Luhatjet e vazhdueshme të çmimeve në bursat ndërkombëtare kanë filluar të reflektohen edhe në pikat e karburantit në vend, duke krijuar pasiguri për çmimet dhe shqetësim te qytetarët. Ndërkohë, institucionet kanë vendosur kufij për çmimet maksimale, derisa naftëtarët paralajmërojnë se çdo zhvillim i ri në konflikt mund të ndikojë menjëherë në treg.
Madje, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, paralajmëroi se nga sot çmimi maksimal ne treg bazuar në vendimin në fuqi për marzhën e fitimit nuk mund të kaloj më shumë se 1.54 për një litër naftë dhe 1.36 për një litër benzinë.
“Derisa çmimet në bursën ndërkombëtare po ndryshojnë vazhdimisht, në Kosovë çmimi për një litër naftë sillet nga 1.44 deri në 1.60″.
Nga Shoqata e Naftëtarëve thonë se çmimi po lëviz vazhdimisht dhe se kjo po varet direkt nga Shqipëria që është importuesja kryesore e derivateve për Kosovën, derisa kanë kritikuar vendimin e Kusarit.
“Ministresha kur e ka lëshu këtë vendim e ka lëshu prej Australisë, nuk u konsultu me neve aspak përndryshe gjithqysh që pjesë e saj duhet me qenë edhe Shoqata e Naftëtarëve, sa i përket vendimit është i gabuar, dihet që është një krizë globale, nuk është vetëm në Kosovë, por është luftë, për atë çdo ditë po ka rënie ose rritje ekstreme të madhe në BERZH. Dihet se na importojmë prej Shqipërisë, Porto Romanës, shumica, krejt pothuajse, pasi këto çmime janë ekstrem në tërë globin po reflekton edhe në Shqipëri, në mënyrë automatike, ata nuk japin derivate të naftës pa limit”, tha Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Për çmimet ankohen qytetarët, pasi sipas tyre, pagat në Kosovë nuk janë për këto çmime.
“Pak e vështirë është por duhet masi është situata qashtu, po duhet me përballu amo ma pak me vozitë, ma pak me dal, ma pak duhet se vështirë është me ia dal”, tha një qytetar.
“Për pagat që i marrin në Kosovë e vështirë është po për mu s’është problem se e kom një biznes, a për qytetarët problem valla, rrogat 400-500 euro një rrogë çka me bo”, pohoi tjetri qytetar
Sipas raportimeve, nëse përshkallëzimi i konfliktit në rajon vazhdon dhe transporti i naftës në Gjirin Persik pengohet më tej, çmimi i naftës mund të rritet edhe më shumë gjatë javëve në vijim, duke ndikuar në inflacion dhe koston e energjisë në shumë vende të botës.











