Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen e pagës minimale, duke përcaktuar dy faza të rritjes gjatë vitit 2026.
Sipas vendimit zyrtar me numër 10/273, të datës 31 tetor 2025, të nënshkruar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, paga minimale në Kosovë do të rritet fillimisht në 425 euro bruto nga 1 janari 2026 për punë të rregullt me orar të plotë.
Rritja e dytë parashikon që paga minimale të arrijë në 500 euro bruto duke filluar nga 1 korriku 2026, po ashtu për punë me orar të plotë.
Me këtë vendim, për zbatimin e tij obligohen Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe Inspektorati i Punës, të cilat duhet të sigurojnë implementimin e rregullt të pagës minimale sipas afateve të përcaktuara.
Vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Rritja e pagës minimale synon përmirësimin e standardit jetësor të punëtorëve dhe përafrimin gradual të të ardhurave me rritjen e kostos së jetesës në vend. /Buletini Ekonomik/









