Kosova e vogël për nga territori, vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit) dhe mos investimeve në termocentrale në asnjë rast, thuaja se, për ta filtruar sadopak tymin ndotës.
Buletini Ekonomik
Re të dendura tymi shtrihen përmbi vendbanimet pranë termocentraleve të Kosovës në Obiliq, për çdo ditë edhe në këtë shtator dhe qartazi shihet zgjërimi horizontal dhe vertikal i këtyre reve, qoftë në jugperëndim të kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, qoftë në verilindje të tij. Retë e mbushura me pluhura dhe me shumë grimca të imta (pluhur, tym, blozë dhe materiale të tjera ) që “vjellin” oxhaqet e termocentraleve (edhe të Kosovës B, edhe të Kosovës A), që shpërndahen tejdukshëm në ajër, në veçanti në orët e mëngjesit dhe tërë paraditës, janë ndotës të frikshëm me dekada me radhë të këtij ambienti, të ajrit, të tokës dhe ujit edhe brenda Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës, edhe rreth e çark Fushë – Kosovës, që gjeografikisht shtrihet shumë pranë tymtarëve-ndotës të identifikuar tashmë me qindra herë gjatë matjeve të ndryshme, të ndotësve nga termocentralet “e plakura” dhe të amortizuar skajshmërisht.
Përmasat e ndotjes shihen, ndjehen dhe “shijohen” edhe përtej këtyre vendbanimeve, në Vushtrri, kah veriu, në Lipjan kah jug-perëndimi deri në afërsi të Podujevës në veri. Gjendja e këtoditshme e ç’ekuilibrimit në përmasa të frikshme të ambientit si pasojë e ndotjës së madhe, ende pa u futur në periudhat kur këto vendbanime të Kosovës vërshohen dhe mbullohen nga mjegullat e dendura dhe kur ndotja bëhet edhe më agresive dhe më e shpërfaqur, edhe një herë sinjalizon bindshëm se në këto vendbanime urbane dhe rurale, e sidomos në ambientet përreth termocentraleve, vazhdon të ketë nivel alarmant të ndotjes, që është bërë kërcenim serioz i pasojave të përmasave shqetësuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës.
Dhe, kështu, Kosova e vogël për nga territori, dhe si e tillë, praktikisht është e prekur nga kjo ndotje dhe i ndjenë përmasat e frikëshme të sajë, vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit) dhe mosinvestimeve në termocentrale në asnjë rast thuaja se për ta filtruar sadopak tymin ndotës. Më fjalë të tjera, ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufinjtë e lejueshëm, ndërsa termocentralet e Kosovës edhe më tutje mbetën ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.
Ndërsa retë e pluhurit dhe tymit në qiellin mbi Obiliq dhe fshatrat përreth, është edhe një alarm dhe përkujtim, ndër qindra sish të bërë deri më tash, në adresa të autoriteteve dhe zyrtarëve se kjo është kostoja që paguajnë kosovarët edhe sot e kësaj dite nga termocentralet e stërvjetruara. Në anën tjetër brenda vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare (ASK-së) Kosova ka arkëtua 377 milionë e 704 mijë e 690 euro taksë mjedisore. Ku dhe kah shkojnë gjithë këto para të taksës mjedisore është mirë të shjegohet dikush nga zyrtarët e vendit, qofshin edhe këta në detyrë. Këto janë shumë para për Kosovën e vogël dhe të varfër dhe po të investoheshin vetëm një pjesë e kësaj shume në mbrojtjën e ambienit, do të kishim pasqyrë tjetër të pasojave nga ndotja. Kosovarët, pra, paguajnë shumë taksa mjedisore, por edhe paguajnë ekstremisht shumë pasojat e ndotjes së vazhdueshme të mjedisit, të degradimit në përmasa alarmuese të tokës, ajrit dhe ujit.
Në Kosovë ‘vjelën” qindra milionë euro brenda një viti në emër të taksës mjedisore ( në emër të mbrojtjes së mjedisit nga ndotja), dhe ende, madje përditë e më shumë ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufinjtë e lejueshëm, veçmas në Obiliq dhe në fshatrat përreth termocentraleve, ndërsa termocentralet e Kosovës vazhdojnë të konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.
Ç’është akoma më keq dhe më alarmuese, gjithë këto para arkëtohen si taksë mjedisore, ndërsa nga ndotja enorme e ambientit çdo muaj e vit shtohen vdekjet e banorëve përreth kompleksit energjetik si pasojë e ndotjes ekstreme dhe shtohen të smëurët kronikë që problemet shëndetësore u shkaktohen nga ndotja e madhe e ambientit. Për të qenë më konkret rreth konstatimeve të mësipërme në këtë tekst, pa shumë komentime, do të ripërësëritim faktet, të dhënat e sakta që dalin nga intitucione zyrtare të vendit për parat që arkëton Kosova për çdo vit si taksë mjedisore dhe për dëmet konkrete të shkaktuara nga çekuilibrimi I tejdukshëm ambiental si pasojë e ndotjes së frikshme. Ndërsa, megjithë këto qindra miliona euro që Kosova arkëton brenda vitit si taksë mjedisore, mbrojtja nga ndotja e mjedisit është keq e më keq, sikundër që është keq dhe shumë alarmante gjendja shëndetësore e popullsisë përreth termocentraleve të Kosovës dhe numri I madh I vdekjeve nga ekspozimi ndaj grimcave të imëta PM2.5.
Sipas raportit ndër të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), të bërë bublik në dhjetor të 2024-tës, pra në fund të vitit të kaluar, rreth 239,000 vdekje në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2022 janë të lidhura me ekspozimin ndaj grimcave të imëta PM2.5 (PM2.5 përfaqësojnë grimca mikroskopike, si pluhur, tym, blozë dhe materiale të tjera që shpërndahen në ajër. Për shkak të madhësisë së tyre të vogël, këto grimca depërtojnë lehtësisht në sistemin e frymëmarrjes dhe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar stres oksidativ, inflamacion dhe një gamë të gjerë sëmundjesh kronike). Në Kosovë, ky numër është 2400. Sipas të dhënave për vitin 2022, në Kosovë ekspozimi ndaj niveleve të larta të PM2.5 rezultoi me 2,400 vdekje të atribuara, me 254 vdekje për 100,000 banorë të rrezikuar dhe me 2,640 vite jetë të humbura për 100,000 banorë të rrezikuar, duke e vendosur Kosovën ndër vendet me ndikimin më të lartë relativ në Evropë. Sipas analizave, sëmundja ishemike e zemrës dhe kanceri i mushkërive përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve nga ndotja e ajrit. Për sëmundje të tjera si goditja në tru, diabeti, dhe sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, ndikimi i morbiditetit është gjithashtu i lartë, duke përfaqësuar një barrë të rëndësishme shëndetësore. Kjo është gjendja aktuale sa I përketë përmasave të ndotjes në Kosovë, ndërsa ditët kur te ne, sidomos në shumë vendbanime përreth kompleksit elektroenegjetik, dijnë të mbulohen me mjegullë të dendur dhe kur përmasat e ndotjës dalin edhe më shumë në sipërfaqe janë shumë afër. Çka do të tregojnë matjet e nivelit të ndotjes në ditët në vijim, kur ato bëhen më të shpeshta dhe më të rregullta mbetet të shihet. Ndërkohë, në fushatën e egër parazgjedhore në Kosovë, që përkonë me ditët e pritshme kur do të shpërfaqen mjegullat e dendura dhe të dhëna të reja të ndotjes, vështirë t’I bie ndërmend ndokujt për të bërë ndonjë veprim për të zbutur së paku pasojat e ndotjes së madhe./Buletini Ekonomik
Write to Buletini Ekonomik – Staf









