Liberalizimi i vizave në janar të vitit të kaluar, shtimi i destinacioneve të reja dhe pushimet e mërgimtarëve, ia kanë rritur punën akoma më shumë Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Suksesi i shënuar në muajt e parë të vitit me rritje rekorde të numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve, ka vazhduar edhe gjatë qershorit e korrikut.
Sipas statistikave të Aeroportit, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, numri i pasagjerëve është rritur për 9.24 përqind. Rritje të theksuar ka shënuar edhe numri i fluturimeve.
“Aeroporti ynë ka shënuar një rritje prej 9.24% të pasagjerëve këtë korrik, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Po ashtu, për të njëjtën periudhë është regjistruar një rritje prej 8.11% në numrin e fluturimeve”, kanë deklaruar nga aeroporti.
Në rritjen e qarkullimit të pasagjerëve kanë ndikuar tash edhe pushimet e mërgimtarëve, prandaj edhe janë këshilluar udhëtarët që të paraqiten në aeroport 3 orë më herët para fluturimit.
“Qarkullimi i pasagjerëve është më i lartë se zakonisht. Ju këshillojmë të mbërrini të paktën 3 orë para orarit tuaj të nisjes, për të pasur mjaftueshëm kohë për check-in, dorëzimin e bagazheve, kontrollin e sigurisë dhe imbarkimin”, ka apeluar aeroporti.
Rritje e numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve është shënuar edhe gjatë qershorit, ku janë realizuar gjithsej 1,227 fluturime. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kur ishin 1 mijë e 68 flutuirme, kjo është një rritje prej 14.9%.
Gjatë qershorit, numri i përgjithshëm i udhëtarëve ka arritur në 392 mijë e 165,17.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 334,995 udhëtarë.
Numri i udhëtarëve në ardhje është rritur nga 175 mijë e 657 në 205 mijë e 929, teksa në shkuarje nga 159 mijë e 338 udhëtarë në 186 mijë e 236 udhëtarë.
Suksesin e shënuar në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Aeroporti e kishte pasqyruar edhe përmes një infografike.
Përderisa në qershor të vitit 2024, numri i udhëtarëve kishte qenë 335 mijë e 340, sivjet ka shkuar në 392 mijë e 505 udhëtarë.
Ndërkohë, numri i fluturimeve nga 2 mijë e 244 në qershor të 2024’ës, sivjet ka shkuar në 2 mijë e 504.
Nurmi i fluturimeve që realizohen nga ky aeroport shkon deri në 100 brenda një dite.
Ditët me numrin më të ngarkuar të fluturimeve dhe udhëtareve janë dita e mërkurë, shtunë dhe e diel.
Për të lehtësuar procesin e udhëtimit e reduktuar radhat, vjet ANP ka shtuar katër porta të reja, si dhe ka lansuar edhe shërbimin e Self Check-in.
Nga muaji gusht i vitit të kaluar, Aeroporti ka ofruar sistemin e pranimit të udhëtarëve dhe valixheve që mund të bëhet nga vetë udhëtarët, sistem ky që është pjesë e teknologjisë që përdoret për të lehtësuar procedurat para fluturimit të udhëtareve.
Tani aeroporti ka të instaluar 6 Self Check-in kioska dhe 10 Self Bag Drops për valixhe./Reporteri.net










