Nënshkruhet vendimi për masa mbrojtëse për produktet e naftës në transport

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sigurimit të konkurrencës së drejtë në tregun vendor.

Sipas ministres Hajdari, vendimi është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, bazuar në evidencat e përditshme të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Këto të dhëna kanë treguar se rritjet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh reflektohen menjëherë në çmimet e shitjes, ndërsa uljet nuk pasqyrohen në mënyrë proporcionale kur çmimet furnizuese bien.

Reklama e sponzorizuar

Me këtë vendim është përcaktuar marzha tregtare maksimale e lejuar për produktet e naftës:

  • Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër;

  • Shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër.

Vendimi hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe parashikon mbikëqyrje të shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore.

Ministrja Hajdari theksoi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vazhdojë të ndërmarrë veprime të guximshme për mbrojtjen e konsumatorëve dhe promovimin e konkurrencës së drejtë në tregun e Republikës së Kosovës.