Anulimi i dyshimtë i tenderit për auditimin e KEDS-it

Anulimi i tenderit për auditimin e investimeve kapitale në KEDS me kërkesë të ZRRE-së, ka ngritur dyshime për ndërhyrje në proces, pasi në garë kishte kompani me përvojë të gjatë në auditim të investimeve kapitale.

Agon Sinanaj

Mes katër kompanive që ishin në garë në tenderin për auditimin e investimeve kapitale në KEDS është edhe “Audit&Conto”, një kompani me përvojë të gjatë dhe e specializuar në auditimin e investimeve kapitale.

Kjo kompani fillimisht ishte kualifikuar me mundësitë më të mëdha për këtë tender, për shkak edhe të çmimit më të lirë, por gjithçka ndryshoi pas një kërkese të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në dhjetor të vitit 2022, drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Autoritetit Qendror të Prokurimit Publik (AQP).

Pas kësaj kërkese, tenderi u anulua në “rrethana të dyshimta”, dhe me arsye që janë kontestuar nga disa prej kompanive në garë, të cilat flasin për “ndërhyrje në proces”.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin 2022, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, ia kishte ndarë ZRRE-së 200 mijë euro për auditimin e investimeve kapitale në KEDS, por mjetet nuk u shfrytëzuan pasi tenderi u anulua.

Me kontratën e privatizimit, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka marrë përsipër investime në vlerë prej 300 milionë euro në Rrjetin e Shpërndarjes, me qëllim të uljes së humbjeve të energjise elektrike në rrjet. Në kohën e privatizimit, humbjet e energjisë në rrjet ishin mbi 30 për qind dhe kjo ishte njëra nga arsyet kryesore që u përdor për privatizimin e Distribucionit.

Pasi kanë kaluar 15 vjet nga privatizimi, KEDS thotë se ka investuar mbi 200 milionë euro, por asnjë proces i pavarur i auditimit nuk është kryer deri më tani. ZRRE i aprovon shpenzimet mbi investimet kapitale sipas vlerësimit të auditorit të jashtëm, të cilin e angazhon vetë KEDS-i.

Në përpjekjen e parë serioze në vitin 2022 për ta kryer këtë detyrim ligjor, ZRRE vendosi ta anulojë tenderin, duke ngritur dyshime mes kompanive në garë për ndërhyrje në proces.

Procedurat e prokurimit janë drejtuar nga Autoriteti Qendror i Prokurimit Publik, mirëpo anulimi, sipas dokumenteve në të cilat Buletini Ekonomik ka siguruar qasje, erdhi me kërkesë të ZRrE-së.

Në njoftimin e ZRrE-së të datës 21.07.2022, thuhet se “Zyra e Rregullatorit për Energji njofton të gjitha palët e interesuara se përmes Autoritetit Qendor të Prokurimit Publik ka shpallur tenderin për “Shërbimet e auditimit, verifikimit të investimeve kapitale të realizuara në rrjetin e shpërndarjes për nevojat e ZRRE-së”.

Nga gara “u rrëzua” kompania me përvojë të gjatë në auditim të investimeve kapitale

Sipas dokumenteve, “Audit&Conto” është kompania që nga procedurat tenderuese doli më e lira në çmim, me ofertën prej 164 mijë e 483 euro e 44 centë.

Në garë ishin edhe kompanitë: Etika Co Sh.p.k, konsorciumi Grant Thornton&Grant Thornton Tax&Business Advisory Solutions dhe konsorciumi tjetër i kompanive – Nexia KS Sh.p.k&Nexia Sh.p.k&Zaharinova Nexia.

Konsorciumi i prirë nga kompania Grant Thornton u refuzua për shkak se nuk kishte dorëzuar ofertën financiare, kurse tri të tjerat për shkak të “konfliktit të mundshëm” të interesit.

Audit&Conto” e cila kishte gjasat më të mëdha për ta marrë tenderin për shkak të çmimit më të ulët, është kompani me përvojë të gjatë në auditim dhe saktësisht në investimet kapitale të kompanive të mëdha.

Drejtori i kësaj kompanie, Ymer Shatri, ka thënë se në të kaluarën kanë audituar investimet kapitale në kompani të mëdha, siç është auditimi i kryer ndaj SharrCem, pasi ishin angazhuar aso kohe nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM).

Në tenderin për auditimin e investimeve në KEDS, Shatri thotë se i kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe për këtë madje kishte pasur edhe biseda me zyrtarët e ZRrE-së.

Kur pritej që të shpalleshim fitues, veç kur na erdhi njoftimi për anulim”, ka thënë ai, teksa ka ngritur dyshime për ndërhyrje nga “dikush”.

Shatri ka treguar se ZRrE kishte dërguar një kërkesë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, për të marrë mendim për mundësinë e konfliktit të interesit për disa ekspertë të angazhuar nga kompanitë në garë.

Në këtë kërkesë ishte edhe një ekspert i kompanisë Audit&Conto, për të cilin Antikorrupsioni lëshoi vendim për “konflikt të mundshëm” të interesit. Ky vendim u bë shkak që AQP ta anulojë krejtësisht tenderin pak ditë më vonë.

Por, Shatri dyshon se kjo ishte e qëllimshme nga Rregullatori për ta dështuar këtë proces. Për këtë, sipas tij, u përdorë “karta e ekspertëve” që në tregun e Kosovës për sektorin e energjisë, të tillë gjenden rrallë.

Karta e ekspertëve”

Një nga kërkesat e tenderit ishte që kompanitë në garë të dëshmonin se kanë të angazhuar ekspertë me përvojë së paku pesë vjeçare në fushën e rregullimit të tarifave dhe investimeve kapitale në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Nga hulumtimi del se ekspertë të tillë janë të rrallë në Kosovë. Por edhe ata pak që janë në treg, vijnë nga sektori i energjisë dhe janë të punësuar në KEK, KOSTT apo tek operatorët privat si KEDS apo KESCO.

Në rastin e kompanisë “Audit&Conto”, në mesin e shumë ekspertëve që ishin propozuar, njëri prej tyre kishte punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Saktësisht, eksperti që kërkohej për pozitën në fushën e investimeve kapitale në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Eksperti që e kemi angazhuar për këtë pozitë ka punuar në të kaluarën në KEK. Nuk e kuptoj si mund të anulohet tenderi për këtë. Pastaj ai ka punuar në KEK, ne këtu po flasim për auditimin e KEDS-it dhe nuk e kuptoj ku është konflikti këtu”, ka thënë Shatri.

Njoftimi nga ZRRE per “Audit&Conto” mbi arsyet e anulimit te tenderit

Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje në ZRrE për të kuptuar arsyet e anulimit të tenderit dhe mbi arsyet se pse nuk ishte shpallur i njëjti në vitet pasuese.

Tenderi është anuluar për shkak se gjatë fazës së vlerësimit është konstatuar se dy nga kompanitë e kualifikuara kishin konflikt interesi, ndërsa dy të tjerat nuk i kishin plotësuar kërkesat e dokumentacionit sipas procedurave të përcaktuara të prokurimit”, thuhet në përgjigjet e ZRrE-së.

Mbi arsyet se pse nuk u shpall tenderi në vitet pasuese, ZRrE e bën fajtore Ministrinë e Financave, e cila sipas tyre nuk e aprovoi buxhetin për këtë aktivitet.

“Gjatë vitit 2023 dhe 2024, ZRrE ka planifikuar sërish këtë aktivitet, por Ministria e Financave nuk e ka aprovuar buxhetin e kërkuar nga ZRrE në kuadër të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës. Si rrjedhojë, procedurat për rizhvillimin e tenderit nuk kanë mundur të vazhdojnë gjatë këtyre viteve. Gjatë këtij viti, Rregullatori do të bëjë përpjekje të duhura për të kryer këtë aktivitet”, thotë ZRRE.

Nga ministria e Financave nuk janë përgjigjur në pyetjet nëse është i vërtetë ky pretendim nga ZRrE, dhe nëse po, pse nuk ishte aprovuar buxheti për këtë aktivitet në vitet pasuese.

Një shpjegim për këtë jepet në raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2022. Aty thuhet se me datën 09.11.2022, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që buxheti i Zyrës së Rregullatorit për Energji të shkurtohet për 200 mijë euro. Si arsye jepet fakti se “meqenëse AQP në mungesë të ofertave të përgjegjshme nuk ka arritur të përzgjedhë operator ekonomik për kryerjen e projektit shërbimet e auditimit/verifikimit të investimeve kapitale të realizuara në Rrjetin e Shpërndarjes”.

Raporti vjetor i ZRRE, 2022

Investimet e KEDS-it nuk i nështrohen prokurimit publik

Një auditim i pavarur për këtë proces është kërkesë e kahmotshme e shoqërisë civile, edhe për faktin se KEDS ka shmangur Ligjin për Prokurimin Publik te investimet kapitale. Ky fakt është konstatuar shumë herë në raportet e disa prej organizatave të shoqërisë civile. 

Në një raport të Institutit GAP thuhet se: “ZRrE duhet të angazhojë kompani për të bërë auditimin e investimeve kapitale të bëra veçanërisht nga KEDS e cila sipas ZRrE-së, deri më tani, nuk e ka zbatuar Ligjin për Prokurimin Publik të Kosovës siç e obligon licenca e saj”.

Për më tepër, GAP kërkon të bëhet edhe një raport i auditimit të performancës së këtyre investimve, pasi që nuk dihet se si kanë ndikuar ato në uljen e humbjeve teknike dhe komerciale të energjisë, e të cilat mbulohen nga qytetarët.

Dokumenti nga GAP

Humbjet e energjisë elektrike në rrjet deri vonë kanë qenë mbi 20%, por me fillimin e pagesës së energjisë elektrike në komunat veriore, raportet e ZRrE-së, këtë përqindje e japin rreth 15 për qind. Si vlerë, humbjet e energjisë në rrjet shkojnë te 100 milionë euro, të cilat u ngarkohen konsumatorëve përmes faturave.

Përkundër kësaj, ZRrE deri tash është mjaftuar me një auditim të jashtëm të cilin e ka kryer vetë KEDS-i.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, në një deklarim të mëhershëm për media, kishte thënë se raportet e auditorit të caktuar nga KEDS, ZRrE “i merr si të mirëqena”.

Zakonisht ata raportojnë përmes auditimit të jashtëm që ZRrE-ja i merr si të mirëqena. Konform atyre investimeve që tregon auditori, janë marrë parasysh edhe vlera e investimeve. Përafërsisht investimet në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në periudhën e parë rregullative kanë qenë diku rreth 103 milionë euro, ndërsa në periudhën e dytë mbi 100 milionë euro”, ka thënë Zejnullahu.

(Hulumtimi vazhdon në ditët në vijim…)