MINTI: Nis verifikimi i ankesave për njehsorët elektrikë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se ka filluar verifikimi i ankesave të para të konsumatorëve lidhur me njehsorët elektrikë.

Komisioni i posaçëm i themeluar nga ministria, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Tregut, thuhet se kanë dalë në terren për të shqyrtuar rastet e raportuara.

Reklama e sponzorizuar

Sipas njoftimit, njehsorët që janë vërejtur me mospërputhje të kohës janë tërhequr nga përdorimi dhe janë dërguar për verifikim në Agjencia e Metrologjisë së Kosovës.

Rezultatet e para nga verifikimet pritet të publikohen së shpejti, ndërsa opinioni publik do të informohet me kohë për gjetjet.

Ndërkohë, MINTI, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, u bën thirrje qytetarëve që të parashtrojnë ankesat e tyre në adresën elektronike zyrtare, duke bashkëngjitur numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që procesi i verifikimit të realizohet sa më shpejt.