Huamarrja masovike nga bankat dhe gjendja e rënduar financiare e kosovarëve

Në Kosovë, tashmë është evidente shtimi i hovshëm i kredimarrjes. Motivi kryesor që i ka shtyrë kosovarët kaq shumë të obligohen me kredi, sidomos me sosh familjare ose konsumuese (viti 2025, vit rekord me vlerën e kredive të reja), sipas pohimeve të shumë kredimarrësve është mbijetesa (mbajtja e familjes, sigurimi i ushqimeve të domosdoshme dhe të produkteve të tjera të nevojshme të konsumit dhe kthimi i borxheve, edhe sosh nga kreditë paraprake).

Buletini Ekonomik

Huamarrja masovike nga bankat gjatë tërë muajve të vitit të kaluar (vlera e kredive të reja të lëshuara në vitin 2025 në Kosovë ka mbërritur në 2.68 miliardë euro sipas Institutit GAP) është pa mëdyshje indikatori domethënës që tregon realisht për gjendjen e rënduar financiare dhe mirëqenien e rrënuar ndjeshëm të kosovarëve. Në fakt, të dhënat e GAP-it e paraqesin vitin 2025 si vit rekord me vlerën e kredive të reja. Edhe të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e paraqesin njësoj. Këto të dhëna kanë treguar rritje të vlerës së kredive të reja në krahasim me vitin paraprak për 3.8 për qind, megjithë faktin se në të njëjtën kohë, ka pasur edhe rritje të normës efektive të interesit në këto kredi të reja.

Reklama e sponzorizuar

Përderisa në vitin 2024 ka pasur normë prej 6.1 për qind, tash e njëjta ka arritur në 6.4%. Edhe të dhëna të tjera tregojnë futjen e kushtëzuar (si rrjedhojë e mospassjes së parasë së nevojshme) në borxhe të tjera të kosovarëve ndaj bankave. Më konkretisht, qytetarët e Kosovës në vitin e kaluar kanë shtuar ndieshëm edhe stoqet e kredive afatshkurtëra, të ashtuquajturat overdrafte. Stoku i këtyre kredive, sipas medieve, por edhe të dhënave të BQK-së, gjatë vitit 2025 arriti në 655 milionë euro, apo 11 për qind më shumë se në vitin paraprak. Pjesën dërmuese të kësaj vlere të borxheve e përbëjnë bizneset. Ato janë rritur në rreth 49 milionë apo sipas njohësve të fushës, 10 për qind më shumë se një vit më parë.

Ndërsa, borxhet e overdrafteve të ekonomive familjare janë 115 milionë euro, ose janë 18 milionë euro apo 19 për qind më shumë se vitin e kaluar. Ndërkohë, trendi i rritjes së borxhit aktualisht në banka është pesëfish më i madh se në vitin 2020. Dhe, po sipas të dhënave të BQK-së, në vitin 2023, bie fjala, u regjistruan 114 milionë euro më shumë kredi konsumuese se më 2022, që ishte rritje krahasuar me vitin paraprak diku rreth 23 për qind. Edhe në periudhën janar-qershor 2024, 87 mijë qytetarë kanë kërkuar kredi (shumica absolute e tyre ishte kredi konsumuese) nga bankat komerciale.

Me fjalë të tjera, në Kosovë është evident shtimi i vrullshëm i kredimarrjes. Ndërsa, motivi kryesor që i ka shtyrë kosovarët kaq shumë të marrin kredi konsumuese, sipas njohësve të zhvillimeve bankare, por edhe sipas pohimeve të shumë kredimarrësve, është mbijetesa (mbajtja e familjes, sigurimi i ushqimeve të domosdoshme dhe produkteve të tjera të nevojshme të konsumit dhe kthimi i borxheve, edhe sosh nga kreditë paraprake). Dhe, huamarrja kaq masovike edhe në vitin 2025 dhe suksesivisht në rritje në 5-6 vjetët e fundit, del të jetë tregues domethënës i gjendjes së rënduar financiare të qytetarve të Kosovës.

Ndërkohë, edhe më shqetësues është fakti se qëkur ka nisur të shtohet varfëria në Kosovë (që nga koha e COVID 19-shit dhe pas fillimit të luftës ruso-ukrainase), secili vit pasues tejkalon ndjeshëm vitin paraprak të huamarrjes së qytetarëve nga bankat komerciale dhe nga institucionet mikrofinanciare, që, praktikisht veprimtarinë kryesore dhe në shumë raste të vetmen, kanë dhënien e kredive me super kamata të shtrenjta, që në raste dijnë të tejkalojnë edhe interesat e fajdexhinjve. Në këtë mënyrë, del që kosovarët, sidomos ata të shtresave të varfëra dhe të mesme, që janë numerikisht të shumtë – mbijetesën (mbajtjen e familjes, sigurimin e ushqimeve të domosdoshme dhe produkteve të tjera të nevojshme të konsumit) e kanë siguruar, ose e kanë ndihmuar nga huamarrja në banka.

Sipas vrojtuesve të vëmendshëm, rritjen e kredive të të gjitha llojeve, dhe sidomos të atyre konsumuese në Kosovë nuk arritën ta parandalojnë as kamatat shumë të larta për kredi, që janë absolutisht ndër më të lartat në rajon dhe në Europë. Kosovarët e lodhur financiarisht gjithnjë e më shumë, nuk pyesin për kamata të larta, as për të nesërmen e tyre se çka do të bëhet me obligimet e reja kreditore. Ata e mendojnë ‘hë për hë’ vetëm sigurimin e parave të domosdoshme për të siguruar bukën për familjarët dhe fëmijët e tyre. Prandaj, sipas njohësve të rrethanave, është kaq e lartë huamarrja në Kosovë në këto vite, dhe në vitin 2025.

Duhet përsëritur se kreditë familjare, ose sosh konsumuese, sidomos te institucionet mikrofinanciare, të shquara në Kosovë për kamata të larta enorme, ose që barazohen me interesat e fajdexhinjëve illegalë në raste jo të pakta, e kërkojnë shtresa më e varfër e qytetarëve të këtij vendi. E kërkojnë ata që nuk kanë rrugëdalje tjetër për ta siguruar në të shumtën ushqimin e domosdoshëm brenda një muaji dhe të detyruar nga kriza financiare dhe kërkesat e familjes për t’u ushqyer, detyrohen (siç u tha më lartë) të paraqiten te institucionet mikrofinanciare. Dhe në bazë të këtyre të dhënave të BQK-së, të tillët janë shtuar shumë dhe numri i tyre është bërë tronditës, shqetësues dhe frikësues.

Një informacion i dalë nga BQK-ja, më saktësisht nga një raport i kupolës bankare në Kosovë për muajin korrik 2023, duke njoftuar për rritjen e kredive nga mikrofinancat, saktësonte se 63 për qind e këtyre kredive janë për ekonomitë familjare. Kjo shifër në përqindje e kredive për ekonomitë familjare është edhe një tregues plus, që tregon fare qartë se Kosova po varfërohet me ritëm të përshpejtuar dhe se trendi i thellimit të vobektësisë së popullsisë shumicë vetëm sa thellohet dhe tashmë ka prekur shumë shtresa të kosovarëve, pos pensionistëve edhe njerëzve të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. Prandaj Kosova ka gjithë këta kredimarrës, të cilët futen borxh nga zori dhe pa e llogaritur fatin e këtij borxhi, që do thotë mundësinë e kthimit të anuiteteve ose ratave kreditore ndaj bankave kredidhënëse. /Buletini Ekonomik/