Ministria autorizon pagesat e subvencioneve të mbetura për bujqit për vitin 2025

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka autorizuar pagesën e subvencioneve të mbetura bujqësore për vitin 2025. Vendimi është nënshkruar nga ministri Armend Muja, duke hapur rrugën për ekzekutimin e pagesave për të gjithë përfituesit e verifikuar.

Sipas njoftimit, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) është obliguar që menjëherë të procedojë me realizimin e pagesave për përfituesit e Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025, bazuar në listat përfundimtare të miratuara.

Pagesat do të bëhen nga buxheti i miratuar i Republikës së Kosovës, në përputhje me alokimet për sektorin e bujqësisë dhe procedurat e Thesarit të shtetit.

Reklama e sponzorizuar

Ministria thekson se pas hyrjes në fuqi të buxhetit dhe përmbushjes së kushteve financiare e procedurale, është krijuar mundësia që të procedohen edhe pagesat e mbetura për përfituesit e programit.

Ndërkohë, Departamenti për Buxhet dhe Financa në AZHB, në bashkëpunim me Thesarin e Republikës së Kosovës, është obliguar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për realizimin e pagesave sipas legjislacionit në fuqi. Sipas vendimit, AZHB duhet të raportojë te ministri brenda pesë ditëve për progresin e realizimit të pagesave. /Buletini Ekonomik/