Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar opinionin publik se është duke monitoruar me kujdes shqetësimet e raportuara nga konsumatorët lidhur me devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike.
ZRRE thekson se është duke grumbulluar informata në mënyrë të vazhdueshme për të siguruar një matje të drejtë dhe të saktë të konsumit. Ata iu bëjnë thirrje të gjithë konsumatorëve që, në rast të problemeve të tilla, fillimisht të kontaktojnë KEDS për verifikim dhe inspektim të njehsorëve elektrikë.
Sipas njoftimit, çdo rast i raportuar për mospërputhje të kohës tarifore do të analizohet me kujdes, dhe nëse konstatohen gabime në funksionimin e njehsorëve, do të ndërmerren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi.
ZRRE gjithashtu thekson se KEDS dhe KESCO janë kompani të rregulluara, të cilat operojnë sipas kornizës ligjore dhe nuk përfitojnë nga gabimet eventuale në matje, pasi të hyrat e tyre përcaktohen nga vetë rregullatori.
Ndërkaq, për kalibrimin dhe saktësinë e njehsorëve elektrikë është përgjegjëse Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, e cila garanton funksionimin korrekt të pajisjeve matëse.
ZRRE rithekson përkushtimin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e një sistemi energjetik të drejtë, transparent dhe të besueshëm.









