
Ndërsa Kuvendi i Koosvës u shpërnda pas dështimit për zgjedhjen e Presidentit, raporti i fundit i Bankës Botërore paralajmëron se stabiliteti ekonomik është i brishtë dhe nuk mund të mbahet peng i krizave të përsëritura politike.
Sot, në ditën kur Kosova zyrtarisht po hyn në një cikël të ri zgjedhjesh të parakohshme pas dështimit të mbrëmshëm për të zgjedhur kreun e shtetit, Banka Botërore ka publikuar raportin e saj më të fundit mbi ecurinë ekonomike të vendit. Koincidenca nuk mund të ishte më alarmante. Në njërën anë kemi një ekonomi që po tregon shenja lodhjeje nga pasiguria, dhe në anën tjetër një vakum institucional që kërcënon t’i bllokojë reformat jetike. Siç thotë raporti i Bankës Botërore, megjithëse rritja mbeti reziliente në vitin 2025, ajo pësoi një ngadalësim në 3.6 për qind, si pasojë e zbutjes së konsumit privat dhe pasigurisë së lartë.
Tani, me shpërndarjen e automatizuar të Kuvendit, kjo “pasiguri” nuk është më vetëm një term ekonomik, por një realitet i prekshëm që mund të kushtojë shtrenjtë. Nga ana tjetër, energjia mbetet një rrezik që nuk pret certifikimin e votave.
Në mes të këtij kaosi politik, sektori i energjisë mbetet pika më vulnerabël e Kosovës. Siç thotë raporti i Bankës Botërore, vulnerabilitetet energjetike janë të lidhura ngushtë me prodhimin e vjetëruar bazuar në lignit, gjë që e bën urgjente nevojën për të përshpejtuar kalimin drejt energjisë së ripërtëritshme. Dështimi i institucioneve për të pasur një vazhdimësi mund të vonojë investimet kapitale në këtë sektor.
Raporti thekson se investimet në infrastrukturë janë kyçe për të përmirësuar jo vetëm energjinë, por edhe sigurinë e ujit dhe digjitalizimin. Pa një Kuvend funksional për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare financiare, tranzicioni i gjelbër rrezikon të mbetet vetëm një projekt në letër, ndërsa qytetarët vazhdojnë të paguajnë koston e lartë të importeve të energjisë.
Tregu i punës dhe varfëria: Paradoksi i shifrave
Një tjetër alarm vjen nga fusha sociale. Siç thotë raporti i Bankës Botërore, “kufizimet strukturore të vazhdueshme në tregun e punës limitojnë gjerësinë dhe qëndrueshmërinë e përfitimeve të mirëqenies”. Edhe pse shkalla e varfërisë prej 8.30 USD për kokë banori ka pësuar një rënie të lehtë, kjo është ndihmuar kryesisht nga rritja e pagave dhe formalizimi i punës, por jo nga një transformim rrënjësor i ekonomisë.
Raporti është i qartë në rekomandimin e tij: zgjerimi i shërbimeve të kujdesit për fëmijët është i domosdoshëm për të rritur pjesëmarrjen e grave në forcën e punës. Mirëpo, në një mjedis ku politika është e përqendruar te kutitë e votimit, reformat që kërkojnë vizion afatgjatë, siç është forcimi i edukimit dhe trajnimit profesional, shpesh lihen në plan të dytë. Banka Botërore vë në dukje se stabiliteti makroekonomik i Kosovës mbështetet në një kornizë fiskale të matur.
Megjithatë, siç thotë raporti i Bankës Botërore, për një konvergjencë më të shpejtë me Bashkimin Evropian, Kosovës i duhet një mobilizim më i fortë i të hyrave dhe një menaxhim më efektiv i financave publike. Zgjedhjet e parakohshme zakonisht sjellin rritje të shpenzimeve populiste, gjë që bie ndesh me thirrjen e BB-së për të “prioritizuar shpenzimet që nxisin rritjen”. Rreziku është që në muajt e ardhshëm, buxheti të orientohet drejt transfertave afatshkurtra për të fituar vota, në vend që të shkojë te projektet kapitale që rritin produktivitetin.
Si përfundim, Kosova sot po lundron në ujëra të turbullta. Siç thotë raporti i Bankës Botërore, perspektiva ekonomike është subjekt i rreziqeve rënëse, ku pasiguria e brendshme luan një rol kyç. Dështimi i mbrëmshëm i Kuvendit për të zgjedhur Presidentin vetëm sa e ka trashur këtë mjegull. Nëse klasa politike nuk arrin të kuptojë se ekonomia nuk pret agjendat partiake, Kosova rrezikon të humbasë momentumit e rritjes prej 3.9% të parashikuar për vitet pasuese. Pa reforma strukturore në energji dhe në tregun e punës, rezilienca e treguar deri më sot do të fillojë të shkërmoqet, duke na lënë pas në garën për integrim dhe mirëqenie evropiane. /Buletini Ekonomik/








