Investimet e huaja direkte në Kosovë arritën rekord prej 1.1 miliardë eurosh në vitin 2025

Prishtina

Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë arritën vlerën prej 1.1 miliardë euro gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje vjetore prej 38 për qind, krahasuar me rënien prej 5.5 për qind të regjistruar në vitin 2024.

Sipas Raportit Vjetor 2025 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), rritja e investimeve të huaja në vend u mbështet kryesisht nga sektori i patundshmërisë, i cili vazhdon të jetë destinacioni kryesor për kapitalin e huaj në Kosovë.

Ky sektor tërhoqi gjithsej 771.3 milionë euro, ose 70.4 për qind të të gjitha investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje prej 18.9 për qind krahasuar me një vit më parë.

BQK vlerëson se kjo rritje është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe nga kërkesa e vazhdueshme e qytetarëve për patundshmëri.

Sa i përket origjinës së investimeve, Gjermania mbetet investitori më i madh në Kosovë, duke kontribuar me 25.9 për qind të totalit të Investimeve të Huaja Direkte. Pas saj renditet Zvicra me 23.0 për qind, ndërsa Shqipëria zë vendin e tretë me 9.3 për qind të investimeve.

 

Reklama e sponzorizuar

Raporti i BQK-së evidenton gjithashtu se është rritur ndjeshëm edhe aktiviteti investues i bizneseve dhe qytetarëve nga Kosova jashtë vendit.

Investimet direkte të rezidentëve të Kosovës në ekonomi të tjera jashtë saj arritën në 365.8 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 63.1 për qind.

Sipas BQK-së, këto investime janë orientuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, tregtisë dhe ndërtimit në vendet e rajonit. /Buletini Ekonomik/

MË SHUMË:

Rriten investimet nga Kosova në Shqipëri