Pavarësisht rritjes së lehtë të eksporteve kosovare me Shqipërinë, bilanci tregtar përgjatë gjithë periudhës 2022–2025 mbetet dukshëm negativ për Kosovën, ose eksportet nga Shqipëria në Kosovë vijojnë të dominojnë shumëfish strukturën e shkëmbimeve.
Buletini Ekonomik
Një informacion që në fund të marsit vie nga Shqipëria, me të dhëna nga INSTAT, flet se eksportet shqiptare në Kosovë në dy muajt e parë të 2026-tës janë rritur ndjeshëm (1 miliard lekë krahasuar me fillimin e vitit 2025, duke shkuar aktualisht në 6.3 miliardë lekë). Po ashtu, sipas të dhënave nga INSTAT, në këta muaj rritje ka pasur edhe në eksportet e Kosovës në Shqipëri (1.8 miliardë lekë është vlera e importeve të Shqipërisë nga Kosova).
Sipas të dhënave zyrtare, Kosova mban vendin e parë edhe në nivelin e investimeve të realizuara në Shqipëri. Më konkretisht, në periudhën janar-shtator 2025, Kosova vijon të pozicionohet e para për sa i përket investimeve në Shqipëri, duke arritur vlerën 153 milionë euro.
Investimet nga Kosova në Shqipëri fokusohen kryesisht në shërbime dhe tregti, ku po zgjerohen në tregtinë me pakicë, pasuri të paluajtshme dhe ndërtim, por edhe në industrinë përpunuese. Por, njohësit e zhvillimeve tregtare dhe të bashkëpunimit ekonomik shqiptaro- shqiptar, vlerësojnë se përkundër trendeve inkurajuese, ende nuk ka marrëdhënie ekonomike të kënaqshme mes dy shteteve shqiptare.
Me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë e afaristëve për një bashkëpunim më të fortë në ekonomi, me thënë më troç, marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve mbeten ende simbolike apo karakterizohen vetëm nga shkëmbimet tregtare import – eksport dhe së fundi me rritje të vrullshme të investimeve të kosovarëve në Shqipëri. Dhe, pavarësisht rritjes së lehtë të eksporteve kosovare me Shqipërinë, bilanci tregtar përgjatë gjithë periudhës 2022–2025 mbetet dukshëm negativ për Kosovën, ose eksporti nga Shqipëria në Kosovë vijojnë të dominojnë shumëfish strukturën e shkëmbimeve.
Kosova vazhdon të ketë bilanc negativ tregtar me Shqipërinë, edhe pse ka një rritje të vlerës së mallrave të eksportuara. Sipas Doganës së Kosovës, për vitin 2025, eksportet e vendit tonë në Shqipëri, nga janari deri më 26 nëntor të 2025 – tës arrijtën në rreth 143 milionë euro, përderisa importet nga Shqipëria në këtë periudhë janë 259 milionë euro. Por pavarësisht rritjes goxha imponuese të mardhënieve ekonomike-tregtare të dy shteteve shqiptare, në forumin e biznesit Shqipëri –Kosovë u theksua se ka ende hapësirë ku vendet mund të shtojnë marrëdhëniet ekonomike.
Drejtoresha e Agjencisë së Investimeve, Laura Saro, madje tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë për të përballuar konkurrencën dhe sfidat globale. /Buletini Ekonomik/











