Ekonomisti Edison Jakurti ka analizuar të dhënat e tregut të punës në Kosovë, duke theksuar se rënia e shkallës së papunësisë nuk duhet të interpretohet automatikisht si rritje e punësimit. Sipas tij, papunësia është një nga tre treguesit kryesorë të gjendjes makroekonomike, krahas BPV-së dhe inflacionit, por mënyra se si matet kërkon kujdes në interpretim.
Jakurti shpjegon se papunësia përfshin vetëm personat që janë pjesë e fuqisë punëtore, pra ata që janë aktivë në tregun e punës. Si rrjedhojë, një pjesë e personave që dikur kanë qenë të papunë mund të mos jenë më pjesë e tregut të punës, pa u punësuar.
Duke krahasuar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për periudhën 2014–2019 dhe pesë vitet pas pandemisë COVID-19, Jakurti vëren dallime të rëndësishme. Para pandemisë, shkalla e papunësisë ra nga 35.3% në 25.7%, ndërsa punësimi u rrit vetëm nga 26.9% në 30.1%. Pas pandemisë, papunësia ra edhe më ndjeshëm, nga 25.7% në 10.8%, ndërsa punësimi u rrit nga 30.1% në 38.6%.
Sipas tij, në të dy periudhat papunësia ka rënë më shpejt sesa është rritur punësimi, çka tregon se një pjesë e rënies së papunësisë lidhet me tkurrjen e fuqisë punëtore. Para pandemisë, fuqia punëtore u zvogëlua për rreth 12 mijë persona, ndërsa pas pandemisë për rreth 24 mijë.
Jakurti thekson se para pandemisë rreth tri të katërtat e rënies së papunësisë shpjegoheshin nga rritja e punësimit, ndërsa një e katërta nga tkurrja e fuqisë punëtore. Pas pandemisë, rreth dy të tretat e rënies së papunësisë shpjegohen nga rritja e punësimit dhe një e treta nga tkurrja e fuqisë punëtore.
Duke pasur parasysh se ASK raporton edhe rënie të joaktivitetit gjatë kësaj periudhe, Jakurti thotë se shpjegimi më i mundshëm për këtë dukuri është emigrimi. /Buletini Ekonomik/












