Statistikat e reja të energjisë, hidrocentralet dhe BRE-të prodhuan dukshëm më shumë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Energjisë për muajin nëntor 2025 me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se në nëntor të vitit 2025 është prodhuar më shumë thëngjill sesa në nëntor 2024.

Reklama e sponzorizuar

“Gjatë muajit nëntor të vitit 2025, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 634.84 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 509.47 GWh ose 0,39 % më i madh, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në njoftim.

Sipas statistikave të publikuara, prodhimi bruto nga hidrocentralet ishte 295.18% më i lartë krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar. Gjithashtu, edhe prodhimi bruto nga burimet e erës dhe atyre fotovoltaike ka shënuar rritje prej 51.32%.

Po ashtu sipas ASK-së, pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 12,14 %.

“Importi i energjisë elektrike në nëntor të vitit 2025 ishte 325.04 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 247.29 GWh (këtu është e përfshirë edhe sasia e transmisionit). Prodhimi i thëngjillit për muajin nëntor 2025 ishte rreth 663 413 mijë ton që paraqet një rritje prej 2,94 %, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e ASK-së. /Telegrafi