Qytetarët ka javë që me ankth po e presin 1 prillin për të parë se a do të ndodhë ngritja e katërt brenda një periudhe të shkurtër kohore e çmimit të energjisë elektrike. Dhe, nëse edhe një herë ngritet çmimi i rrymës (KEDS/KESCO ka kërkuar nga ZRRE ngritje çmimi prej 21 për qind), padiskutueshëm do të shtohet numri i të varfërve në vend, sikundër që do të rritet numri i njerëzve që do ta kenë të domosdoshme ndimën e shtetit për mbijetesë, përkatësisht i familjeve të cenueshme, që nënkupton, numër të familjeve të varfëra ose në kufi të varfërisë.
Buletini Ekonomik
Para dy-tre vjetësh, më saktësisht në edicionin e 26-të të Përmbledhjes së Pulsit Publik, një program i UNDP-së, u konstatua se varfëria me 16.6 për qind, papunësia me 16.3 për qind dhe çmimet për furnizimet thelbësore me 12.7 për qind, ishin tre shqetësimet kryesore të kosovarëve. Derisa edhe tani, në fillim të muajit të tretë të 2026-tës, nuk ka ndërruar pothuaj asgjë në renditjen e shqetësimeve më të mëdha të kosovarëve. Edhe më tutje, varfëria, papunësia dhe ngitja enorme e çmimeve të produkteve të përditshme të domosdoshme për jetesën e një familjeje, kanë mbetur shqetësimet, ndër më kryesoret të kosovarëve.
Ç’ është e vërteta, varfëria është shqetësimi që nuk i shqitet Kosovës, që nga paslufta. Në Kosovë edhe sot, 27 vjet pas luftës, ka shumë varfëri, sado që nuk ka të dhëna më të reja për nivelin e varfërisë reale dominuese në vend (për numrin e familjeve që nuk kanë para për shpenzime për konsum të domosdoshëm ditor dhe në periudha më të gjata, ka shumë të dhëna, edhe nga instuticionet zyrtare të vendit, edhe nga ato ndërkombëtare financiare, që flasin për varfërinë reale në Kosovë).
Agron Demi, themeluesi i Institutit “Atlas”, duke demantuar të dhëna të zyrtarëve qeveritar, të cilat flisnin për rritje të mirëqenies për qytetarët e Kosovës, në një shkrim të tij në FB, thotë se varfëria në Kosovë po rritet. Sipas tij, matja e fundit e varfërisë në Kosovë është bërë në vitin 2017 dhe ka qenë 17%.
‘‘40% e konsumatorëve në Kosovë mendojnë se cilësia e jetës sot është më e keqe se sa para vitit 2020’’, thuhet ndër tjerash në një hulumtim të vitit të kaluar të ‘’Valicon’’.
Hulumtimi i “Valicon’, përveç Kosovës, ka përfshirë edhe Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Në hulumtim, ç’është e vërteta, shtohet se në pothuajse të gjitha tregjet, më shumë konsumatorë ndjejnë se cilësia e jetës së tyre është “më e keqe” sesa “më e mirë”. Ndërsa, inflacioni mbetet shqetësimi kryesor në të gjithë rajonin. E nivelet më të larta të shqetësimit janë regjistruar në Kosovë (70%), Maqedoni të Veriut (70%), Bosnje dhe Hercegovinë (69%) dhe Kroaci (68%).
Inflacioni, respektivisht, ngritja e çmimeve, sot e kësaj dite mbetet një shqetësim tjetër i madh i kosovarëve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e rritjes së çmimeve në muajin shkurt 2026 ka arritur në 6 për qind (saktësisht, po kaq është shkalla e inflacionit). Shtrenjtimi është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, shërbimeve dhe transportit. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet në Lindjen e Mesme, gjithsesi, do ta kenë ndikimin e padiskutueshëm në rritjen e inflacionit dhe në muajt në vazhdim.
Ndërsa, ngritja e çmimeve në vendin tonë ka vazhduar vrullshëm edhe sivjet, madje egërsisht dhe jashtë çdo logjike të tregut, dhe ka arritur sot nivelin e çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre elementare ushqimore dhe të higjienës, të shumë shteteve të Perëndimit (Gjermani, Francë, Itali etj.). Lufta në Lindjen e Mesme, është preteksti i radhës i shumë tregtarëve dhe prodhuesve në vend për të paralajmëruar ngritje të reja çmimesh. Qytetarët ka javë që me ankth po e presin 1 prillin për të parë se a do të ndodhë ngritja e katërt brenda një periudhe të shkurtër kohore e çmimit të energjisë elektrike. Dhe, nëse edhe një herë ngritet çmimi i rrymës (KEDS/KESCO ka kërkuar nga ZRRE ngritje çmimi prej 21 për qind), padiskutueshëm do të shtohet numri i të varfërve në vend, sikundër që do të rritet numri i njerëzve që do ta kenë të domosdoshme ndimën e shtetit për mbijetesë, përkatësisht i familjeve të cenueshme, që nënkupton, numër të familjeve të varfëra ose në kufi të varfërisë. Kjo do të thotë se do të shtohet dhe do të tejkalohet ndjeshëm numri prej 90 mijë familjesh të cënueshme që subvencionohen aktualisht nga shteti për faturat e energjisë, siç deklarojnë autoritetet.
Këtu mund të themi se janë potencialisht varfanjakë edhe të gjitha kategoritë e pensionistëve të Kosovës, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familiarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër). Pensionistët kosovarë, rreth 200 mijë veta bashkarisht, mezi ia dalin të mbijetojnë, dhe as që bëhet fjalë që me pensionet aktuale mund të bëjnë një jetë sadopak dinjitoze. Sidomos janë në gjendje të rënduar të mirëqenies dhe më të goditurit nga varfëria pesionistët me pension të pleqërisë (rreth 150 mijë sish) që pensionet e tyre I kanë saktësisht 150 euro. Shumica e tyre, nëse nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët, thjesht nuk mund të përmbyllin muajin me muaj. Ata, nuk kanë mundësi të ushqehen asesi si duhet, nuk kanë mundësi të blejnë barnat e domosdoshme, nuk kanë mundësi të pijnë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë.
E varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familiare të shumta numerikisht. Këto fakte dhe shifra që pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen sociale aktuale në Kosovë (që pak a shumë, me pak ndryshime, është e ngjashme tani e 27 vjet) dhe shpërfaqë pandryshueshëm dhe saktësisht konstatimin e Përmbledhjes së Pulsit Publik, programit të UNDP-së, të edicionit të 26-të se, varfëria, papunësia dhe ngritja enorme e çmimeve të produkteve të konsumit, mbeten tre shqetësimet kryesore të kosovarëve. Ndërsa, për autoritetet dhe zyrtarët që e kanë detyrë dhe paguhen për t’u preokupuar me këto shqetësime, tani në rrethanat politike të krijuara rreth zgjedhjes së presidentit/tës së vendit, është çështje fare e margjinalizuar. Pak kujt i bie ndërmend për varfërinë e qytetarëve. Thjesht, nuk kujtohet kush nga pushteti, por as nga opozita, se edhe të varfërit e vendit kërkojnë jetë më të dinjitetshme, trajtim më korrekt nga shoqëria dhe shteti. /Buletini Ekonomik/











