Ministri në detyrë i Punës dhe Familjes, Andin Hoti, ka njoftuar se sot do të ekzekutohen pagesat e njëhershme prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët.
Hoti bëri të ditur se pagesat po realizohen pasi një ditë më parë janë ekzekutuar edhe mbështetjet për lehonat, të cilat këtë herë kanë qenë në vlerë prej 500 eurosh.
“Njoftojmë qytetarët se pagesa e njëhershme prej 100 eurosh për fëmijë dhe pensionistë dalin sot, ngase dje u ekzekutuan pagesat e njëhershme për lehonat me rritje në vlerën 500 euro”, deklaroi ai për Dukagjinin.
Qeveria në detyrë e Kosovo, në mbledhjen e fundit, ka marrë vendim për ekzekutimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, e cila parasheh mbështetje financiare për kategori të ndryshme shoqërore.
Sipas ministrit Hoti, nga kjo pako përfitojnë mbi 400 mijë fëmijë dhe mbi 300 mijë përfitues të skemave pensionale, përfshirë edhe kategoritë e luftës dhe personat me nevoja të veçanta.
Paketa përfshin gjithashtu mbështetje edhe për studentët aktivë, punëtorët e sektorit privat dhe familjet në nevojë.









