Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, pas seancës gjyqësore ku u diskutua procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, ka deklaruar se ky proces nuk ka shkuar në përputhje me ligjin dhe direktivat evropiane.
Ai ka theksuar se bizneset janë dëmtuar materialisht nga veprimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Rafuna tha se ishin fakte të paqëndrueshme për mendimin e tyre dhe se ata argumentuan të kundërtën para trupit gjykues, duke nënvizuar se procesi i liberalizimit të energjisë elektrike nuk është zhvilluar si duhet, sipas parimeve dhe principeve që njeh jo vetëm ligji në fuqi në Kosovë, por edhe direktivat e BE-së për liberalizimin e tregut.
Ai shtoi se kishin mundësi të argumentonin, edhe nga aspekti ligjor, se aktet nuk ishin në përputhje me dispozitat ligjore, si dhe se vetë procesi i liberalizimit kishte shkelje.
Njoftimi i ZRRE-së, sipas Rafunës, ka pasur efekt material dhe ndikim negativ mbi bizneset, duke i dëmtuar ato. Ai shprehu besimin e plotë se trupi gjykues do të shqyrtojë të gjitha provat dhe faktet dhe do të marrë një vendim të drejtë që do të mbrojë bizneset dhe ekonominë e Kosovës.









