Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka dorëzuar në Polici dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë.
Ditë më parë, LDK-ja ka denoncuar se njehsorët e rrymës po kalkulojnë me orë të gabuar shpenzimet – duke përllogaritur me orë të shtrenjtë në kohën kur njerëzit mendojnë se po kursejnë me orë të natës. LDK pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.
Raportimet nxitën edhe formimin e një Komisioni të posaçëm nga Ministria e Industrisë, që ka tërhequr për verifikim njehsorët e dyshimtë. Pas formimit të Komisionit, numri i ankesave ka kaluar mbi 500. LEXO EDHE: Njehsorë të skaduar e devijime 2-3 ditëshe janë gjetjet e Ministrisë, paralajmërohen gjoba ndaj KEDS-it
Azemi i ka bërë thirrje Prokurorisë për hetime, ndërsa të martën ka dorëzuar lëndën edhe në Polici.
KEDS-i në anën tjetër ka mohuar pretendimet.
KOHA pati raportuar në dhjetor të 2024-s se si banorët e një blloku banesor në Fushë-Kosovë kanë thënë se ora nëpër njehsorë figuron disa orë para ose prapa kohës reale, dhe kësisoj ua pamundëson përpjekjet për kursim.
KEDS-i atëkohë pati ftuar qytetarët që të ankohen për këtë çështje. E në qershor të 2023-tës, KOHA pati raportuar se verifikimi i njehsorëve elektrikë nga zyrtarët e Agjencisë së Metrologjisë është bërë në laboratorë të KEDS-it edhe pse kjo ishte praktikë e ndërprerë prej 2019-s, me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologji.
Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars, kurse prej orës 08 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator.
Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat.
E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë./Koha.net/









