Fatura totale për blerjen e energjisë elektrike në vitin 2025 arriti në 272.2 milionë euro me TVSH, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë. Gjatë këtij viti, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bleu në total 1,813,145 mWh energji, me një çmim mesatar prej 127.55 euro për MWh.
Blerjet janë shpërndarë gjatë gjithë vitit, por me intensitet më të lartë në muajt e verës. Në korrik dhe gusht u regjistruan edhe volumet më të mëdha, përkatësisht mbi 346 mijë mWh dhe 363 mijë mWh.
Në fillim të vitit, çmimet e energjisë kanë qenë më të larta, duke arritur deri në 157.7 euro/MWh në muajin shkurt. Më pas, ato pësuan rënie graduale, duke u stabilizuar në intervalin 110–125 euro/MWh gjatë verës dhe vjeshtës.
Në anën tjetër, të dhënat për shitjen e energjisë nga KESH tregojnë një aktivitet shumë më të kufizuar. Për gjithë vitin janë shitur vetëm 56,699 mWh, me një çmim mesatar prej 98.3 euro/MWh, duke gjeneruar rreth 6.7 milionë euro të ardhura me TVSH. Shitjet janë realizuar vetëm në muajt tetor dhe nëntor.
Kjo situatë lidhet me varësinë e lartë të Shqipërisë nga prodhimi hidroenergjetik, i cili ndikohet drejtpërdrejt nga kushtet hidrike dhe reshjet. Në periudhat me thatësirë apo me prurje të ulëta në kaskadën e Drinit, vendi detyrohet të rrisë importet për të siguruar furnizimin me energji, ndërsa mundësitë për eksport mbeten të kufizuara dhe të varura nga tepricat e përkohshme të prodhimit. /Scan tv/









