Banesat në Prishtinë me çmimet më të ulëta në rajon dhe Europë, por shumë të shtrenjta për kosovarët

Gjithnjë e më shumë shtrohet pyetja se kush do t’i blejë banesat e reja në Prishtinë me çmimet aktuale ose të ngritura më 2026. Kjo është çështja dhe ky është problemi me të cilin do të sfidohen ndërtimtarët e Kosovës.

Buletini Ekonomik

Banesat në Prishtinë, janë shumë të shtrenjta për kosovarët e varfër, me fuqi blerëse të rënë për tokë, sado që krahasuar me çmimin e metrit katror në shumë metropole të Europës, çmimi është disa herë më i lirë. Çmimet e banesave në Prishtinë, por edhe në Kosovë përgjithësisht, janë praktikisht më të ulëtat në Europë dhe në rajon, sado vitet e fundit kanë ndodhur rritje të ndjeshme të vazhdueshme të çmimeve. Më konkretisht, sot e kësaj dite, në Prishtinë akoma çmimet e banesave dhe të paluajtshmërive mbeten dukshëm më të ulëta krahasuar me shumicën e kryeqyteteve europiane. Çmimet e banesave në Prishtinë janë edhe më të ulëta se sa në Tiranë.

Reklama e sponzorizuar

Çmimet në periferi të kryeqytetit të Kosovës sillen përafërsisht rreth 1,400 euro për metër katror, teksa në afërsi të qendrës në mbi 2 mijë e 5-6 qind euro. Sot, një metër katror në lagjen Mati-1 një nga zonat më të kërkuara të Prishtinëes edhe për shkak të çmimeve të banesave, metri katror kushton 1,100 -1,400 euro. Ndërkohë, në Tiranë, çmimi mesatar për një metër katror në në afërsi të qendrës së qytetit llogaritet rreth 2,535 euro. Te Zona e Bllokut, lagjja elitare tiranase, çmimi i një metri katror të banesave të reja, ka kushtuar edhe 4 e 5 mijë euro.

Në të dyja shtetet shqiptare, qytetarët, por edhe njohësit e tregut të paluajtshmërive thonë se këto çmime për blerësin shqiptar janë të larta. Në Prishtinë, madje, blerja e një banese për shtresat e mesme, thuaja është bërë e pamundshme. Ndërsa, varfanjakët as që mund të “ëndërrojnë” ta blejnë ndonjëherë edhe me këto çmime ndonjë banesë. Mirëpo, kur krahasohet me kryeqytetet europiane sipas të dhënave nga Global Property Guide, Prishtina, sidomos, por edhe Tirana, mbeten me çmime ndjeshëm më të ulëta të banesave.

Në qytete si Berlini, Milano dhe Madridi, çmimet për metër katror sillen nga 5,300 deri në 5,700 euro, ndërsa në qytete si Amsterdami dhe Oslo ato kalojnë 9,000 euro. Parisi arrin 9,678 euro për metër katror, Londra 8,466 euro, ndërsa Zyrihu dhe Luksemburgu renditen ndër më të shtrenjtat me mbi 18,000 dhe 11,000 euro për metër katror.

Edhe disa nga kryeqytetet e Ballkanit mbeten më të shtrenjta se sa Prishtina dhe Tirana. Në Sofje, një metër katror i një banese ka koston e 2,310 eurove, ndërsa në Beograd 3,341 euro. Zagrebi, Beogradi apo Sofje kanë çmime të banesave që në disa raste afrohen me Tiranën ose e kalojnë lehtë atë, por krahasuar me Prishtinën janë ndjeshëm më të shtrenjta.

Ndërtimtarët kosovarë edhe më tutje vazhdojnë të paralajmërojnë ngritje çmimesh edhe për vitin 2026.

“Nuk do të ketë zbritje të çmimit për ndërtesa, por do të ketë vetëm rritje të çmimit, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në Kosovë. Poashtu edhe çmimet e materialeve janë në ngritje e sipër, e poashtu edhe tokat që ne i marrim me koncesion ose përqindje – edhe aty ka rritje të çmimeve. Janë këto dy a tre faktorë që na shtyjnë rreth ngritjes së çmimeve”, tha kohë më parë për medien një zyrtar i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës.

Por, gjithnjë e më shumë shtrohet pyetja se kush do t’i blejë banesat e reja me çmime të ngritura më 2026. Kjo është çështja dhe ky është problemi me të cilin do të sfidohen ndërtimtarët e Kosovës. Ata, afarojnë suksesshëm, ose të kundërtën ekskluzivisht nga tregtimi i ndërtimeve të tyre. Ndërsa është fakt që tashmë ka nisur rënia e shitblerjeve të vrullshme të banesave në mbarë vendin. /Buletini Ekonomik/