Drena Kusari, emri shqiptar në krye të Microsoft

Ekspertja e teknologjisë, Drena Kusari, ka arritur majat në kompaninë globale Microsoft, duke u bërë zv.presidente dhe menaxhere e përgjithshme e Microsoft. Në postimin e saj në LinkedIn, ajo thekson: “Jam e lumtur të ndaj se po filloj një pozicion të ri si Corporate Vice President dhe General Manager në Microsoft!”.

Ky është ndër nivelet më të larta të menaxhimit në strukturën e kompanisë, duke e vendosur Kusarin mes drejtuesve kryesorë të Microsoft. Emërimi i saj përbën një tjetër histori suksesi për gratë shqiptare në industrinë globale të teknologjisë.

Reklama e sponzorizuar

Karriera e saj është zhvilluar në ekosistemin e Silicon Valley dhe në kompani të mëdha ndërkombëtare. Ajo ka lindur dhe është rritur në Gjakovë. Pas luftës në Kosovë, në vitin 1999, u shpërngul në Shtetet e Bashkuara, ku përfundoi vitin e fundit të shkollës së mesme. Puna e saj e parë ishte si përkthyese dhe punonjëse në terren për organizatën Save the Children, menjëherë pas luftës.Kusari u diplomua me dy drejtime, Ekonomi dhe Diplomaci, në Occidental College në SHBA, ndërsa më pas përfundoi studimet MBA në Harvard Business School, një nga shkollat më prestigjioze të biznesit në botë.

Para Microsoft, ajo ka ndërtuar një karrierë në disa kompani të mëdha globale, si Goldman Sachs si analiste financiare, McKinsey & Company si konsulente strategjie për kompani të Fortune 500, më pas në Lyft ku mbajti postin e General Manager për rajonin Southwest dhe Hawaii, duke u bërë gruaja e parë që drejtoi këtë rajon në kompani, si dhe në Bumble, ku kishte një rol drejtues në strategji dhe zhvillim biznesi.