet e produkteve bujqësore në Kosovë ngriten ndjeshëm sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit, periudhë e njohur dhe e identifikuar që moti si “kohë e turshive”, kur qytetarët ngarendin në tregjet e gjelbra për të përmbushur nevojat e tyre me perime, thuaja të të gjitha llojeve, për të bërë turshitë tradicionale për familjet e tyre.

Këto ditë, është ngritur edhe çmimi i fasules të diskutueshme për nga cilësia dhe që tani kushton nga 4 deri në 5 e 6 euro kilogrami, si dhe i spinaqit, që ka sasi të pakta, për të mos thënë simbolike në treg, me çmimin 4 euro e përtej për një kilogram, dhe të shumë perimeve të tjera. /Buletini Ekonomik/