Pezullohen të gjitha linjat e trafikut urban në kryeqytet, transportuesit privatë në protestë

Transportuesit privatë janë duke protestuar para Komunës së Prishtinës, pasi që kanë marrë vendim që të pezullojnë të gjitha linjat në Prishtinë, për shkak të mospagesës nga Komuna e Prishtinës.

Protestës pritet t’i bashkohen edhe punëtorët e ndërmarrjes “Trafiku Urban” të cilës gjithashtu e kanë pezulluar punën.

Javën që shkoj edhe transportuesit privatë e edhe “Trafiku Urban” kanë njoftuar se ofrimi i shërbimit të transportit publik do të pezullohet plotësisht nga e hëna (sot), për shkaqe financiare.

Reklama e sponzorizuar

Problemet me pagesat e shërbimeve në Komunën e Prishtinës janë pasojë e mosmiratimit të buxhetit të komunës së Prishtinës për vitin 2025.

Me arsyetimin se është bllokuar buxheti nga Qeveria në detyrë, edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të dielën ka njoftuar se “Trafiku Urban” nga e hëna (sot) do të ndërpresë shërbimet e transportit.

Në anën tjetër ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Thesari të premten ia ka alokuar Komunës së Prishtinës mjetet për dhjetor. /Koha