Megjithë përpjekjet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për t’i relativizuar disi të dhënat e BB-së për ngadalësimin e sivjetshëm ekonomik, vlerësimet e Bankës Botërore janë të sakta, dhe për ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve ekonomike janë edhe të pritshme. Në Kosovë, sivjet ka ngadalësim të rritjes ekonomike. Cilët faktorë kanë ndikuar më shumë në rënien e rritjes ekonomike të evidentuar nga Banka Botërore?
Buletini Ekonomik
Banka Botërore, nëpërmjet raportit të rregullt ekonomik të vjeshtës 2025 për Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar se zhvillimi ekonomik në Kosovë (edhe në tërë Ballkanin Perëndimor) sivjet ka pasur ngadalësim, rënie të rritjes ekonomike krahasuar me vitin paraprak. BB e parasheh këtë rënie të rritjes ekonomike të Republikës sonë me përqindje të saktësuara, ose nga 4.4 për qind sa ka qenë rritja ekonomike më 2024, kurse në vitin 2025 rritja do të jetë 3.8 për qind.
Edhe parashikimet për vitet 2026 dhe 2027, sipas BB tregojnë se Kosova do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik në 3.8 dhe 3.9 për qind.
Një ditë më pas, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore për ngadalësim të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor, dhe në njëfarë mënyre bëri përpjekje për t’i relativizuar vlerësimet e BB-së duke thënë se “shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”.
Kurti gjatë një vizite në Termocentralin “Kosova B”, të bërë në javën e parë të tetorit, pas përmbylljes së punimeve të modernizimit të turbinës në bllokun B2 të këtij termocentrali, ka komentuar këtë raport, dhe me këtë rast ka thënë se “Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV)”.
“Ne po bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi që t’i ndihmojmë edhe sektorit privat, përveçse edhe ndërmarrjeve publike që t’i ndihmojmë edhe qytetarëve me mbështetje financiare në mënyrë që të rritet kërkesa agregate, po mbështesim eksportin e Kosovës dhe gjithashtu siç e shihni këtu edhe gjenerimin e energjisë elektrike me ç’rast investimi është në rritje të kapacitetit, por gjithashtu edhe në siguri e qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë sivjet, ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe mos harroni që shpesh herë për aq shumë indekse edhe të demokracisë edhe të ekonomisë, Kosova është në krye të Ballkanit Perëndimor. Dhe unë besoj që kjo do të vazhdojë edhe më tej”, ka thënë ai me këtë rast.
Sipas tij, në katër vjetët e fundit rritja mesatare ekonomike ka qenë 6 për qind.
“Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind, pa rënë asnjëherë nën 4 për qind. Në çerekun e dytë sivjet është 4.58 për qind. Do të thotë edhe më tutje nuk biem nën 4 për qind, ta shohim tash si do të jetë raporti për çerekun e tretë sivjet. Por deri tash është mirë. Raportet ndërkombëtare neve na përgatisin edhe më shumë por natyrisht që tash për tash shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, ka shtuar kryeministri në detyrë.
Mirëpo, megjithë përpjekjet e kryeministrit në detyrë për t’i relativizuar disi të dhënat e BB-së për ngadalësimin e sivjetshëm ekonomik, edhe nëpërmjet një mori të dhënash për rritje ekonomike në vitet e fundit në Kosovë dhe në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, vlerësimet e Bankës Botërore janë të sakta, dhe për ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve ekonomike janë edhe të pritshme. Në Kosovë, sivjet ka ngadalësim të rritjes ekonomike.
Edhe të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) mbi aktivitetin ekonomik të tremujorit të dytë të vitit 2025, flasin goxha ngjashëm me të dhënat e bëra publike nga BB, ose përkojnë me to, por edhe për disa absurditete të pakuptimta të zhvillimeve ekonomike në Kosovë.
Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, rënie është regjistruar në disa sektorë si: industria nxjerrëse, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, si dhe menaxhimi i mbeturinave dhe rehabilitimi, me një ulje prej 6,79%.
Ndërsa ekonomistët përmendin edhe një numër jo të vogël faktorësh që kanë ndikim në ngadalësimin ekonomik. Sipas tyre, në zhvillimet e sivjetshme ekonomike të Kosovës ka ndikuar në përmasa të ndjeshme ngërçi politik që nga zgjedhjet e 9 shkurit dhe moskonstituimi i institucioneve më të rëndësishme të shtetit (edhe sipas Bankës Botërore, vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë progresin në reformat strukturore). Ngecja e investimeve kapitale dhe e investimeve të jashtme gjatë këtij viti, po kështu, sipas njohësve të proceseve ekonomike në vend, ishte një faktor shumë domethënës në ngadalësimin ekonomik të vendit gjatë muajve të shkuar të sivjetshëm.
Gjithsesi në zhvillimin ekonomik të Kosovës ka dorë edhe dobësimi i prodhimit vendor (produktet kosovare janë tkurrur ndjeshëm prezencën në tregjet ndërkombëtare, por edhe në ato vendore). Ndërsa ka patur në sektorë të rëndësishëm edhe rënie evidente të prodhimit. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave (ASK), prodhimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka rënë për 57 për qind në periudhën prill-korrik të vitit 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, rritja e çmimit të rrymës ua ka rrezikuar seriozisht funksionimin dhe tregun shumë kompanive prodhuese e shërbyese që kanë dalë në treg të lirë të energjisë.
Thellimi i varësisë nga importi gjatë 2025-tës është një tjetër faktor që ndikon jo pak në zhvillimet ekonomike. Vetëm për 9 muajt e këtij viti u importuan mbi 5 miliardë euro mallra, gjysmë miliardi më shumë se vitin e kaluar, ose 11 për qind më shumë, ndërsa eksportet ranë me rreth 30 milionë euro.
Në anën tjetër, Oda Ekonomike paralajmëron se çmimi i lartë i energjisë dhe mungesa e mbështetjes institucionale po e dobësojnë prodhimin vendor. Këtu duhet përmendur doemos edhe përballjen e vendit me pasoja të rënda financiare dhe politike si rezultat i masave të vendosura nga Bashkimi Evropian që nga qershori i vitit 2023. Sipas një analize nga Instituti GAP, mbi 613 milionë euro janë pezulluar gjatë kësaj periudhe, përmes dy instrumenteve kryesore, IPA dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Masat përfshijnë pezullimin e përkohshëm të disa fondeve, pos ndalimit të vizitave të nivelit të lartë dhe ndërprerjen e pjesëmarrjes së Kosovës në takime rajonale të BE-së. Prandaj, kur të kihen parasysh këto zhvillime dhe faktorë të tjerë me ndikim të drejtpërdrejt dhe të tërthortë në zhvillimet ekonomike, në një farë mënyre ka qenë e pritshme të ndodhë sivjet ngadalësim ekonomik në Kosovë. Gjithsesi, është mirë që përmasat e ngadalësimit të rritjes ekonomike nuk kanë qenë më të shprehura dhe më të theksueshme se ato që i ka evidentuar Banka Botërore. /Buletini Ekonomik/









