Arsyetime të paqëndrueshme të ARRU-së rreth çmimit enorm të ngitur të ujit në Kosovë

Nga 1 janari 2026, Kosova ka çmimin 91 centë për një metër kub ujë të pijshëm, që është absolutisht më i larti në Ballkanin Perëndimor. Ndikimi i çmimit të ngritur të ujit në inflacionin 6 për qind në Kosovë (edhe ky nivel ndër më të lartit në Europë dhe në Ballkan) në muajin shkurt ka qenë 33,4 për qind.

Mehmet GJATA

Zyrtarja e Autoritet Rregullator të Ujit në Kosovë, Hajrije Morina, të mërkurën (18 mars 2026), duke bërë përpjekje për të arsyetuar me çdo kusht ngritjen e çmimit të ujit në Kosovë për 42 për qind, që është absolutisht çmimi më i lartë i ujit në Ballkanin Perëndimor, deklaroi se rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e faturave të ujit në vend.

Reklama e sponzorizuar

“Rritje të tarifave ka pasur në përgjithësi në të gjitha ndërmarrjet e ujësjellësit, jo vetëm për KRU ‘Prishtina’ dhe rritja e tarifave për shërbimet e ujësjellësit ka qenë prej 34 deri në 42 për qind varësisht prej ndërmarrjes së ujësjellësit. Rritja e tarifave kryesisht ka përkuar me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duhet pasur parasysh që të gjitha bizneset dhe kompanitë që shpenzojnë sasi të madhe të rrymës, kanë qenë të detyruara të dalin në treg të lirë. Pra për shkak të rritjes së madhe të çmimit të rrymës është dashur të rritet edhe tarifa e ujit, sepse shpenzimet e rrymës përbëjnë një kosto shumë të madhe në shpenzimet operative të ndërmarrjeve të ujësjellësit”, ka thënë Morina për KTV-në.

Sipas saj, ndërmarrjet e ujësjellësit janë përballur me kosto të larta operative për shkak të energjisë, e cila përbën një nga shpenzimet kryesore në funksionimin e tyre dhe ka shtuar se “pa rritjen e çmimit të ujit, ndërmarrjet do ta kishin të vështirë të përballonin shpenzimet e shkaktuara nga energjia elektrike. Por zyrtarja e ARRU-së, që me aq ngulmë publikisht mbronte dhe arsyetonte ngritjen enorme të çmimit të ujit në Kosovë rej 42 për qind, ngritje e përnjëhershme e paparë në ndonjë vend të rajonit dhe më gjërë, në asnjë rast nuk e theksoi se pas 1 janarit 2026 Kosova ka çmimin më të lartë të ujit të pijshëm në Ballkanin Perëndimor. Ajo nuk u kujtua që t’ia përkujtojë publikut se nga 1 janari i 2026-tës, Kosova rangohet para Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për sa i përket çmimit të ujit të pijshëm.

Më saktësisht, që nga dita e parë e janarit të sivjetshëm, banorët e Prishtinës paguajnë për një metër kub ujë të pijshëm dhe për çmimin e trajtimit të ujërave (lexo kanalizimit) 91 centë. Përafërsisht, ky çmim vlenë edhe tek ujësjellësit e qendrave të tjera komunale. Më saktësisht, tani banorët e Prishtinës paguajnë për një metër kub ujë të pijshëm dhe për çmimin e trajtimit të ujërave (lexo kanalizimit) 91 centë (euro cent), ose për një metër kub ujë të pijshëm 63 centë, plus çmimin e trajtimit të ujërave (kanalizimit) 28 centë, që bashkarisht bëjnë 91 centë. Para rritjes së çmimit, në Prishtinë një metër kub ujë i pijshëm së bashku me çmimin e trajtimit të ujërave (kanalizimit) ka kushtuar 40 për qind më pak.

Konsumi i ujit të pijshëm dhe çmimi i trajtimit të ujërave (kanalizimit) paguhen bashkarisht në një faturim të përbashkët. Ky çmim do të jetë thuaja i papërballueshëm për një numër familjesh të varfëra, dhe sosh që kanë numër mesatar anëtarësh (4-5 anërtarë), sipas standardeve që në Kosovë vlerësohet një familje mesatare kosovare. Po qe se një familje mesatare konsumon brenda një muaji mbi 20 metra kub ujë, i bie që duhet ta paguaj faturën së paku rreth 20 euro. Çmimi prej 91 centësh për një metër kub ujë të pijshëm dhe trajtim ujërash (kanalizim) është kosto në stratosferë, jashtë logjikës ekonomike, afariste dhe sociale. Çmimi prej 91 centësh është rekord ndër të gjtha shtetet e Ballkanit Perëndimor: Në Shqipëri një metër kub i ujit të pijshëm bashkë me çmimin e trajtimit të ujërave kushton 72 centë, ose metri kub i ujit e ka çmimin 62 centë dhe një metër kub i ujit të kanalizimit 11 centë. Në Serbi, mesatarja e çmimit të ujit dhe kanalizimit bashkarisht është rreth 48 centë, ose afër dyfish më i ulët se çmimi i ujit në Kosovë. Në Mal të Zi, më saktësisht në kryetqytetin e këtij vendi, në Podgoricë, çmimi i një metri kub ujë të pijshëm, plus i kanalizimit bashkarisht, është 60 centë (40 për ujë dhe 20 për kanalizim), në Maqedoninë e Veriut, në Shkup, po kështu në kryeqytetin e këtij vendi, çmimi i përafërt i ujit të pijshëm sillet nga 28 deri në 35 centë plus çmimi i kanalizimit që është 10 deri në 15 centë për një metër kub.

Rritja e çmimit të ujit e gjen Kosovën si shtetin me të ardhurat më të ulëta për frymë në Evropë, sipas të dhënave më të fundit për vitin 2025, të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Me vetëm 8,033 dollarë për frymë, Kosova mbetet në fund të renditjes europiane, duke reflektuar një nivel të ulët prodhimi ekonomik dhe një standard jetese dukshëm më të dobët krahasuar me vendet e rajonit – por, me çmime rekorde të ujit të pijshëm në rajon.

Duhet thënë se ngritja e çmimit të ujit për 42 për qind në Prishtinë dhe përafërsisht kjo ngritje ka ndodhur edhe nga ujësjellës të qendrave të tjera komunale, ëhtë bërë pa asnjë paralajmërin paraprak dhe pa asnjë arsye të qëndrueshme për këtë ngritje enorme çmimi. Dhe, në fund fare: askush nuk e mohon se në rritjen e tarifave për ujin e pijshëm ka pasur një ndikim ngritja e çmimit të energjisë elektrike. Por, çmimi i energjisë elektrike, dihet se gjatë vitit 2025 është ngritur 17 për qind, ndërsa për konsumatorët e kategorisë së furnizimit obligativ nga tregu i lirë i energjisë elektrike, në asnjë rast nuk është ngritur çmimi i energjisë elektrike 42 për qind, as 40 për qind, madje as 30 për qind.

Ndërsa, zyrtares së ARRU-së po ia përkujtojmë ndikimet e çmimit të ngritur të ujit në çregullimin social si rrjedhojë e drejtëpërdrejt e çmimit rekord të ujit në Kosovë, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor: Sipas ASK-së, “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6 për qind në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt 2025. Ndërsa, inflacioni vjetor sipas ASK-së kryesisht është shpjeguar pos me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë, edhe me furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (33,4 %);. Saktësisht, ndikimi i çmimit të ngritur të ujit në inflacionin 6 për qind në Kosovë (edhe ky nivel ndër më të lartit në Europë dhe në Ballkan) në muajin shkurt ka qenë 33,4 për qind. Në fund fare, rreth deklarimit të zyrtares së ARRU-së se “përcaktimi i tarifave bëhet në bazë të kërkesave të vetë ndërmarrjeve dhe nevojës për të mbuluar kostot operative”, duhet përkujtuar asaj se ARRU, është krijuar nga Kuvendi i Kosovës në radhë të parë për të siguruar furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe asesi jo për të miratuar lehtësisht, për të mos thënë ‘symbylltazi” kërkesat e ndërmarrjeve të ujit për çmime enorme dhe pa asnjë logjikë afariste dhe tregu. /Buletini Ekonomik/