Ministria e Bujqësisë rekomandon zgjatjen e afatit të mbjelljes së grurit deri në mesin e nëntorit

Sektori i bujqësisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Departamentit për Shërbime Këshillimore dhe Teknike (DSHKT), ka njoftuar se për shkak të kushteve të favorshme klimatike në vend, afati i mbjelljes së grurit dimëror do të zgjatet deri më 15 nëntor, e në disa raste edhe deri në fund të muajit.

Sipas njoftimit, ndonëse afati optimal për mbjelljen e grurit është nga 5 deri më 25 tetor, situata e tanishme klimatike në Kosovë lejon që mbjelljet të vazhdojnë edhe pas këtij afati pa rrezik për rendimentin, nëse respektohen rekomandimet teknike.

“Duke marrë parasysh kushtet aktuale klimatike, rekomandojmë që afati i mbjelljes së grurit të vazhdohet deri më 15 nëntor, e në disa raste edhe deri në fund të muajit nëntor, nëse temperaturat dhe lagështia e tokës mbeten të përshtatshme”, thuhet në njoftimin e DSHKT-së.

Reklama e sponzorizuar

Ekspertët bujqësorë dhe këshilltarët e DSHKT-së kanë dhënë disa këshilla për kultivuesit që po kryejnë mbjelljen e grurit me vonesë:

  • Të rritet sasia e farës dhe plehut bazë për 6–10%, për të kompensuar uljen e mundshme të rendimentit për shkak të vonesës në mbjellje;

  • Të përdoret farë e certifikuar dhe me cilësi të lartë, e cila siguron prodhimtari të qëndrueshme dhe rezistente ndaj sëmundjeve.

DSHKT rekomandon që fermerët të përgatisin mirë tokën, duke shfrytëzuar periudhat me lagështi pas reshjeve për lëvrim dhe nivelim. Një tokë e punuar mirë ndihmon në mbirje të shpejtë dhe rrënjosje të fortë të bimës.

Mbjellja mekanike, sipas njoftimit, siguron shpërndarje të njëtrajtshme të farës dhe thellësi të barabartë të mbjelljes, prandaj këshillohet shmangia e metodave manuale.

Sa i përket plehërimit, rekomandohet përdorimi i NPK 15:15:15 në sasi prej 300–350 kg për hektar, ndërsa pas mbirjes, të bëhet ri-plehërimi me ure (100–150 kg/ha), varësisht nga gjendja e bimës dhe lagështia e tokës.

Në vazhdimësi, fermerët këshillohen të zbatojnë masat agroteknike sipas kalendarit bujqësor për grurin, duke përfshirë kontrollin e sëmundjeve dhe dëmtuesve, si dhe përdorimin e pesticideve të aprovuara kur është e nevojshme.

Ministria thekson se mbjelljet pas afatit optimal kërkojnë kujdes të shtuar në përgatitjen e tokës, përdorimin e sasisë së duhur të farës dhe sigurimin e lëndëve ushqyese. Kjo, për të shmangur ndikimin negativ në rendiment dhe cilësinë e kokrrës. /Buletini Ekonomik/