Një raport i ZKA-së përmend dështimin e KOSTT-it dhe ZRRE-së në menaxhimin e Fondit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) dhe favoret për prodhuesit e BRE-ve, si dy arsyet kryesore pse u katërfishua tarifa e Fondit të BRE-ve për konsumatorët e rrymës në Kosovë.
Agon Sinanaj
Nga viti 2023, konsumatorët e rrymës në Kosovë e paguajnë tarifën e Fondit të BRE-ve katërfish më shtrenjtë, apo 3.14 euro për megavatë orë, prej 73 cent sa ka qenë në vitin 2022. Kjo rritje erdhi si rezultat i dështimit të KOSTT-it dhe ZRrE-së në menaxhimin e këtij Fondi dhe favoreve ndaj prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme në “kurriz” të konsumatorëve.
Vetëm për periudhën 2022-2024, nga keqmenaxhimi i këtij Fondi u krijuan shpenzime shtesë rreth 15 milionë euro për konsumatorët e rrymës në Kosovë.
Të gjeturat dalin nga një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e cila e kishte audituar Fondin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) për periudhën 2022-2024.
Nga të gjitha kostot që u ngarkohen në fatura konsumatorëve të rrymës në Kosovë, Fondi për BRE-të është i vetmi proces që është audituar nga ZKA.
Ky raport, që është bërë publik në muajin gusht 2025, shpërfaq një mal me shkelje nga KOSTT (e cila menaxhon me këtë fond) dhe dështime në mbikëqyrje e favore për prodhuesit e BRE-ve nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), e cila e ka nën mbikëqyrje në të njëjtën kohë edhe KOSTT-in edhe Fondin.
Të dyja këto institucione dështuan në detyrat e tyre për menaxhim dhe mbikëqyrje efikase, duke bërë që ky Fond të arrijë në 17.34 milionë euro për vitin 2025, prej vetëm 2.87 milionë euro sa ka qenë në vitin 2018. Të gjitha shpenzimet që krijohen nga Fondi u ngarkohen konsumatorëve fundorë në faturat e energjisë elektrike.
Qëllimi i krijimit të këtij Fondi në vitin 2017, ishte financimi i blerjes së energjisë nga burimet ripërtëritshme për të gjithë prodhuesit e energjisë nga burime të pastra. Këtë privilegj e gëzojnë mbi 30 prodhues që janë pjesë e Skemës Mbështetëse. Këta prodhues e kanë të garantuar shitjen e energjisë në KOSTT me çmim të favorshëm (tarifat nxitëse).
Përgjegjës për blerjen e kësaj energjie është KOSTT, e cila këtë energji pastaj e shet tek furnizuesit, ku dominon si blerës KESCO, me 90 për qind nga totali i energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme.
Sipas aditorëve të shtetit, menaxhimi i dobët i fondit nga KOSTT e ZRRE dhe favoret ndaj prodhuesve të BRE-ve, i shumëfishuan kostot e fondit, duke i ngarkuar konsumatorët e rrymës përtej çdo parashikimi.

Dështimi i KOSTT-it me jo balancat e BRE-ve ngarkoi konsumatorët me 10 milionë euro shtesë për 3 vite
Në vitin 2018, Fondi i BRE-ve ishte 2.87 milionë euro, por në vitet pasuese pati kërcim shumë të madh të kostove. Në vitin 2019 arriti në 14 milionë euro, më 2020 kërceu në 17.5 milionë euro, për të arritur rreth 21 milionë euro në vitin 2023. Këto shpenzime të krijuara në kuadër të Fondit, sipas secilit vit, u shpërndahen konsumatorëve në faturat e energjisë elektrike.

Për ta thjeshtuar, për një amvisëri që shpenzon energji elektrike mujore mesatarisht 1000 KWh (1 MWh) është rritur çmimi i faturës së energjisë elektrike nga 0.73 euro në 3.14 euro për muaj, në emër të tarifës së BRE-ve. Nga kjo, të hyrat nga tarifa e Fondit për burimet e ripërtëritshme të energjisë kanë pasur rritje të vazhdueshme, prej 4 deri në 16 milionë euro.
Sipas raportit të Auditorit, kjo rritje e shpenzimeve për Fondin erdhi sidomos nga menaxhimi i dobët i jo balancave nga KOSTT.
Si operator i sistemit dhe tregut, KOSTT është përgjegjëse për balacimin e energjisë elektrike në rrjet. Energjia që prodhohet duhet të jetë e balancuar me kërkesën, pra me energjinë që konsumohet. Kur prodhimi është më i lartë se kërkesa apo parashikimi, atëherë në rrjet shkaktohen ato që njihen si jo balancat e energjisë elektrike. Për shpenzimet e krijuara nga jo balancat, përgjegjëse është KOSTT, e cila gjobat për jo balancat i paguan në ENTSO, mekanizmin evropian që ka nën ombrellë Operatorët e Sitemeve të Transmisionit të Evropës. Këto shpenzime nga jo balancat që KOSTT i paguan në ENTSO, pastaj ZRrE varësisht prej rregullave në fuqi ua ngarkon konsumatorëve fundorë, një pjesë ose plotësisht.
Prandaj një nga detyrat kryesore të KOSTT ndaj prodhuesve të energjisë elektrike, është që t’i mbajë përgjegjës duke i obliguar që të prodhojnë energji elektrike vetëm për aq sa kanë parashikuar paraprakisht.
Në rastin e prodhuesve nga energjia e ripërtëritshme, sipas auditorëve, KOSTT gjatë viteve 2022-2024 dështoi t’i menaxhojë jo balancat e energjisë elektrike, duke ngarkuar Fondin e BRE-ve për dhjetëra miliona euro. Vetëm për periudhën 2022-2024, nga ky dështim në menaxhimin e jo balancave u krijuan shpenzime shtesë mbi 10 milionë euro për konsumatorët e rrymës në Kosovë.
“Për tri vitet e auditimit 2022-2024, jo balancat totale vjetore janë pozitive në secilin vit, që nënkupton se prodhuesit e burimeve të ripërtërishme kanë parashikuar çdo herë më pak dhe kanë prodhuar më shumë, duke detyruar kështu KOSTT të blejë energji që nuk mund ta shesë. Kjo i ka shkaktuar KOSTT-it shpenzime më të larta për blerje se sa do duhej”, vlerëson Auditori.
Prodhuesit e BRE-ve, gjatë këtyre tri viteve, në vazhdimësi kishin parashikuar gabim, duke prodhuar energji elektrike më shumë se që kishin parashikuar. Kjo në shumë raste sipas Auditorit ishte bërë me qëllim, pasi rregullat në fuqi favorizojnë prodhuesit e BRE-ve edhe kur shkaktojnë jo balanca.
Ndonëse vetë i shkaktojnë jo balancat, prodhuesit e BRE-ve me rregullat aktuale, përvec që nuk marrin përsipër shpenzimet e krijuara nga gabimet e tyre në parashikim, ata edhe përfitojnë nga kjo.
Kjo sepse sipas rregullave në fuqi, KOSTT obligohet që ta blejë të gjithë energjinë e prodhuar nga BRE-të, përfshirë këtu edhe energjinë e prodhuar mbi parashikimin. Por kur vjen puna te shitja, KOSTT mund ta shesë vetëm sasinë e energjisë së parashikuar. Diferenca që krijohet mes sasisë së energjisë që është parashikuar nga prodhuesit e BRE-ve dhe energjisë që është prodhuar në të vërtetë, i kalon si shpenzim Fondit të BRE-ve, të cilin e paguajnë përmes faturave konsumatorët fundorë.
Sipas një vendimi të ZRrE-së të vitit 2019, nga shpenzimet e krijuara nga jo balancat, vetëm 5 për qind prej tyre i marrin përsipër prodhuesit e BRE-ve, ndërsa për pjesën tjetër (95%) KOSTT ua kthen mjetet financiare prodhuesve të BRE-ve.
Sipas Auditorit, “kjo ndodhë sepse prodhuesit shesin gjithë energjinë e prodhuar tek KOSTT edhe kur parashikojnë gabim, pasi që një gjë e tillë është përcaktuar në kontratën e shitblerjes së energjisë mes prodhuesve dhe KOSTT”.
Por KOSTT nuk kishte arritur t’i ofrojë auditorëve bazën ligjore për këto marrëveshje favorizuese dhe në dëm të konsumatorëve me prodhuesit e BRE-ve.
“Sipas KOSTT, marrëveshja ishte bazuar në aktet ligjore dhe nën ligjore që kanë qenë në fuqi ku kërkohej që KOSTT të blejë gjithë sasinë e prodhuar, kjo me qëllim që të nxisë investimet në fushën e burimeve të energjisë së ripërtërishme dhe arritjen e caqeve. Mirëpo ne kemi gjetur se një gjë e tillë ishte cekur vetëm në ‘’strategjinë e energjisë 2017-2026’’. Mirëpo aktet ligjore dhe nënligjore që ishin në fuqi në periudhën kur janë nënshkruar marrëveshjet i japin përparësi energjisë së burimeve të ripërtërishme por nuk e specifikojnë qartë nëse KOSTT-i duhet të blejë tërë sasinë e prodhuar pavarësisht nominimit (parashikimit)”, thuhet në raportin e ZKA.
Auditori vëren se prej 31 prodhuesve sa janë në total, prej tyre tre prodhues janë përgjegjës për mbi 80% të jo balancave totale vjetore. Në raport nuk përmenden emrat e prodhuesve, por auditori lë të kuptohet se gabimet në parashikim nga këta tre prodhues ishin të qëllimshme.
“Pasaktësia e parashikimeve nuk është faktor që ndikon nga jashtë, sikurse janë kushtet atmosferike, por është faktor që varet direkt nga veprimet njerëzore”, vlerëson ZKA.
Nga KOSTT nuk janë përgjigjur lidhur me këto gjetje të Auditorit. Buletini Ekonomik ka dashur të kuptojë se pse nuk janë menaxhuar jo balancat sipas rregullave në fuqi.
Sidoqoftë, një përgjigje për këtë, KOSTT e ka dhënë në komentet që ka dërguar në ZKA, me rastin e auditimit, por në terma përgjithësues.
“Prodhuesit BRE bazuar në legjislacionin në fuqi paguhen për të gjithë energjinë e matur të tyre (kjo si formë nxitëse për prodhimin nga BRE) dhe ato janë përgjegjës për 25 % të jobalanceve të tyre që janë një incentive që të parashikojnë sa më saktë si për mungesa ashtu edhe taprica”.
Favori i ZRrE-së për prodhuesit e BRE-ve: Pragu i jo balancave u ul nga 25% në 5%
Rritjen e shpenzimeve të Fondit të BRE-ve, Auditori e lidh edhe me një vendim favorizues të ZRrE-së për prodhuesit e BRE-ve.
Deri në vitin 2019, prodhuesit e BRE-ve kanë paguar deri në 25% të totalit të shpenzimeve që kanë shkaktuar me fajin e tyre nga jo balancat. Por në vitin 2019, një vendim i ZRrE-së i pa mbështetur në asnjë bazë ligjore, e uli pragun e jo balancave për prodhuesit e BRE-ve nga 25% në 5%. Sipas Auditorit, gjatë viteve 2022-2024, vetëm nga kjo diferencë konsumatorët u dëmtuan për 4.6 milionë euro.
Sipas Auditorit, ky vendim i ZRrE-së është në kundërshtim me Rregullën për Skemën Mbështetëse, që thotë se jo balancat e prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme llogariten me pragun 25%. Për me tepër, “kjo ka ulur motivimin e prodhuesve për të parashikuar saktë prodhimin, sepse ndëshkimi financiar për devijimet është më i ulët”.

“Nëse vlera e pagesës në emër të jo balancës nga prodhuesit tejkalon 5% e të hyrave të prodhuesit atëherë KOSTT obligohet që ti kthejë mbrapa tek prodhuesi mjetet financiare që janë mbi pragun 5% e të hyrave të prodhuesit”, thuhet në raport.
Nga ZRrE nuk janë përgjigjur në pyetjet mbi arsyet që i kanë shtyrë për ta marrë këtë vendim që përveç se është në kundërshtim me Rregullën për Skemën Mbështetëse, dëmtoi konsumatorët për 4.6 milionë euro.
Ndërsa, në komentet që ka dërguar te ZKA, ZRrE arsyeton vendimin si masë në kuadër të funksionit që ka Fondi për mbështetje të energjisë së ripërtëritshme.
“Sipas strukturës së tarifës, mbulimi i pjesës së mbetur të kostove të jobalancës përmes Fondit nuk përbën shpenzim shtesë të pajustifikuar, por zbatim të rregullt të funksionit të Fondit për mbështetje të energjisë së ripërtëritshme, siç është e paraparë me Ligjin për promovimin e BRE dhe aktet nënligjore përkatëse”, vlerëson ZRrE.
KOSTT blen shtrenjtë te BRE-të, shet lirë te KESCO
Fondi i BRE-ve ngarkohet shumë edhe nga dallimi në çmim me të cilin KOSTT e blenë energjinë elektrike te prodhuesit e BRE-ve, me çmimin me të cilin e shet pastaj këtë energji të KESCO.
KOSTT e blenë energjinë e prodhuar nga prodhuesit e BRE-ve me çmim më të lartë (çmimi nxitës), ndërsa e shet atë energji te KESCO me çmim shumë më të ulët (çmimi referent). Të dyja çmimet përcaktohen nga ZRrE. Diferenca që krijohet mes çmimit me të cilin KOSTT e blenë energjinë nga prodhuesit dhe çmimit me të cilin e shet te furnizuesit, rrit shpenzimet e Fondit të BRE-ve.
Kështu, në vitin 2024, për energjinë e prodhuar nga era, KOSTT bleu energjinë nga prodhuesit e BRE-ve me një çmim mes 93.26 euro dhe 102.17 euro MWh, ndërsa e shiti te KESCO me një çmim prej 72.85 euro për megavat orë. Nga energjia e prodhuar prej solareve, bleu te prodhuesit me çmim 161.65 euro deri 167.71 euro dhe e shiti me çmim përgjysmë më të vogël, 72.85 euro.

“Pra çmimi i shitjes është shumë më i ulët se sa çmimi i blerjes, për pasojë të hyrat e KOSTT-it nga shitja e energjisë së ripërtëritshme në asnjë rast nuk mund të mbulojnë shpenzimet për blerjen e energjisë së ripërtëritshme. Për të mbuluar këtë diferencë negative përdoret tarifa e Fondit e cila paguhet nga konsumatorët”, vlerëson Auditori.
Auditori vëren se “ka pasur një rritje të vazhdueshme të çmimit të blerjes për KOSTT nga viti 2022 deri në vitin 2024, që është si pasojë e inflacionit, ku ZRrE në bazë të indeksit të inflacionit ka bërë përshtatjet vjetore të çmimeve të blerjes nga prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme.
Sipas Auditorit, ZRRE nuk kishte llogaritur si duhet inflacionin për tarifat nxitëse, duke i shkaktuar Fondit shpenzime shtesë në shumë prej 520 mijë euro për pagesa retroaktive ndaj prodhuesve që nga viti 2017 deri në vitin 2022. /Buletini Ekonomik/
Shënim:
Ky publikim është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për Shoqërinë Civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
(Infografikat janë gjeneruar me ndihmën e AI, në kuadër të projektit “Fuqizimi i gazetarisë ekonomike përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale”)










