Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar ndalimin e përkohshëm të importit të deleve dhe dhive nga territori i Shqipërisë. Ky vendim vjen pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes shumë ngjitëse PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës.
Autoritetet kanë kërkuar nga komunat kufitare që të rrisin masat e kontrollit dhe të kufizojnë lëvizjen e bagëtive në zonat pranë kufirit me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes në Kosovë. Po ashtu, pritet forcim i kontrolleve në të gjitha pikat kufitare.
Fermerëve u bëhet thirrje që të shtojnë kujdesin ndaj tufave të tyre, të shmangin kontaktin me kafshë nga zona të prekura dhe të raportojnë menjëherë çdo simptomë të dyshimtë tek veterinerët. Ndër shenjat kryesore të sëmundjes janë temperatura e lartë, rrjedhja nga hunda, dobësia dhe diarreja.
AUV thekson se PPR është një sëmundje virale që prek delet dhe dhitë, por nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.









