Sipas të dhënave zyrtare më të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të varfërisë në rajon edhe në vitin 2025, së bashku me Kosovën, dhe do të vijojë ta ketë edhe së paku deri në fund të dekadës. Qytetarët e Kosovës edhe vitin 2024 e kanë mbyllur si më të varfrit në rajon e Europë (me 19.2 për qind shkallën e varfërisë). Kosova vazhdon të ketë të ardhurat më të ulëta për frymë, krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian, përjashto Shqipërinë. Po sipas të dhënave të institucioneve monetare ndërkombëtare, vetëm rreth 18% e punëtorëve në Kosovë mezi e mbyllin muajin.
Buletini Ekonomik
Në Kosovë ka shumë varfëri, dhe ç’është më keq, Kosova po varfërohet përditë e më shumë. Edhe sot, 27 vjet pas luftës, varfëria është shqetësimi që nuk i shmanget Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare më të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të varfërisë në rajon edhe në vitin 2025, së bashku me Kosovën, dhe do të vijojë ta ketë edhe së paku deri në fund të dekadës.
Qytetarët e Kosovës edhe vitin 2024 e kanë mbyllur si më të varfrit në rajon e Europë. Shkalla e varfërisë më 2024 ishte 19.2 për qind, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto (PBB) për frymë evidentohej të ishte 5.889 euro (Luksemburgu, ndër vendet me PBB më të lartë në Europë, këtë shifër e kishte 137.839 euro për frymë).
Me fjalë të tjera, Kosova vazhdon të ketë të ardhurat më të ulëta për frymë, krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian, përjashto Shqipërinë. Po sipas të dhënave të institucioneve monetare ndërkombëtare, vetëm rreth 18% e punëtorëve në Kosovë mezi e mbyllin muajin.
Krahas të dhënave më të reja të institucioneve ndërkombëtare për nivelin e varfërisë reale dominuese në Kosovë (për numrin e familjeve që nuk kanë para për shpenzime për konsum të domosdoshëm ditor dhe në periudha më të gjata), ka shumë të dhëna edhe nga institucionet zyrtare të vendit, që flasin për varfërinë reale në Kosovë.
Ndërsa në varfërinë në Republikën tonë ndikim të madh ka disproorcioni i madh ndërmjet të ardhurave (parave në dispozicion të shumicës së kosovarëve) dhe çmimeve të larta, sidomos të produkteve ushqimore elementare, ku një numër i tyre tejkalojnë çmimet në shumë shtete të pasura të Europës.
“40% e konsumatorëve në Kosovë mendojnë se cilësia e jetës sot është më e keqe sesa para vitit 2020”, thuhet ndër të tjera në një hulumtim të vitit të kaluar të “Valicon”.
Hulumtimi i “Valicon”, përveç Kosovës, ka përfshirë edhe Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Në hulumtim, ç’është e vërteta, shtohet se në pothuajse të gjitha tregjet, më shumë konsumatorë ndjejnë se cilësia e jetës së tyre është “më e keqe” sesa “më e mirë”. Ndërsa, inflacioni mbetet shqetësimi kryesor në të gjithë rajonin. E nivelet më të larta të shqetësimit janë regjistruar në Kosovë (70%), Maqedoni të Veriut (70%), Bosnje dhe Hercegovinë (69%) dhe Kroaci (68%).
Inflacioni, respektivisht ngritja e çmimeve, sot e kësaj dite mbetet një shqetësim tjetër i madh i kosovarëve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e rritjes së çmimeve në muajin mars 2026 ka arritur në 6.7 për qind (saktësisht, po kaq është shkalla e inflacionit), ose niveli më i lartë i inflacionit në Europë, pas Rumanisë. Shtrenjtimi është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, shërbimeve dhe transportit. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet në Lindjen e Mesme, gjithsesi, do ta kenë ndikimin e padiskutueshëm në rritjen e inflacionit edhe në muajt në vazhdim.
Ndërsa, ngritja e çmimeve në vendin tonë ka vazhduar vrullshëm edhe sivjet, madje egërsisht dhe jashtë çdo logjike të tregut, dhe ka arritur sot nivelin e çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre elementare ushqimore dhe të higjienës, të shumë shteteve të Perëndimit (Gjermani, Francë, Itali etj.). Lufta në Lindjen e Mesme është preteksti i radhës i shumë tregtarëve dhe prodhuesve në vend për të paralajmëruar ngritje të reja çmimesh.
Qytetarët, ç’është e vërteta, aktualisht ndihen paksa të lehtësuar pas zyrtarizimit të faktit se sivjet nuk do të ndodhë ngritja e katërt brenda një periudhe të shkurtër kohore e çmimit të energjisë elektrike. Dhe, nëse do të ndodhte edhe një herë ngritja e çmimit të rrymës në nivelin që kishte kërkuar KEDS/KESCO, padiskutueshëm do të shtohej edhe më numri i të varfërve në vend, sikundër që do të rritej numri i njerëzve që do ta kenë të domosdoshme ndihmën e shtetit për mbijetesë, përkatësisht i familjeve të cenueshme, që nënkupton numrin e familjeve të varfra ose në kufi të varfërisë. Kjo do të thotë se do të shtohet dhe do të tejkalohet ndjeshëm numri prej 90 mijë familjesh të cenueshme që subvencionohen aktualisht nga shteti për faturat e energjisë, siç deklarojnë autoritetet.
Duhet thënë se në Kosovë vazhdojnë të jenë potencialisht varfanjakë edhe të gjitha kategoritë e pensionistëve të Kosovës, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët (fëmijët apo ndonjë i afërm tjetër). Pensionistët kosovarë, rreth 200 mijë veta gjithsej (pensionistë të pleqërisë dhe ata kontribuues), mezi ia dalin të mbijetojnë dhe as që bëhet fjalë që me pensionet aktuale mund të bëjnë një jetë sadopak dinjitoze.
Sidomos janë në gjendje të rënduar të mirëqenies dhe më të goditurit nga varfëria pensionistët me pension të pleqërisë (rreth 150 mijë sish), që pensionet e tyre i kanë saktësisht 150 euro. Shumica e tyre, nëse nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët, thjesht nuk mund ta përmbyllin muajin me muaj. Ata nuk kanë mundësi të ushqehen si duhet, nuk kanë mundësi të blejnë barnat e domosdoshme, nuk kanë mundësi të pinë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë.
Pensionistët janë pjesa e popullsisë e margjinalizuar skajshmërisht dhe, për ta, për ngritjen e pensioneve të mjerueshme të tyre, as që i bie ndërmend ndokujt, as nga institucionet, as nga autoritetet zyrtare, pos ndihmave që u janë shpërndarë në këto vite në kohët e zgjedhjeve. Pensionistët kosovarë shpresojnë të kenë ndonjë ndihmë edhe në këto zgjedhje.
E varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme, si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. Këto fakte dhe shifra që pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen sociale aktuale në Kosovë (që pak a shumë, me pak ndryshime, është e ngjashme tani e 27 vjet) janë në sinkron me vlerësimet dhe konstatimet e shumë institucioneve, edhe ndërkombëtare, edhe vendore, se varfëria, papunësia dhe ngritja enorme e çmimeve të produkteve të konsumit mbeten tri shqetësimet kryesore të kosovarëve.
Ndërsa, për autoritetet dhe zyrtarët që e kanë detyrë dhe paguhen për t’u preokupuar me këto shqetësime, tani në rrethanat politike të krijuara edhe para zgjedhjeve të pritshme parlamentare të 7 qershorit, kjo është çështje fare e margjinalizuar. Pakkujt i bie ndërmend për varfërinë e qytetarëve. Thjesht, nuk kujtohet kush nga pushteti, por as nga opozita, se edhe të varfrit e vendit kërkojnë jetë më të dinjitetshme, trajtim më korrekt nga shoqëria dhe shteti.
Ndërkohë, në institucionet ndërkombëtare konsiderohet se, për të arritur progres të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë dhe rritjen e prosperitetit të përbashkët, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë për të gjithë popullin e Kosovës.
Sipas BB-së, Kosova ballafaqohet me nevojën për të ndërmarrë reforma, duke përfshirë zbatimin e një strategjie të re energjetike dhe përmirësimin e sigurisë së ujit. FMN-ja është më konkrete dhe sugjeron se, në rast përshkallëzimi të varfërisë, duhet që mbështetja e qeverisë të orientohet me prioritet te mbrojtja e shtresave më në nevojë, natyrisht duke siguruar në mënyrë të kujdesshme edhe parametrat makroekonomikë e fiskalë. /Buletini Ekonomik/











