Vonesat për nisjen e aktiviteteve për rehabilitimin e tërësishëm të A3-shit, janë evidente dhe tani për tani nuk është fortë e qartë se kur do të fillojë rindërtimi i këtij blloku. Tani e sa muaj, është heshtur fare nga zyrtarët projekti i paralajmëruar për rindërtimin dhe modernizimin e bllokut A3 të termocentraleve Kosova A.
Mehmet GJATA
Kaherë ekspertët e KEK-ut, ata të vërtetit dhe të diturit, kanë konstatuar të prerë dhe kategorikë, se termocentralet Kosova A duhet ose të mbyllen fare, ose të rindërtohen. S’ka asnjë alternativë tjetër. Megjithkëtë, praktikisht, sado që kanë kaluar mbi 26 vjet qëkur është çliruar Kosova, “fati” i mëtejshëm i këtij kapaciteti elektroenergjetik të stërvjetruar tashmë nuk është i qartësuar tërësisht.
Termocentrali Kosova A, mbetet goxha i rrezikshëm për 700 punëtorët e angazhuar aty, por akoma tepër i nevojshëm për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit dhe për përmbushjen e mbi një të tretës së nevojave të konsumit kosovar për rrymë. Dihet, Kosova A, tri blloqet (A3, A4 dhe A5, të lëshuara në prodhim që më 1970, 1974 dhe 1975), edhe kështu si janë, në një gjendje të mjerueshme nga vjetërsia e tyre dhe larg çdo standardi, sipas ligjeve në fuqi, për prodhimin e energjisë nga termocentralet, janë më se të nevojshme për KEK-un dhe mbarë Kosovën për të kompenzuar mungesat e rrymës, sepse Kosova A (blloqet A3, A4 dhe A5) akoma prodhojnë 30 -35 për qind të energjië elektrike të vendit.
Ndërkohë, në KEK dhe në dikasteret qeveritare që kanë kompetencë zhvillimet në energjetikën e vendit, përkundër këtyre konstatimeve të ekspertëve të mbështetura në fakte, pati ndër vite dilema, luhatje dhe paqëndrueshmëri të shumta rreth një vendimi që do të përcaktonte fatin e tre blloqeve të Kosovës A. Pastaj, edhe vizionet dhe idetë rreth të ardhmes së këtij termocentrali, në KEK dhe te Qeveria, në këto vite nuk e kanë pasur shumë të qartë se çka do të bëhet me Kosovën A: herë është vijëzuar në planet zhvillimore të Korporatës Energjetike të Kosovës parashikimi për rindërtim të tërësishëm të tre blloqeve, herë dy blloqeve dhe herë të një blloku. Dhe, më në fund, është pranuar mendimi i ekspertëve se mbyllja nuk është opsioni më i mirë, sidomos në rrethanat e tanishme kur po shihen ecuritë energjetike kudo në Evropë, dhe kur në vend ndihet mungesë e ndjeshme e energjisë elektrike, sidomos gjatë sezonit dimëror, kur rëndom rritet drastikisht shpenzimi i rrymës dhe kur konsumi jonë krijon varshmëri reale nga importi me çmime stratosferike.
Mbylljen e tërësishme të Kosovës A, më në fund nuk e shohin si zgjidhje edhe autoritetet e vendit. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, dikasterit më përgjegjës dhe më kompetent për zhvillimin energjetik të vendit, Artane Rizvanolli, gjatë vitit 2024, por dhe më 2025 kishte parashikuar rehabilitimin e thellë për rritjen e besueshmërisë, kapacitetit dhe jetëgjatësisë të dy njësive të Kosovës A, më saktësisht të bllokut A3 dhe A5. Ky parashikim tashmë ka figuruar edhe në disa dokumente zhvillimore të sektorit energjetik. Ministrja atëherë në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në shumë raste, madje në fillim të prillit 2024 në një emision të televizionit publik, publikisht ka deklaruar se, “investim tjetër i madh do të bëhet edhe në rehabilitimin e thellë të dy njësive të termocentralit Kosova A, më saktësisht të njësive A3 dhe A5”.
Sipas paralajmërimit të ministres Rizvanolli, rehabilitimi i thellë i këtyre dy blloqeve të Kosovës A do të rritë kapacitetin e tyre nga 120 megavatë-orë sa e kanë aktualisht, përafërsisht në 215 megavatë-orë. Ose në A3 dhe në A5-sh, kapaciteti pas rehabilitimit do të rritet diku rreth 170 megavatë-orë, 2 herë nga 85 megavatë. Kjo do të thotë, siç kishte deklaruar Rizvanolli, se kur të përfundojnë këto investime, blloqet A3 dhe A5 do të kenë kapacitete rreth 210 megavatësh, që i bie të prodhojnë gati sa njëri bllok i Kosovës B aktualisht.
Ministrja në fillim të prillit thuaja e shpalli publikisht si fakt të kryer rehabilitimin e thellë të dy blloqeve të termocentraleve Kosova A, duke njoftuar se tenderi për rehabilitimin e këtyre njësive është shpallur që në janar dhe tashmë janë duke u pritur ofertat për parakualifikim. Por, pas këtij paralajmërimi publik, çështja e rehabilitimit të thellë të dy njësive të termocentraleve të Kosovës A (A3 dhe A5), u hesht edhe në institucionet aktuale në detyrë, edhe nga zyrtarët e KEK-ut, ndërsa ministrja Rizvanolli më nuk u mor, së paku publikisht, me këtë investim të paralajmëruar. Sipas ministres së Ekonomisë, atëherë në detyrë, Artane Rizvanollit, me investimin që po planifikohet dhe realizohet, blloku A3 do të vazhdojë të shërbejë edhe për së paku 20 vite të tjera, me një investim mbi 137 milionë euro nga mjetet vetanake të KEK-ut, dhe do të sjellë përfitime të shumëfishta.
“Do të prodhojë më shumë: 215 megavat bruto, nga vetëm 130-140 sa ka aktualisht, do të punojë më gjatë: nga 5,400 orë operimi në vit, në 7,700 orë operimi në vit, do të djegë më pak qymyr: nga 1,6 tonë thëngjill aktualisht, në 1,15 tonë dhe do të ndotë më pak: duke përmbushur standardet mjedisore të BE-së”- citohet të ketë deklaruar Rizvanolli.
Por, vonesat për nisjen e aktiviteteve për rehabilitimin e tërësishëm të A3-shit, janë evidente dhe tani për tani nuk është fortë e qartë se kur do të fillojë rindërtimi i këtij blloku. Tani, në situatën e mungesës së gjatë të institucioneve të shtetit thuaja, tash e sa muaj, është heshtur fare nga zyrtarët kjo çështje.
Sidoqoftë, dihet se KEK, që në korrik të 2025-tës ka bërë hapjen e ofertave zyrtare të aplikimeve të operatorëve ekonomikë në fazën parakualifikuese për projektin “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në TC Kosova A”. Përmes një komunikate, Ministria e Ekonomisë kishte bërë të ditur se për këtë tender kanë aplikuar pesë kompani/konsorciume vendore e ndërkombëtare. Konsorciumet/kompanitë e përbëra nga ndërkombëtarë e vendorë, siç thuhej në komunikatë, janë: “SBB Energy S.A; Intering SH.PK, EthosEnergy”, “LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S”, “GOLDEN CONCORD GROUP LIMITED”, “KEPCO Plant Service Engineering Co.LTD, DYPNF Co., Ltd, BHI CO, Ltd” dhe “HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited”.
“Kjo dëshmon që sot po përmbyllim një garë serioze me një numër të mjaftueshëm të aplikantëve për të vazhduar në fazën e radhës”, thuhej në komunikatën e ministrisë.
Në ndërkohë, Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka marrë Vendim pozitiv nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për Projektin e rehabilitimit dhe modernizimit të Njësisë A3 të Termocentralit Kosova A – Projekt ky që parashihet të ketë vlerë prej 137 milion eurove pas pezullimit të përkohshëm si rrjedhojë e një ankese së palës ankuese pas hapjes së ofertave zyrtare të aplikimeve të operatorëve ekonomikë në fazën parakualifikuese në korrik të 2025-tës, duke e bërë të mundshëm vazhdimin e procedurës dhe duke konfirmuar ligjshmërinë e veprimeve të KEK-ut. Dhe, në këtë ritëm, në korrik është hapja zyrtare e aplikimeve të Operatorëve Ekonomik në platformën E-prokurimi për projektin, të vlerësuar nga KEK-u si kapital: “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A”.
Duhet përkujtuar se me rastin e pezullimit të tenderit për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në Kosova A, me vlerë rreth 137 milionë euro, pati reagime, edhe kritika nga zyrtarë të opozitës dhe njohës të zhvillimeve në KEK. Deputetja e LDK, Hykmete Bajrami, kishte thënë me këtë rast se “pezullimi i këtij tenderi është bërë një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e ofertave”. Ajo, madje nëpërmjet një reagimi të bërë publik në medie, kishte thënë se “tenderi në fjalë ka ngritur dyshime për muaj me radhë dhe se i njëjti, është zhvilluar në mënyrë të dyshimtë’’.
Deputetja e LDK-së, ka përmendur mungesën e transparences në këtë tender, duke shtuar se “tenderi u hap pa studim fizibiliteti dhe pa përshkrim teknik, duke lënë të paqartë se çfarë punësh kërkohen nga operatori ekonomik”. Po ashtu, ajo ka shtruar edhe disa pyetje lidhur me këtë çështje, duke shkruar: “Pse u pezullua në momentin e fundit, kur procesi duhej të përfundonte?; 2. Po thuhet se dikush u ankua. Kush u ankua? Ku u ankua?; Me çfarë procedure ankohesh dhe ku ankohesh një ditë para kalimit të afatit për dorëzimin e ofertave?; Asnjë procedurë ankese nuk ishte paraparë në këtë kohë.”
Bajrami duke shkruar për “dyshimet e forta për muaj me ardhë” rreth këtij tenderi ka numruar edhe disa fakte: – Mungesë transparence: Tenderi u hap pa studim fizibiliteti dhe pa përshkrim teknik, duke lënë të paqartë se çfarë punësh kërkohen nga operatori ekonomik. – Procedura të manipuluara: Procesi u korrigjua dhe afatet u shtynë disa herë, duke krijuar hapësirë për dyshime. – Tender i hapur me negociata: Në njoftim thuhej se KEK do të pranonte vetëm gjashtë ofertues dhe mandej do të negocionte se kujt të ja japë tenderin , për më tepër nuk ishin paraparë penalizime për mosrealizim të punimeve.” Hykmete Bajrami në fund kishte thënë se blloku A3, që sipas KEK-ut prodhon rreth 10% të kërkesës së energjisë në Kosovë, e “bënë tenderin jetik për sigurinë energjetike të vendit”.
Ndërsa deputeti Besian Mustafa, po nga radhët e LDK-së, përmes një reagimi në rrjetet sociale, kishte thënë se “ka mbi dy vjet që ekspertët në KEK kanë kërkuar një remont kapital urgjent për Bllokun A3, por kjo është refuzuar. Blloku është lënë të funksionojë në kushte të rrezikshme dhe të degraduara”. Sipas tij, vetëm në janar të 2025-tës, KEK ka shpallur një tender një burimor në vlerë prej 137 milionë euro, dhe atë “pa asnjë studim teknik dhe pa specifikuar qartë se çfarë duhet të riparohet”.
Më pastaj, faza e radhës pas hapjes së ofertave zyrtare të aplikimeve të operatorëve ekonomikë në fazën parakualifikuese për projektin “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në TC Kosova A” dhe njoftimit se kanë konkurruar pesë kompani/konsorciume vendore e ndërkombëtare, ka qenë në nëntor të 2025-tës përzgjedhja e tri kompanive që kanë mbetur konkurrente për të finalizuar reahabilitimin e detajuar të A3-shit. Sipas njoftimeve, konsorciumet që janë përzgjedhur nga KEK për fazën tjetër (negociata) në tenderin për rehabilitimin dhe modernizimin e bllokut A3 të TC “Kosova A” janë: LIMAK INŞAAT SANAYI ve TICARET A.Ş. KEPCO Plant Service & Engineering Co., Ltd. (në konsorcium me DYPNF Co., Ltd.) SBB Energy S.A. (në konsorcium me Intering SH.P.K dhe EthosEnergy). Dhe, edhe pse tashmë ka kaluar saktësisht më shumë se një vit që nga shpallja e tenderit për rehabilitim të tërësishëm të A3-shit, dhe disa muaj pas publikimit të emrave të konsorciumeve të përzgjedhura nga KEK për fazën tjetër (negociata) në tenderin për rehabilitimin dhe modernizimin e bllokut A3 të TC “Kosova A” , opinioni aktualisht nuk di se çfarë është duke ndodhur me këtë projekt. Nuk di pse po zvarritet përzgjedhja definitive e një punëkryesi. Nuk është bërë edhe ndonjë sqarim më i detajuar për ‘biografitë” e 3 të përzgjedhurve deri në këtë fazë. Praktikisht, kanë mbetur shumë të panjohura rreth këtij investimi, i vlerësuar si tejet i rëndësishëm dhe domethënës në sektorin elektroenergjetik të vendit.
Nuk dihet, pra, kur do të përcaktohet fituesi final i tenderit për rehabilitim të këtij blloku, nuk dihet kur do të fillojë ky rehabilitim, sikundër që është e panjohur edhe se si do të sigurohen mjetet e nevojshme për rehabilitimin e thellë të A3-shit. Me fjalë të tjera, dyshohet se edhe ky projekt do të mbetet vetëm një vizion i mirë i autoriteteve, ndoshta i ‘ëndrruar” për t’u kryer ndonjëherë, siç kanë mbetur tash edhe një numër i madh projektesh rehabilituese dhe sosh të ndërtimit të ri të kapaciteteve energjetike në Kosovë. /Buletini Ekonomik/











