ZKA: Fondi i Energjisë së Ripërtëritshme u menaxhua keq

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë” për periudhën 2017-2024. Raporti vlerësoi efikasitetin e menaxhimit të këtij fondi nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregu (KOSTT) si dhe mbikëqyrjen nga Ministria e Ekonomisë (ME) për zbatimin e masave për burimet e ripërtërishme të energjisë.

Në një komunikatë për medie ZKA njofton se rezultatet e auditimit tregojnë se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nuk kishte arritur të menaxhojë Fondin në mënyrë efikase. Janë identifikuar mangësi gjatë fazës testuese të prodhueseve të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në procesin e organizimit të shitblerjes së energjisë së ripërtërishme si dhe në realizimin e të hyrave për Fondin.

Sipas këtij institucioni, Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka kryer monitorimin efektiv të Fondit, po ashtu Ministria e Ekonomisë nuk ka bërë monitorim të mjaftueshëm të zbatimit të politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe arritjen e caqeve të vendosur para vitit 2020.

Reklama e sponzorizuar

“Auditimi ka evidentuar mangësi gjatë fazës testuese dhe certifikimit të prodhueseve të energjisë së ripërtërishme nga KOSTT. Nuk ishin siguruar garancitë financiare për furnizuesit dhe as për prodhuesit e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Në procesin e shitblerjes së kësaj energjie është identifikuar nivel i lartë i jo balancave, gjithashtu nuk kishte mekanizma efektiv për minimizimin e këtyre jo balancave të cilat shkaktojnë kosto shtesë për Fondin. KOSTT nuk ishte efikas në inkasimin e të hyrave në Fond. Inkasimet  nga furnizuesit kishin vonesa deri në 7 muaj dhe vlera totale e obligimeve ishte 20 milionë euro”, thuhet komunikatë.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se institucionet përgjegjëse nuk ishin efikase në arritjen e caqeve të vendosura për vitin 2020 për burimet e ripërtërishme të energjisë (era, dielli dhe uji). Po ashtu skemat mbështetëse të hartuar për këtë qëllim nuk kanë arritur të ndihmojnë në përmbushjen e këtyre caqeve.

Me qëllim të rritjes së efikasitetit në menaxhimin dhe funksionimin e Fondit të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë nëntë rekomandime.