Geofrrey Hinton, një burrë i urtë e i ditur, quhet kumbar i AI-së (ne do të thoshim “baba”). Në përpjekje që mënyrën e punës së trurit të njeriut ta aplikojë në funksionimin e kompjuterëve, ka bërë “zbulime dhe shpikje themelore që mundësojnë të mësuarit automatik me rrjete nervore artificiale”. Pasi që për këtë ka marrë Çmimin Nobel (së bashku me John Hopfieldin) për vitin 2024, ai është gëzuar sepse kështu do të ketë edhe më shumë kompetencë të flasë për rreziqet e AI-së, meqë, për të pasur liri për ta bërë këtë, në vitin 2023 e ka braktisur punën në Google.
Dush GASHI
E keni dëgjuar të thonë se dikush që nuk di ta shpjegojë me fjalë të thjeshta një gjë, ai nuk e kupton as vetë? Ja që historiani Yuval Noah Harari e kupton fare mirë Inteligjencën artificile (AI), deri sa e tregon kështu, sa ta kuptojë edhe një gjashtëvjeçar:
- Aparati i kafesë ua bën kafenë automatikisht, por sipas mënyrës së programuar. Por, nëse ai mëson diçka të re, ai më nuk është makinë automatike. Aparati i kafesë shndërrohet në makinë inteligjente, në qoftë se i afroheni dhe pa e prekur ju ende asnjë sustë, ju drejtohet dhe thotë:
- Ju kam vështruar gjatë javëve apo muajve të fundit, kështu që në bazë të gjithë asaj që kam mësuar për ju, shprehjeve tuaja të fytyrës, kohën e ditës, parashikoj se doni një esspreso, kështu që po marr lirinë t’ua bëj një filxhan, e kam shpikur një pije të re, çfarë asnjë njeri nuk e ka menduar më parë. E kam quajtur best-presso dhe besoj se do t’u pelqejë më shumë se esspreso. Ky është AI! Dhe, thonë, më i mençur se njeriu, sepse ka arritur aftësinë që të mësojë vetë dhe më shumë se njeriu. Dhe do ta ketë, si themi ne, “kryet e vetë”!
Në botë po shkruhen libra e libra për inteligjencën artificiale. Në mungesë të tyre, unë këto ditë lexova kah munda ta gjej artikuj të ndryshëm dhe video në YouTube që sadopak të krijoj një parafytyrim se çka po ndodhë.
Pak nga kjo përvojë po e ndaj këtu me ju.
Geofrrey Hinton, një burrë i urtë e i ditur, quhet kumbar i AI-së (ne do të thoshim “baba”). Në përpjekje që mënyrën e punës së trurit të njeriut ta aplikojë në funksionimin e kompjuterëve, ka bërë “zbulime dhe shpikje themelore që mundësojnë të mësuarit automatik me rrjete nervore artificiale”.
Pasi që për këtë ka marrë Çmimin Nobel (së bashku me John Hopfieldin) për vitin 2024, ai është gëzuar sepse kështu do të ketë edhe më shumë kompetencë të flasë për rreziqet e AI-së, meqë, për të pasur liri për ta bërë këtë, në vitin 2023 e ka braktisur punën në Google.
A e di njeriu çfarë është duke bërë? – pyetet ai në një intervistë.
- Jo! – përgjigjet Hinton, dhe shton:
- Ne po hyjmë në një epokë kur për herë të parë do të kemi gjëra më inteligjente se ne.
Ti beson se ato mund të kuptojnë?
- Po.
Beson se ato janë inteligjente?
- Po!
Beson se këto sisteme kanë përvojat e tyre dhe mund të marrin vendime në bazë të këtyre përvojave të tyre?
- Në njëfarë kuptimi si e bëjnë njerëzit, po.
A janë të vetëdijshme?
- Mendoj se sigurisht tash nuk kanë shumë vetëdije, në këtë kuptim nuk mendoj se janë të vetëdijshme.
A do të kenë vetëdije?
- Po, do të kenë me kohë.
Dhe njerëzit do të jenë qenia e dytë më inteligjente në planet?
- Po!
A janë më të mira sistemet në mësim se mendja njerëzore?
- Mendoj se mund të jenë. Po! Chatbots-ët më të mëdhenj kanë rreth një trilion kyçje në ta, truri njerëzor ka rreth 100 trilion kyçje dhe megjithatë ata dinë më shumë, do të thotë mësojnë më mirë, kanë gjetur mënyrë më të mirë për të mësuar.
Ne kemi një ide të përafërt se çka është duke bërë. Por, gjërat po komplikohen, ne aktualisht nuk e dimë çfarë po ndodh, dimë më pak se sa dimë se cfarë po ndodh në trurin tonë.
Si është e mundur, deri sa është i projektuar nga njerëzit?
- Jo, nuk është projektuar nga njerëzit. Ajo që dimë është se e kemi programuar është algoritmi për të mësuar, kjo është sikur e programon parimin e evolucionit, por kur ky algoritëm i të mësuarit pastaj interakton me të dhënat dhe prodhon rrjete të komplikuara neurale që i bëjnë mirë gjërat, por ne realisht nuk e kuptojmë saktësisht se si i bëjnë këto gjëra.
Cilat janë implikimet që këto sisteme e shkruajnë pavarësisht kodin e tyre të kompjuterit dhe e ekzekutojnë vetë kodin e kompjuterit?
- Ky është shqetësim serioz, apo jo, kështu që njëra prej mënyrave me të cilat këo sisteme mund t’i shmangen kontrollit është duke shkruar vetë kodin kompjuterik për të modifikuar vetëveten dhe kjo është diçka për çka duhet të shqetësohemi shumë.
Nëse bëhet benevolent vetëm e shkyç?
- Ata do të jenë të zotët t’i manipulojnë njerëzit dhe do të jenë shumë të mirë për t’i bindur njerëzit, sepse ata do të kenë mësuar nga të gjitha romanet që janë shkruar ndonjëherë, të gjitha librat nga Makiaveli, të gjitha komplotet politike dhe i dinë të gjitha gjërat si ta bëjnë këtë.
(Një Korado Korleviq, kroat, i cili AI-në e quan “revolucioni më i madh që ka ndodhur në 40 mijë vjet”, po thotë se nuk do të na lejojnë t’i shkyçim!)
Rezonimi i tyre përmban shumë të mira dhe shumë rreziqe?
- Të mira të mëdha në kujdesin mjekësor. AI është i krahasueshëm me radiologët, i kupton imazhet radiologjike, nuk i shpëton asgjë pa e parë, është i mirë edhe për projektimin e ilaçeve dhe po e bën këtë,
Po rreziqet? Si të sigurohemi?
- Nuk e di! Nuk di rrugë të sigurisë së garantuar, kemi të bëjmë me gjëra që s’i kemi bërë kurrë më parë, me diçka që është krejtësisht e re, s’mund ta përballojmë nëse shkon keq, – AI potencialisht paraqet rrezik të madh dhe janë dy grupe rreziqesh – që “të këqijtë” (bad actors) ta përdorin për gjëra të këqija dhe AI vetë të dalë jashtë konrollit.
Të këqijtë mund ta përdorin me më shumë efikasitet për sulme hakerësh, dizajnimin e virusëve të rinj, video e foto të rrejshme për manipulimin e votimit, të krijojnë armë vdekjeprurëse autonome.
Pastaj do t’i zëvendëojë punëtorët dhe shumë njerëz mund të mbeten pa punë. Mund të përdoret edhe për kontrollin e njerëzve, si e bën Kina.
A do ta ndaloje po ta kishe fuqinë?
- Nuk e di, sepse nuk është si arma nukleare e bërë për gjëra të këqija, sepse mund të bëjë gjëra të paimagjinueshme në kujdesin shëndetësor dhe arsim; në rritjen e produktivitetit në industri do të jetë i mirë.
E keqja është se si është e organizuar shoqëria, kështu që Musku do të bëhet më i pasur dhe shumë njerëz do të mbesin pa punë.
Shumë vende që shesin armë, do të prodhojnë armë autonome, ShBA, Rusia, Izraeli, Kina, Britania e Madhe…
- Nuk do të jetë si ngrohja globale, problem i cili mund të zgjidhet vetëm me ndalimin e emetimit të karboni, thotë Hinton, duke u angazhuar për rregullim të kësaj veprimtarie, duke e ditur se kompanitë do të duan më pak rregullim.
- Duhet bërë presion mbi qeveritë që kompanitë të bëjnë hulumtime për sigurinë, Si përndryshe do të shndërrohemi në Çernobil – fushëbetejë e robotëve autonomë luftarakë.
P.S: Personalisht mendoj se, me AI-në ky shekull do të jetë dramatikisht ndryshe nga gjithë epoka e civilizimit njerëzor, ndërsa ndryshime po ashtu dramatike do të pësojmë nga ngrohja globale.









