Mbi 120 mijë euro është totali i shpenzimeve për gjashtë muajt e parë të këtij viti, nga kryeministrit Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij politik që përbëhet nga 17 persona.
Bazuar në të dhënat që ka siguruar Telegrafi përmes qasjes në dokumentet publike, kryeministri Kurti së bashku me kabinetin e tij për gjashtë muaj shpenzuan plot 124 mijë e 639 euro.
Këto para u harxhuan për mëditje gjatë udhëtimeve zyrtare, telefon, akomodim, karburant për vetura, si dhe për bileta të udhëtimit e dreka.
Vetë kryeministri Albin Kurti nuk ka marr asnjë cent për mëditje të udhëtimeve zyrtare e po ashtu as për telefon.
Për dallim nga kryeministri, kabineti i tij harxhoi plot 7,811.75 euro për mëditje, dhe 3,753.26 euro për telefon, shkruan Telegrafi.









