Letër e hapur Qeverisë së Kosovës

Ish-drejtori gjeneral i “Elektrokosovës” dhe njohësi i sektorit të energjisë, Lazër Krasniqi, i është drejtuar me një letër Qeverisë së Kosovës, pas kërkesave të reja për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike.
Letra e plotë:
Kolapsi elektroenergjetik dhe kërkesa për rritje të çmimit prej 21.3% nga KESCO, kompani private, dhe jo paraprakisht nga KEK-u si prodhues i energjisë elektrike, kërkojnë avancimin sa më parë të një reforme të mirëfilltë në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, konkretisht:
  • Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë Ligjin e ri për energjinë elektrike. Me këtë ligj, ndër të tjera, duhet të bëhet unifikimi i sistemit në një kompani të vetme elektroenergjetike të Kosovës (KEK–KOSTT–KEDS), me përgjegjësi për furnizimin e konsumatorëve në Republikën e Kosovës.
  • Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë Ligjin për sistemin tarifor të energjisë elektrike. Me këtë ligj rregullohen marrëdhëniet ndërmjet kompanisë elektroenergjetike dhe konsumatorëve në Republikën e Kosovës.
  • Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë Bilancin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, me të cilin rregullohet prodhimi i energjisë elektrike nga burimet primare, si dhe eksporti dhe importi i energjisë elektrike, varësisht nga konsumi i përgjithshëm.
  • Qeveria e Kosovës, përmes rregulloreve, duhet të avancojë kriteret e funksionimit dhe zhvillimit të sistemit elektroenergjetik në Republikën e Kosovës, duke forcuar përgjegjësinë për furnizim të rregullt të konsumatorëve, në përputhje me kontratat për kyçje në rrjet dhe kontratat për furnizim me energji elektrike ndërmjet kompanisë elektroenergjetike dhe konsumatorëve.
  • ZRRE, si organ mbikëqyrës i emëruar nga Qeveria e Kosovës, sipas Ligjit për energjinë elektrike, duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet furnizuesve të energjisë elektrike, duke licencuar KEK-un, KESCO-n etj. si furnizues, në përputhje me rregullat e tregut të lirë dhe konkurrues.
Në fund, me këtë reformë afirmohen përgjegjësitë për funksionimin dhe eksploatimin optimal të sistemit elektroenergjetik në Republikën e Kosovës. Pa këtë reformë, kolapsi energjetik në Kosovë do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë dhe do të ketë ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe trauma në jetën e popullatës.
Republika e Kosovës, sa i përket energjisë primare, është ndër më të avancuarat në Evropë, me rreth 10 miliardë tonë rezerva të thëngjillit, që sipas hulumtimeve të vërtetuara shkencore, mjaftojnë për rreth 500 vjet për nevojat e Kosovës për energji elektrike.
Menaxhimi aktual i sektorit të energjisë — Qeveria, ZRRE, KEK, KOSTT, KEDS dhe KESCO — ku secila vepron veçmas, pa përgjegjësi të qartë për furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike, vetëm sa do ta thellojë krizën energjetike. Me menaxhim profesional, me ekspertë të verifikuar në funksionimin dhe eksploatimin optimal të sistemit elektroenergjetik, si dhe me reformën e lartpërmendur të mirëfilltë, kolapsi energjetik do të ishte harruar.
Lazër Krasniqi
Ish-drejtor gjeneral i “Elektrokosovës”