Në një seancë ku pati edhe bojkot e akuza, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar sot shtatë marrëveshje ndërkombëtare, në vlerë miliona euro.
Deputetët u mblodhën sot pas gati një muaji, shkaku i pezullimit të punës si pasojë e dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, që u hodh poshtë më pas nga Kushtetuesja, shkruan Reporteri.net.
Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve shkon në 121 milionë euro.
Marrëveshjet e ratifikuara janë:
-Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
-Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018.
-Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017.
-Marrëveshja e kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
-Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
-Marrëveshja e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
-Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.
Katër marrëveshje të tjera kanë dështuar të ratifikohen, në mungesë kuorumi, e që ishin të propozuara nga VV’ja.
Marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare mund të miratohen vetëm me votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit me 120 vende.











