U ngritën çmimet, sidomos të domateve, të cilat këtyre ditëve tregtohen me 3-4 euro e më shumë kilogrami, çmimi i specave, i atyre që vlerësohen si më cilësor, po kështu tejkaloi në raste 4 euro për një kilogram, i vezëve nga 2,5 euro kompleti prej 30 kokrrash, nga e hëna kushton 3 e më shumë euro etj.
Buletini Ekonomik
Të hënën, në fillim të javës së fundit të muajit të Ramazanit, ose 4-5 ditë para Festës së Bajramit, në tregjet e gjelbra të Prishtinës, në shitore të specializuara të pemëve dhe perimeve dhe të produkteve ushqimore, në markete dhe supermarkete, ishte evidente rritja e çmimeve. Në disa produkte ushqimore pati ngritje të theksueshme, ndërsa të disa të tjera ngritja e çmimit ishte më pak e theksueshme. U ngritën çmimet, sidomos të domateve, të cilat këtyre ditëve tregtohen me 3-4 euro e më shumë kilogrami, çmimi i specave, i atyre që vlerësohen si më cilësor, po kështu tejkaloi në raste 4 euro për një kilogram, i vezëve nga 2,5 euro kompleti prej 30 kokrrash, nga e hëna kushton 3 e më shumë euro.
Përshypje të keqe te konsumatorët nga e hëna e kësaj jave la edhe kompania më e njohur e prodhimit dhe tregtimit të produkteve të shpezëtarisë KonSoni, e vlerësuar në shumë raste për korrektësi edhe në ecuritë e çmimeve. Në shitoret e specializuara të kësaj kompanie, vezët që për disa javë u tregtuan me çmime të ulura (2,50 euro kompleti prej 30 vezësh), nga e hëna patën çmim të ngritur në 3 euro, që i bie përafërsisht diku te 20 për qind më shumë se çmimi paraprak. Por pati ngritje çmimesh edhe te shumë produkte të tjera.
Me fjalë të tjera, tregtarët e vendit, nuk mundën t’i bëjnë ball tundimit për të përfituar nga Festa e Bajramit, kur edhe familjet më të varfëra shpenzojnë për ta bërë më të pasur sofrën për drekën e festës. Dhe, sërish ndërgjegja e shumë tregtarëve të vendit, për të satën herë gjatë festave, ra “në provim”. Sepse, kudo në botë ku festohet Festa e Bajramit, praktikisht kremtja më e madhe në botën muslimane, në prag të kësaj kremteje ulen çmimet, sidomos të produkteve elementare ushqimore, të pemëve dhe të perimeve dhe të shumë mallrave të tjera, të nevojshme për përgatitjen e tryezës për këtë festë. Por, në Kosovë, ka vite që ndodhë e kundërta.
Festa e Bajramit, një nga kremtet më popullore në Kosovë, kur kosovarët, edhe ata të varfërit, furnizohen më shumë me produkte ushqimore prej më të ndryshmeve, edhe këtë herë shpërfaqi ‘fytyrën’ e tregtarëve, por edhe të ndonjë prodhuesi vendor me prirje abuzuese. Tendencat abuzive të këtyre tregtarëve për të përfituar edhe nga festat fetare, u panë në ngritjen e çmimeve të disa produkteve ushqimore që tregtojnë ata. Buletini Ekonomik ka vizituar disa tregje të gjelbra dhe dyqane në Prishtinë, ku nga afër ka parë rritje të çmimeve në disa produkte të konsumuara mjaftë shumë në Kosovë.
“Tregtarët po e shfrytëzojnë rastin për të përfituar nga çmimet e ngritura. Nuk e kuptoj sjelljen e këtij prodhuesi vezësh kaq të vlerësuar deri më tash nga konsumatori kosovar”, shprehet një konsumatore në Prishtinë.
Tendencat abuzive të këtyre tregtarëve për të përfituar edhe nga festat fetare u ripërsëritën në ngritjen e çmimeve të disa produkteve ushqimore elementare, e sidomos të atyre që konsumohen më shumë dhe praktikisht janë si të domosdoshme për tryezat festive. /Buletini Ekonomik/









