Murati: Udhëzimi për veteranët, i shfuqizuar nga Gjykata Supreme, është miratuar në vitin 2015

Hekuran Murati, ministër i Financave në Kosovë

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila ka vendosur të shfuqizojë një nen të një Udhëzimi Administrativ që lidhet me veteranët e luftës së UÇK-së.

Murati ka sqaruar se ky udhëzim nuk është miratuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, por në vitin 2015, në kohën kur vendi qeverisej nga koalicioni PDK–LDK.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk bëhet fjalë për shfuqizim të ndonjë udhëzimi administrativ të miratuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Udhëzimi në fjalë është miratuar në vitin 2015, në kohën e Qeverisë PDK–LDK”, ka shkruar Murati.

Ai ka ftuar edhe mediat që të përmbahen nga raportimet tendencioze që, sipas tij, gabimisht po e paraqesin vendimin e Gjykatës Supreme si shfuqizim të ndonjë akti të qeverisë aktuale.

Sipas Muratit, Kryeministri Kurti ka qenë ai që ka paralajmëruar heqjen e kufizimeve të punësimit për veteranët e UÇK-së.

Neni i shfuqizuar i Udhëzimit Administrativ parashihte që për të aplikuar për përfitimin e statusit të veteranit të UÇK-së, aplikuesit duhej të dorëzonin edhe një dëshmi nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) që vërtetonte se nuk ishin të punësuar.

Gjykata Supreme e ka konsideruar këtë nen në kundërshtim me Nenin 16A të Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së, i cili ishte ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2017 – po ashtu gjatë qeverisjes PDK–LDK.

Ky nen (16A) parashihte kategorizimin e veteranëve në tri kategori, në bazë të periudhës së pjesëmarrjes në luftë. Pas këtij kategorizimi, ligji u mundësonte veteranëve që punojnë jashtë sektorit publik të përfitonin 50% të shumës së benefitit sipas kategorisë përkatëse.

Murati ka bërë të ditur se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në bashkëpunim me zyrën ligjore, do të analizojë nëse aktgjykimi i Supremes është i mjaftueshëm për t’u mundësuar përfitime edhe veteranëve që punojnë jashtë sektorit publik, apo nëse do të nevojiten ndryshime ligjore shtesë.

“Sido që të jetë, Kryeministri Kurti tashmë e ka dhënë zotimin publik, dhe ne do të punojmë për ta jetësuar atë zotim sa më parë,” ka përfunduar Murati.