7 milionë euro vetëm për sheshin “Xhorxh Bush”: Si do të shpenzohet buxheti i Prishtinës në vitin 2026

Qeverisja e Përparim Ramës në Prishtinë ka planifikuar një buxhet të koncentruar në investimet infrastrukturore dhe shërbimet publike për vitin 2026. Një pjesë të konsiderueshme të fondeve e ka orientuar drejt projekteve kapitale dhe funksionimit administrativ.

Sipas ndarjes buxhetore, vetëm Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave pritet të administrojë mbi 30.5 milionë euro.

Investimi më i madh është paraparë për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush”, për të cilin janë ndarë 7 milionë euro. Ky projekt pritet të jetë ndër ndërhyrjet më të mëdha urbane të vitit, bazuar në tabelën e ndarjeve buxhetore.

Reklama e sponzorizuar

Në të njëjtën linjë zhvillimore, buxheti parasheh edhe 2.1 milionë euro për ndërtimin e ishullit urban në aksin Arbëri, Pallati i Rinisë, si dhe 1 milion euro për vazhdimin e ndërtimit të kolektorit në Kalabri.

Rrugët dhe infrastruktura funksionale marrin vetëm një pjesë të vogël të buxhetit, pavarësisht se mirëmbajtja sezonale e rrugëve dhe kanalizimeve është planifikuar me 1.1 milion euro.

Ndërsa nënkalimi “Agim Ramadani” me ndarje prej 1.6 milionë euro dhe rruga Sofali–Kolovicë me 1 milionë euro zënë fondet kryesore për projekte rrugore.

2 milionë euro të planifikuara për blerjen e autobusëve të trafikut urban, ndërsa 1 milion euro janë ndarë për vendosjen e kiosqeve dhe toaleteve publike në qytet.

200 mijë euro janë paraparë për ndërtimin e memorialit kushtuar Adem Jasharit.

Në sektorin e arsimit, 1.8 milionë euro janë parashikuar për ushqim dhe pilotimin e mësimit tërëditor.

Në kohën kur shumica e komunikimeve janë digjitale dhe mobile, nga buxheti i Prishtinës janë parashikuar 70 mijë euro vetëm për telefoni fikse.

Ndërkohë, Drejtoria e Administratës Komunale ka një buxhet prej 4.48 milionë euro për shpenzime operative, ku mjetet janë përqendruar mes shpenzimeve praktike dhe luksit.

Për shembull, vetëm 30 mijë euro janë planifikuar për tepihë, tepisonë dhe perde në objektet komunale, ndërsa udhëtimet dhe drekat e darkat zyrtare marrin fonde të konsiderueshme prej 30 mijë euro për ato brenda vendit e për udhëtimet zyrtare janë planifikuar gjithsej 35 mijë.

Buxheti i komunës së Prishtinës është miratuar më 20.02.2026 në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, në Asamblenë e Prishtinës buxheti për këtë vit arriti të miratohej më 06.02.2026.

Për vitin 2026,  buxheti i kryeqytetit është paraparë të jetë gjithsej 151 milionë euro.