Debati për tarifat nuk duhet të mbetet i ngushtë vetëm rreth çmimit të energjisë. Duhet të pyesim veten si ndërtohet sistemi energjetik në tërësi: sa prodhim vendor kemi, sa shpejt integrojmë energjinë e ripërtëritshme, si të menaxhojmë kulmet e konsumit dhe sa efikase janë politikat tona energjetike.
Shkruan: Burim Ejupi
Debati për tarifat e energjisë elektrike në Kosovë zakonisht shpërthen sa herë paralajmërohet rritje çmimesh. Shpejt ky debat ndahet në dy kampe: njëri që argumenton se rritja është e domosdoshme për stabilitetin e sistemit, dhe tjetri që ngre zërin mbi barrën që krijohet për familjet dhe bizneset. Por ky debat shpesh e humb thelbin. Dhe thelbi është se tarifat nuk janë problemi kryesor. Ato janë vetëm një nga elementet që shfaqen në fund të një sistemi që nuk është ndërtuar për të funksionuar më së miri që mundet. Dhe duhet!
Nëse sistemi nuk prodhon mjaftueshëm energji, nëse investimet në burime të ripërtëritshme zvarriten dhe nëse nuk menaxhohen si duhet kulmet sezonale të konsumit, atëherë tarifa bëhet instrumenti i fundit për të mbuluar kostot. Tarifa pra është fundi i rrugës. Instrumenti me të cilin sistemi barazohet, jo thelbi i problemit.
Kosova vazhdon të mbështetet kryesisht në prodhimin nga qymyri, me termocentrale të vjetra që kërkojnë investime të vazhdueshme për mirëmbajtje. Kur prodhimi vendor nuk mjafton, vendi detyrohet të importojë energji me çmime shpesh shumë më të larta. Kjo bëhet veçanërisht problematike në dimër, kur konsumi rritet ndjeshëm për shkak të ngrohjes elektrike. Kështu, diskrepanca sezonale bëhet një nga karakteristikat më të mëdha të sistemit energjetik të Kosovës. Sipas raporteve të ZRRE-së, gjatë muajve të pranverës dhe fillimit të verës (psh. maji dhe qershori) kërkesa për energji në sistem viteve të fundit po sillet rreth 720 MW. Në dimër kjo kërkesë pothuajse dyfishohet. Në muajin dhjetor p.sh., tash po e kalon 1,400 MW, duke krijuar presion të madh mbi sistemin dhe duke rritur nevojën për import.
Kjo diferencë e madhe sezonale e bën planifikimin e sistemit shumë më të vështirë dhe shumë më të shtrenjtë. Në këtë kontekst, struktura tarifore ka një rol kyç. Aktualisht sistemi funksionon me dy bllok tarifa: konsumimi deri në 800 kWh në muaj dhe konsumimi mbi 800 kWh. Arsyetimi i ZRRE-së dhe i grupit parlamentar të Vetëvendosjes që e kishte mbështetur këtë strukturë ishte se konsumi deri në këtë nivel supozohej të mbulohej kryesisht nga prodhimi vendor, ndërsa konsumi mbi këtë prag lidhej më shumë me importet dhe kostot shtesë.
Megjithatë, realiteti po tregon se kjo logjikë nuk është më e mjaftueshme. Prodhimi vendor është rritur gradualisht në disa periudha, por edhe tarifat kanë vazhduar të rriten. Kjo tregon se problemi nuk qëndron vetëm te niveli i prodhimit, por edhe te mënyra si menaxhohet konsumi dhe si strukturohet sistemi tarifor.
Një strukturë me vetëm dy blloqe nuk reflekton mjaftueshëm realitetin e konsumit në Kosovë. Një pjesë e konsiderueshme e konsumit karakterizohet nga rritje të papritura dhe të larta nga një muaj në tjetrin, sidomos në dimër ose në rastet kur ndërtesat popullohen vetëm për periudha të shkurtra. Këto “spikes” bëjnë që sasia e importit në një periudhë kur mimet janë të larta të jetë jashtëzakonisht e madhe. Konsumatori që përgjithësisht konsumon sasi të rregullt paguan për sasinë që e llahtarshme të konsumit që vjen veÇanërisht në një apo dy muaj!
Për këtë arsye, sistemi tarifor duhet të mendohet ndryshe. Një strukturë më e fragmentuar tarifore do të arrinte dy qëllime në të njëjtën kohë: të shpërblejë konsumatorin që kursen dhe ka konsum të qëndrueshëm, dhe në të njëjtën kohë të adresojë më drejt kostot që krijohen nga kulmet e papritura të konsumit.
Por edhe kjo është vetëm një pjesë e problemit.
Nëse na duhet një dekadë vetëm për të përfunduar studimet e fizibilitetit për ngrohtoret e qyteteve, atëherë është e qartë se problemi nuk është vetëm financiar. Nëse duhen tre vite për të miratuar një Ligj për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, apo gjashtë vite për të përgatitur një Plan Kombëtar për Energji dhe Klimë që ende nuk është miratuar, atëherë sektori nuk po ecën me ritmin që kërkon realiteti energjetik dhe ekonomik i vendit.
Çdo vit vonesë përkthehet në më shumë importe, më shumë presion mbi sistemin dhe përfundimisht në më shumë tarifa.
Prandaj debati për tarifat nuk duhet të mbetet i ngushtë vetëm rreth çmimit të energjisë. Duhet të pyesim veten si ndërtohet sistemi energjetik në tërësi: sa prodhim vendor kemi, sa shpejt integrojmë energjinë e ripërtëritshme, si të menaxhojmë kulmet e konsumit dhe sa efikase janë politikat tona energjetike.
Nëse sistemi mbetet i ngadalshëm, i fragmentuar dhe i varur nga importi, atëherë edhe tarifat do të vazhdojnë të reflektojnë këtë realitet. Nëse duam tarifa më të drejta dhe më të qëndrueshme, atëherë duhet të fillojmë nga ndërtimi i një sistemi energjetik që prodhon më shumë, planifikon më mirë dhe i përfshin të gjithë me efiçiencë, prodhim të decentralizuar, rrjet të mençur dhe treg të hapur. Pa vonesa që kushtojnë e me investime që janë dinamike dhe sjellin shpresë. Kështu sistemi do të stabilizohet e në fund edhe tarifat do të jenë të panevojshme. Do të kemi konkurrencë, përballueshmëri e kualitet në vend të vonesave, debateve e ngecjeve të panevojshme!









