Rriten dyanshëm investimet Kosovë-Shqipëri

Kërkesat e dyanshme për investime kanë bërë që mes dy shteteve të ketë një interes të shtuar, i cili reflektohet tek shifrat e investimeve por edhe tregtisë së jashtme vit pas viti.

Në gjysmën e parë të 2025-tës, dy vendet investuan rreth 102 mln euro në tregjet e njëra-tjetrës.

Tregtia dhe raportet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës janë zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit.

Reklama e sponzorizuar

Nëse në vitin 2019 investimet e Shqipërisë në Kosovë regjistroheshin vetëm 12 milionë euro, në vitin 2020 ato u trefishuan, duke arritur në 32.2 milionë euro. Pas një rënieje të lehtë në vitin 2021, trendi mori sërish hov në vitet pasuese. Në vitin 2022 investimet shqiptare në Kosovë u ngjitën në 38.4 milionë euro, ndërsa në 2023 arritën në 32.9 milionë. Rekordi u vendos në vitin 2024, kur vlera e investimeve u rrit në 56.1 milionë euro, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të këtij viti shifra qëndron në 39.2 milionë euro, duke treguar një nivel të konsiderueshëm që e mban Kosovën në fokus të kapitalit shqiptar, transmetyon Scantv.

Nga ana tjetër, dinamika e investimeve të Kosovës në Shqipëri ka qenë edhe më e fortë. Në vitin 2019 shifra ishte simbolike, vetëm 2.9 milionë euro, ndërsa një vit më pas u ngjit në 4.67 milionë. Rritja reale nisi në vitin 2021, kur investimet e Kosovës në Shqipëri arritën 20.25 milionë euro, për t’u rritur më tej në 29.01 milionë në 2022. Viti 2023 solli një stabilizim në nivelin 28.09 milionë euro, ndërkohë që në 2024 trendi mori hov të ri me 41.69 milionë. Kulmi u shënua në gjysmën e parë të vitit 2025, kur investimet e Kosovës në Shqipëri u rritën ndjeshëm në 62.74 milionë euro, duke shënuar kështu nivelin më të lartë historik të dekadës. Të dhënat tregojnë gjithashtu se fushat ku përqendrohet pjesa më e madhe e kapitalit janë pasuritë e paluajtshme, ndërtimi dhe prodhimi, të cilat mbeten sektorët më të preferuar si nga investitorët shqiptarë në Kosovë.