Sistemi i brishtë arsimor dhe ai shëndetësor, mungesa e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe pagat e ulëta janë ndër arsyet kryesore që qindra mijëra të rinj nga Kosova të kërkojnë një jetë përtej kufijve të vendit të lindjes.
Mirjeta Shabani
Një vizitë 18-ditëshe tek vëllai në Gjermani, duket se ia ka përmbysur ëndrrat për një jetesë të dinjitetshme në Kosovë, Arbrit 19 vjeçar. I riu nga Podujeva, tash në vitin e dytë të studimeve në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, po e mendon me gjithë mend largimin nga vendlindja.
Në Kosovë, Arbri e ndan kohën mes studimeve dhe punës si kamarier në një lokal në Prishtinë. Ai zgjohet herët, ndjek ligjëratat në fakultet kohë pas kohe, e më pas shkon në ndërrimin e pasdites që zgjat deri në mesnatë. Në fund të muajit, merr pagën në dorë megjithëse ka një kontratë të përkohshme, por pa sigurim shëndetësor dhe pa asnjë të drejtë tjetër ligjore, duke përfshirë mos-pagimin e tatimeve dhe kontributeve pensionale.
“Puna s’është e keqe, por kur e sheh që nuk ka përparim, as motiv nuk ki,” thotë ai, me një ton që përzien lodhjen me zhgënjimin.
Në shtator, gjatë pushimeve verore, Arbri udhëtoi për 18 ditë në Gjermani për të parë vëllanë e tij të madh, Albanin*, që jeton atje prej afro pesë vjetësh. Gjatë qëndrimit, përpos vizitave nëpër disa qytete turistike andej pari, vëllai e mori me vete për të punuar dy të shtuna në një projekt me panele solare, të cilin e kishte marrë për ta kryer si punë private. Për vetëm dy ditë punë, Arbri fitoi sa një muaj të tërë pune në Kosovë.
“Nuk m’u ka besu. Dy ditë, dhe qaq pare – që këtu s’muj me i ba me 30 ditë”, tregon si me nënqeshje ai.


Disa prej vendpunimeve ku ka punuar Arbri dy ditë vikendi në Gjermani, bashkë me vëllai
Sipas të dhënave që dalin nga një raport i Institutit për Studime të Avancuara – GAP (2025), rreth 48% e të rinjve të punësuar në sektorin e shërbimeve në Kosovë punojnë pa kontratë, dhe shumica prej tyre nuk kanë sigurim shëndetësor ose përfitime të tjera ligjore.
E përjetimi i Arbrit nuk është rast i izoluar. Ai është pjesë e një tabloje shumë më të gjerë ekonomike që po e përjeton i gjithë vendi. Shifrat tregojnë se, pavarësisht rritjeve të vogla në paga, ekonomia ende nuk ofron mundësi të mjaftueshme për të rinjtë, duke i shtyrë ata të kërkojnë jetë më të mirë jashtë vendit.
Historia e së djeshmes, histori e së sotmes
Në Kosovë, paga mesatare bruto në sektorin privat gjatë vitit 2024 ishte 598 euro, ndërsa ajo neto 513 euro – një rritje e lehtë krahasuar me vitin 2023, kur paga mesatare neto ishte 459 euro. Megjithatë, rritja mbetet modeste në raport me koston e jetesës, e cila është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.
Pagat më të larta në Kosovë më 2024, siç ka raportuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ishin në sektorin e ndërmarrjeve publike, ndërsa me pagat më të ulëta renditej sektori privat, veçanërisht sektori i akomodimit dhe i gastronomisë (389 euro).
Albani, që sot jeton e punon në Gjermani, i kishte kaluar të gjitha fazat që tani po i përjeton i vëllai në Kosovë. Ai, në vitin 2019, kishte përfunduar studimet në Fakultetin Teknik në Prishtinë, në drejtimin Energji e Ripërtëritshme – një fushë që në Kosovë flitet shumë për të, por që ende nuk ka gjetur zbatim të gjerë praktik.


Disa prej paneleve solare të instaluara nga Albani në Gjermani
Pas studimeve, Albani kishte gjetur vetëm një vend pune në një kompani që merrej me instalime solare, ku paguhej jo më shumë se 280 euro në muaj. Pas 3 muajsh, e kishte lënë punën aty dhe ishte punësuar si kamarier në një restorant, me një pagë prej 450 euro. Derisa në vitin 2021, përmes një programi për punëtorë të kualifikuar, arriti të marrë termin për vizë në Ambasadën gjermane – një procedurë që nuk kishte zgjatur më shumë se pesë muaj, dhe u largua nga vendi.
Sot, ai është i punësuar në profesionin e vet në Gjermani, ka të ardhura stabile dhe thotë se ndjehet më i vlerësuar se kurrë më parë.
“Nuk është se këtu gjithçka është perfekte, por të paktën puna të shpërblehet ndershëm”, thotë ai.


Panele tjera solare të instaluara nga Albani
Nga ana tjetër, Arbri është në një udhëkryq që simbolizon dilemën e shumë të rinjve kosovarë: të vazhdojë studimet e të përpiqet të ndërtojë jetë në Kosovë, apo të kërkojë fatin jashtë?
“Në Kosovë, edhe nëse e kryej fakultetin, s’kam çka bëj me të. Nuk ka vende pune, s’ka kushte, s’ka të ardhme”, thotë ai.
Megjithatë, rruga e tij nuk është aq e lehtë. Ndryshe nga vëllai, Arbri nuk ka ende diplomë dhe nuk konsiderohet punëtor i kualifikuar, ndaj për të marrë termin në ambasadë duhet të presë gjatë, ashtu si shumë të rinj të tjerë që mbushin listat e pritjes çdo muaj.
Visar Vokrri, ekonomist dhe Drejtor Programor në Institutin Riinvest, vlerëson se motivi ekonomik, nuk është më faktori kryesor që i shtynë qytetarët e Kosovës të emigrojnë. Sipas tij, situata ka ndryshuar në vitet e fundit. Arsyet kryesore që aktualisht dominojnë janë më të ndërlikuara dhe burimin e kanë kryesisht nga sfidat strukturore në vend, si kushtet e punës, apo edhe pakënaqësitë ndaj sistemit shëndetësor dhe atij arsimor.
“Të dhënat dhe anketat e zhvilluara tregojnë se paga nuk renditet më ndër arsyet kryesore; ajo mund të renditet e katërta ose e pesta për nga rëndësia,” thekson Vokrri.
Ai e cilëson këtë gjendje si shqetësuese, duke theksuar se ajo pasqyron motivet e vërteta të emigrimit, të cilat nuk janë vetëm ekonomike, por lidhen edhe me dëshirën për të jetuar në një vend që ofron mirëqenie më të lartë dhe siguri më të madhe.
Edhe sipas raportit vjetor të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) për Kosovën, shumica dërrmuese e të anketuarve në anketën e Pulsit Publik (2024) kanë vlerësuar se jeta në Evropën Perëndimore është ‘disi më e mirë’ ose ‘shumë më e mirë’ në krahasim me Kosovën.
Raporti paralajmëron se “kjo mund të çojë në migrim të mëtejshëm në të ardhmen”, dhe se kjo e dhënë “thekson nevojën për adresimin e shqetësimeve në tregun lokal të punës për të zbutur mundësinë e largimit të trurit dhe emigracionit në përgjithësi”.
Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë, që përfaqëson edhe sektorin e gastronomisë në vend, thotë se ky sektor ka njohur një avancim të qëndrueshëm në zhvillimin e përgjithshëm, megjithëse kohëve të fundit ka pasur lëvizje të punëtorëve. Megjithëse thotë se situata nuk është alarmante, ai shton se kërkesa për kuzhinierë është më e madhe se oferta.
“Për të plotësuar këtë mungesë, disa kompani kanë filluar të sjellin punëtorë të huaj, kryesisht kuzhinierë nga Turqia, Italia dhe vende të tjera”, tregon Sogojeva.
Ndërkohë, Vokrri vlerëson se presioni i emigrimit ka përmirësuar pozicionin e shumicës së punëtorëve në Kosovë dhe u ka dhënë atyre më shumë fuqi negocimi, pasi sektori privat, sipas tij, ka filluar të përmirësojë kushtet e punës, duke nisur nga pagat dhe oraret.
Megjithkëtë, statistikat tregojnë se numri i qytetarëve që lënë Kosovën po rritet çdo vit.
Shifrat e fundit të ikjes
Vetëm gjatë vitit 2024, 37,451 banorë u larguan nga Kosova për të jetuar jashtë vendit, sipas ASK-së. Ky numër përfshin emigrimin për arsye të punësimit, studimeve, bashkimit familjar dhe shpërnguljes së përhershme – kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Por, trendi i emigrimit nuk është i ri. Nga viti 2012 deri më 2022, mbi 338 mijë qytetarë kanë lënë vendin, dhe vetëm në vitin 2022, fuqia punëtore aktive e Kosovës u zvogëlua për 21,571 persona, sipas të dhënave të Institutit GAP. Ndërsa, në vitin 2023, ky numër arriti në 359 mijë persona, që përfaqësonte rreth 22.6% të popullsisë së vendit.
Vokrri vlerëson se trendi i emigrimit nga Kosova është intensifikuar rreth vitit 2015, periudhë që përkon me liberalizimin e politikave të emigrimit nga Gjermania për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, kjo ka krijuar kushte më të favorshme për punësimin e shtetasve të huaj, duke e bërë Gjermaninë destinacionin kryesor dhe shumë të “natyrshëm” për qytetarët e Kosovës, për shkak të lidhjeve historike dhe përqendrimit të madh të diasporës kosovare atje. Si pasojë, rrjetëzimi dhe gjetja e mundësive të punës janë bërë dukshëm më të lehta.

Vokrri beson se ky trend do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, ndërsa implikimet në tregun e punës nuk janë të vogla, pasi në disa sektorë tashmë vërehet tkurrje e fuqisë punëtore.
Ndërkohë, sipas Institutit GAP, largimi i qytetarëve nga vendi ka ndryshuar strukturën e fuqisë punëtore, duke u përqendruar kryesisht tek të rinjtë, të cilët janë jetikë për ekonominë. Raporti “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë”, i publikuar në prill të 2025-s, tregon se pjesa më e madhe e punëtorëve që emigrojnë vijnë nga sektorë me produktivitet të lartë, si ndërtimtaria, prodhimi, tregtia dhe gastronomia.
Vokrri thotë se bizneset tashmë kanë filluar përmes përpjekjeve individuale t’i zbusin sado pak efektet e emigrimit të fuqisë punëtore, sidomos në sektorin e ndërtimit, megjithatë, sipas tij, ende nuk ekziston një plan konkret strategjik në nivel vendi për të frenuar emigrimin dhe për të menaxhuar tkurrjen e fuqisë punëtore.
Një faktor i ri që mendohet se ka intensifikuar emigrimin është edhe liberalizimi i vizave në vitin 2024. Sipas analizës së Pulsit Publik nga UNDP – “(2024)”, ky ndryshim ka rritur interesin për largim, sidomos tek të rinjtë nën 25 vjeç. Anketa e dhjetorit 2023, tregon se 28% e të rinjve kishin në plan të emigronin brenda tre muajve të parë të vitit 2024. UNDP paralajmëron se ikja e trurit, veçanërisht e të rinjve të arsimuar, mund të dobësojë përpjekjet për ndërtimin e një ekonomie më konkurruese dhe dinamike.
Edhe Vokrri konsideron se një fuqi punëtore e kualifikuar përbën një parakusht të zhvillimit ekonomik të një vendi, veçanërisht në epokën bashkëkohore të karakterizuar nga përparimet teknologjike të përshpejtuara edhe nga ndikimi transformues i inteligjencës artificiale. Ai nënvizon se “një ndryshim paradigme zhvillimore që do të mundësonte ndryshimin transformues, nuk mund të mendohet pa një fuqi punëtore produktive dhe të përgatitur për t’i paraprirë këtij transformimi”. Në afat të shkurtër, Vokrri pranon se implikimet mund të jenë të dukshme të cilat në planin afatgjatë edhe mund të rikuperohen, mirëpo pa një plan strategjik kombëtar “dëmi do të jetë jo i vogël”.
Veçanërisht “ikja e trurit” në sektorin e teknologjisë informative, Vokrri thotë se përbën shqetësimin më serioz. Ai thekson se shumë profesionistë të IT-së “ose kanë ikur fizikisht, ose punojnë për kompani të huaja”, që i bie se janë duke kontribuar në zhvillimin e vendit vetëm në mënyrë indirekte, por jo në rritjen direkte të sektorit brenda vendit.
E në një treg pune që nuk arrin t’i mbajë as ata që tashmë janë pjesë e tij, emigrimi nuk po shihet më thjesht si një zgjedhje personale, por si pasojë e një sistemi që nuk arrin të krijojë kushte të qëndrueshme për punë dhe dinjitet.
“Kur edhe zanati nuk mjafton”
Se largimi i qytetarëve nga Kosova nuk është më vetëm një statistikë – e tregon edhe Besimi, i cili për dekada ka punuar në zanatin e tij me shumë vështirësi.
Besimi, tash afër të pesëdhjetave, qe 23 vjet ka punuar si moler dhe fasadues në Prishtinë e gjetiu, duke lyer shtëpi, ndërtesa dhe ‘ëndrra’ të njerëzve të tjerë. Çdo gërvishtje në duart e tij tregon vite të tëra pune të lodhshme, mbushur me pluhur gëlqereje dhe ngjyrë.
Përveç fillimeve të punës së tij në vend, për një periudhë gjatë viteve 2004-2006, ai kishte punuar edhe jashtë vendit, më saktësisht në Kazakistan – për kompaninë Mabetex.
Përvoja që mori atje e solli sërish në Kosovë, ku së bashku me vëllezërit hapën më vonë një biznes të vogël që funksionon prej afro dhjetë vjetësh.
Megjithatë, kthimi i tij në Kosovë dhe hapja e një biznesi familjar nuk e shpëtoi nga mungesa e fuqisë punëtore, një problem që sipas GAP-it prek 62% të bizneseve të vogla në ndërtimtari dhe gastronomi.
Për një kohë të gjatë, kompania është ballafaquar me mungesë të punëtorëve – gjente punëtorë kohë pas kohe, por asnjëri nuk qëndroi për shumë gjatë. Ata që kanë qenë në fillet e biznesit, që të gjithë kanë emigruar jashtë vendit.
“Punë këtu ka, por njerëz që të rrijnë në punë gjatë ka pak,” thotë Besimi, duke theksuar se puna që e bënin me katër-pesë veta më herët për një periudhë më të shkurtër, tani me dy-tre veta është e vështirë dhe zgjatet më shumë.
E në një kohë kur mungesa e fuqisë punëtore është ndjerë më së shumti në ndërtimtari, Besimi me vëllezërit u detyruan të bashkohen me një biznes tjetër po ashtu të vogël, që po përballej me të njëjtat sfida. Tani, ata punojnë së bashku qe dy vite dhe ndajnë fitimin – një zgjidhje kjo e domosdoshme për të mos shuar biznesin.
Megjithatë, Besimi ende e konsideron mundësinë për të lënë Kosovën, veçanërisht për të siguruar një të ardhme më të sigurt për familjen e tij.
“Po të kisha mundësi, edhe une dy herë s’e kisha mendu largimin nga Kosova,” thotë ai, duke u ndalur për një moment dhe duke shikuar duart e tij të mbushura me vija të kuqe nga ngjyra. Por mosha dhe rregullat e punës jashtë vendit, janë pengesa e tij.
“Në Gjermani më kanë thanë se mbi 45 vjet është problem me marrë vizë pune, për shkak të pagesës së orës së punës” shton ai.
Besimi ka dy fëmijë dhe brengën kryesore e ka të ardhmen e tyre. Vajza e tij është në shkollën e mesme, djali në fillore, dhe Besimi ëndërron që ata të mos ndjekin rrugën e shumë të rinjve në Kosovë: të përfundojnë fakultetin dhe pastaj të bredhin me letra në duar duke kërkuar punë.
“Nuk du që fëmijët e mi të bredhin rrugëve duke kërkuar punë me vjet. Du që ata të kenë një të ardhme me perspektivë, se koha jem e ka pas,” thotë ai, duke përmbledhur kështu në një vend dëshirat e shumë prindërve të tjerë në Kosovë.
Tregu i punës në Kosovë: më shumë të papunë, më pak fuqi punëtore
Pavarësisht disa përparimeve të shënuara në vitet e fundit, tregu i punës në Kosovë vazhdon të përballet me sfida të mëdha. Pas çdo statistike që lexojmë fshihen njerëz që përballen me papunësi, mungesë mundësish dhe pasiguri ekonomike.
Këtë realitet e konfirmon edhe Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën (2024), në të cilin thuhet se: “pjesëmarrja në tregun e punës mbetet shumë e ulët, papunësia është e lartë, ndërsa hendeku gjinor në punësim vazhdon të jetë i theksuar”. Sipas raportit, këta faktorë kontribuojnë drejtpërdrejt në nivelin e lartë të emigrimit nga vendi.
Në Kosovë, një pjesë e madhe e njerëzve në moshë pune nuk janë aktivë ekonomikisht – më shumë se gjysma e tyre qëndrojnë jashtë tregut të punës, duke pritur mundësi që shpesh nuk vijnë. Nga rreth 1.1 milion persona në moshë pune, vetëm 461 mijë (43%) janë aktivë ekonomikisht, ndërsa mbi 613 mijë (57%) janë jashtë tregut të punës. Brenda kategorisë së fundit, 66% janë gra dhe 34% burra, çka tregon se pjesëmarrja e ulët e grave mbetet një problem struktural. Nga ata që punojnë, vetëm 43.5% kanë kontratë të përhershme.
Hulumtuesit e GAP-it theksojnë se mënyra më e qëndrueshme për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë është përfshirja në treg e sa më shumë njerëzve në moshë pune që aktualisht nuk janë aktivë ekonomikisht. Sipas tyre, shumë vende pune në Kosovë kërkojnë aftësi të ulëta dhe detyra rutinore që mund të mësohen shpejt, çka krijon mundësi për të përfshirë të rinjtë pa përvojë, personat e papunë afatgjatë dhe gratë jashtë tregut të punës. Zbatimi i kësaj qasjeje, sipas GAP, mund të ndihmojë në uljen e papunësisë dhe në mbushjen e boshllëqeve në sektorët që kërkojnë punëtorë me aftësi të thjeshta.
Të njëjtin mendim ndan edhe Vokrri. Për të, është e pajustifikueshme shkalla e lartë e joaktivitetit të grave dhe e të rinjëve. Sipas tij, ky potencial ekonomik duhet aktivizuar përmes politikave konkrete – duke theksuar se përfshirja e këtyre grupeve mund të zbusë mungesën e punëtorëve dhe të kontribuojë në ekonominë e vendit.
Në përgjithësi, fenomeni i emigrimit ekonomik pasqyron një realitet të dhimbshëm për Kosovën, ku mungesa e fuqisë punëtore dhe perspektivës ekonomike po i shtyn njerëzit – me përvojë e pa përvojë, me diplomë dhe pa diplomë, me zanat dhe pa zanat – të largohen nga vendi për të siguruar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre. /Buletini Ekonomik/
*Emrat Arbri, Albani dhe Besimi janë të ndryshuar, për të ruajtur anonimitetin e bashkëbiseduesve.










