Pas grevës njëjavore, Trafiku Urban rifillon punën

Pas grevës 1-javore, Trafiku Urban i është rikthyer punës nga sot.

Në njoftim thuhet se pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave dhe pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës, që nga sot do të rifillojë ofrimi i shërbimit të transportit publik.

“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Punëtorët e Trafikut Urban dhe transportuesve privat kanë protestuar çdo ditë para objektit të Komunës së Prishtinës.

Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të enjten për të  miratuar bartjen e të hyrave vetanake, për t’i hapur rrugë pagesës së faturave. Por, alokimi i një pjese të këtyre mjeteve është bërë tek dje nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Bëhet fjalë për 2.7 milionë euro.