Sipas të dhënave të publikuara nga ASK, çmimet më të larta të pronave të banimit në periudhat e monitorimit regjistrohen në Rajonin e Prishtinës, ndërsa të dhënat e detajuara tregojnë trende të ndryshme të rritjes dhe rënies gjatë viteve të fundit. Rritjen e kostove në sektorin e ndërtimeve në vend e ka nxitur edhe sivjet, sidomos rritja e pagave në këtë sektor dhe çmimet e energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar për herë të parë Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) (nga tremujori i parë 2018 deri në tremujorin e dytë 2025), një tregues i ri statistikor që mat lëvizjet e çmimeve të banesave dhe shtëpive në gjithë territorin e vendit. Këto të dhëna kanë qenë më se të nevojshme dhe të domosdoshme për institucione, për vrojtues të tregut të ndërtimeve, për medie dhe një numër jo të vogël asociacionesh dhe personash që janë të lidhur drejtpërdrejt apo indirekt me zhvillimet në tregjet e ndërtimit në vend.
Të gjitha vendet e botës dhe të rajonit ka kohë që i kanë pasur këto të dhëna, të përgatitura nga institucionet statistikore të vendeve të tyre. ASK-ja ka bërë mirë që e ka bërë më në fund këtë punë, por do të bënte shumë më mirë sikur të azhurnonte dhe të përditësonte më shpesh këto të dhëna, për shkak të lëvizshmërisë së madhe të tyre, sidomos ngritjes së madhe të çmimeve të banesave dhe patundshmërive në përgjithësi dhe të shtonte edhe më numrin e të dhënave që pasurojnë njohuritë për zhvillimet në tregun e paluajtshmërive në Kosovë. Krahas indeksit të kostimit në ndërtim do të ishin të mirëseardhura të dhënat statistikore edhe për koston më të përditësuar të fuqisë punëtore në ndërtim, shpenzimet për makineri, shpenzimet për transport dhe çmimet e tokave, qoftë atyre të dhëna me koncesion, qoftë ato të shitblerjes.
Sidoqoftë, të dhënave të publikuara nga ASK, çmimet më të larta të pronave të banimit në periudhat e monitorimit regjistrohen në Rajonin e Prishtinës, ndërsa të dhënat e detajuara tregojnë trende të ndryshme të rritjes dhe rënies gjatë viteve të fundit.
Të dhënat për periudhën 2019–2024 tregojnë se rritja mesatare vjetore e çmimeve të pronave në nivel vendi ka kulmuar në vitin 2022 me 4,5%, e ndjekur nga viti 2024 (4,0%) dhe viti 2023 (3,7%). Viti 2020 shënoi rritjen më të ulët (0,2%), për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19 në tregun e patundshmërive.
Në analizën vjetore tremujore (TM1 2019 – TM2 2025), rritja më e lartë u regjistrua në TM1 2025 me 7,8%, si dhe në disa tremujorë të vitit 2022 dhe 2023, duke reflektuar rritjen e kërkesës dhe intensifikimin e aktivitetit të tregut. Rëniet më të theksuara u regjistruan në vitin 2020, veçanërisht në TM4 (-2,4%) dhe TM2 (-2,0%).
Në periudhën TM1 2019 – TM2 2025, rritjet tremujore më të mëdha u regjistruan në TM4 2019 (4,5%), TM2 2022 (3,1%) dhe TM2 2024 (2,9%). Rënia më e madhe tremujore u shënua në TM2 2020 (-3,3%), periudhë që përkon me pasigurinë ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
Të dhënat për ndryshimet mesatare vjetore (2019–2024) tregojnë se Rajoni i Prishtinës ka pasur luhatje më të theksuara, me kulmin në vitin 2021 (5,5%) dhe rënie në vitin 2020 (-0,1%).
Ndërsa për rajonet e tjera të vendit, rritja më e lartë mesatare është regjistruar në vitin 2023 (5,4%), ndërsa viti 2021 ka shënuar rënie (-1,4%).
Sipas tremujorëve, Rajoni i Prishtinës regjistroi rritjen vjetore më të lartë në TM1 2025 me 11,3%, e ndjekur nga TM2 2021 (7,4%), TM4 2024 (7,3%) dhe TM3 2024 (6,1%). Rëniet më të theksuara u shfaqën në TM2 2020 (-3,0%) dhe TM3 2023 (-1,0%).
Agjencia e Statistikave të Kosovës, pak ditë më parë se sa të bënte publike Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB), ka publikuar edhe shifrat më të reja për Indeksin e Kostos së Ndërtimit (26 nëntor 2025), të cilat tregojnë se çmimet në sektorin e ndërtimtarisë kanë vazhduar të rriten edhe në tremujorin e tretë të vitit 2025.
Sipas raportit, kostot totale janë rritur me 0.5 për qind krahasuar me tremujorin e dytë dhe me 3.6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Rritja tremujore është shkaktuar kryesisht nga çmimet e energjisë, që kanë shënuar një ngritje të ndjeshme prej 3.9 për qind, si dhe nga rritja e pagave me 2.3 për qind.
Materialet, pavarësisht një rritjeje modeste prej 0.1 për qind, vazhdojnë të mbeten komponenti më i rëndë i kostove me peshë 69.8 për qind në strukturën totale.
Në krahasim me TM3 2024, rritja është edhe më e theksuar: energjia ka shënuar një rritje vjetore prej 9.7 për qind, pagat 7.8 për qind, ndërsa materialet 2.9 për qind.
Në përgjithësi, të dhënat tregojnë një rritje të kostove në sektorin e ndërtimeve në vend, të nxitur kryesisht nga pagat dhe çmimet e energjisë elektrike, ndërsa çmimet e materialeve ndërtimore pavarësisht një rritjeje fare modeste (0.1 për qind), vazhdojnë të mbeten komponenti më i rëndë i kostove me peshë 69.8 për qind në strukturën totale. /Buletini Ekonomik/











