ATK rikujton obligimin ligjor për regjistrimin e bizneseve dhe paralajmëron sanksione

Administrata Tatimore e Kosovës ka rikujtuar edhe një herë për të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik, se regjistrimi i aktivitetit është obligim ligjor dhe shmang pasoja serioze financiare dhe ligjore.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kuadër të projektit për formalizimin e ekonomisë dhe vendosjen e etiketave identifikuese për bizneset e regjistruara, ATK do të shtojë inspektimet në terren në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“ATK u bën thirrje të gjithë personave që ende zhvillojnë aktivitet të paregjistruar që të veprojnë menjëherë dhe të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), përpara se të identifikohen nga inspektorët tatimorë”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Nga ATK po ashtu thonë se në rast se gjatë inspektimeve identifikohen aktivitete të paregjistruara, ATK, në përputhje me Ligjin në fuqi, do të ndërmarrë pa përjashtim këto veprime: “Regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit dhe pajisjen me Numër Fiskal; Aplikimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore të parapara”.

Tutje bëhet e ditur se regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe kontribuon në një konkurrencë të drejtë në treg.

“Po ashtu, ATK kërkon nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, pasi mos-përditësimi i informatave përbën shkelje ligjore.

Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe në ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë”, thuhet në njoftim.